1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Erdogan: Ky nuk është vendi juaj, kjo është Turqi

Mosmarrëveshja për praninë e diplomatëve të huaj si vëzhgues në procesin gjyqësor kundër dy gazetarëve kritikë ndaj qeverisë në Turqi është ashpërsuar. Presidenti Erdogan ka shprehur zemërimin e tij.

Në një fjalim të mbajtur në Stamboll, Presidenti i Turqisë sulmoi veçanërisht Konsullin e Përgjithshëm të Britanisë së Madhe, Leigh Turner. Pa e përmendur Turnerin me emër, Recep Tayip Erdogani kritikoi që ai angazhohet për një gazetar, i cili ka dalë para gjyqit për shkak të akuzave për spiunazh. "Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ai bën edhe një fotografi faqe më faqe me të dhe e nxjerr në internet", tha Recep Tayip Erdogan sipas agjencisë së lajmeve Anadolu.

Gazetarë kritikë të qeverisë para gjyqit

Turneri pati ndjekur të premten me disa diplomatë të huaj, midis tyre edhe me ambasadorin gjerman, Martin Erdmann, hapjen e procesit gjyqësor shumë të diskutueshëm kundër dy gazetarëve kritikë ndaj qeverisë, Can Dündar dhe Erdem Gül. Kryeredaktorin e gazetës "Cumhuriyet", Dündar dhe shefin e zyrës së gazetës për kryeqytetin i akuzojnë ndër të tjera për spiunazh, tradhëti të sekreteve shtetërore dhe mbështetje të një organizate terroriste. Në rast dënimi, të dy i pret burgim i përjetshëm.

Para se të shkonte për të ndjekur procesin gjyqësor, Turner publikoi disa fotografi në rrjetin e Twitterit, midis tyre një selfie me Dündarin dhe e komentoi seancën me fjalët: "Turqia vendos vetë se çfarë vendi dëshiron të jetë". Erdogani deklaroi se me këtë qe kapërcyer një kufi. "Nëse ky person mund ta kryejë edhe më tej shërbimin e tij në Turqi, kjo ka të bëjë me fisnikërinë dhe me mikpritjen tonë", tha Erdogani sipas agjencisë Anadolu. Sipas tij, në vende të tjera, diplomatët që manifestojnë sjellje të tilla nuk durohen për asnjë ditë.

Ministri i Drejtësisë: sjellja e diplomatëve është e papajtueshme

Anadolu raporton duke iu referuar qarqeve diplomatike se ministria e Jashtme Turke është ankuar zyrtarisht në disa përfaqësi të huaja diplomatike, për shkak të pjesëmarrjes së diplomatëve të tyre në proces. Se në ç'formë konkrete është bërë ankesa, kjo është e paqartë. Edhe një konfirmim të Ministrisë së Jashtme Gjermane për momentin nuk ka. Qeveria në Ankara zemërohet para së gjithash për shkak të publikimeve të diplomatëve në twitter, siç u shpreh një diplomat turk. Kjo mund të vlerësohet si përzierje në punën e pavarur të gjykatës dhe shkel "paanshmërinë" e diplomatëve, u tha.

Ministri i Drejtësisë, Bekir Bozdag e quajti sjelljen e diplomatëve sipas medieve turke si "të papranueshme". Edhe kryeministri Ahmet Davotuglou e dënoi pjesëmarrjen në procesin gjyqësor të diplomatëve. Erdogani vetë u dërgoi që të shtunën një shpërthim zemërimi vëzhguesve të paftuar të procesit gjyqësor: "Ky nuk është vendi juaj, kjo është Turqia", u shpreh ai i revoltuar në vendin e tij. Diplomatët mund të kryejnë aktivitet në kuadër të përfaqësive të tyre, përndryshe nevojitet leje, tha Presidenti turk.

Kritika ndërkombëtare ndaj procesit gjyqësor

Shkak për procesin është raportimi i gazetës "Cumhyriet" vitin e kaluar, se Turqia ka furnizuar me armë ekstremistët islamikë në Siri. Erdogani, që i paditi vetë gazetarët në gjyq dhe Shërbimi i Fshehtë turk, MIT janë bashkuar si palë me akuzën e prokurorisë.

Kundër këtij procesi gjyqësor protestuan në një letër të hapur Këshilli i Evropës, organizata ndërkombëtare gazetarësh si dhe midis të tjerash më shumë se njëqind autorë në një letër të hapur, midis tyre edhe nobelisti i Letërsisë, Mario Vargas Llossa. Organizata Reporterë pa Kufij dhe organizata të të drejtave të njeriut kërkojnë ndalimin e procesit gjyqësor, që për mendimin e tyre është i motivuar politikisht. Procesi gjyqësor zhvillohet me dyer të mbyllura. Gjykatësit miratuan në fillim të procesit një kërkesë përkatëse të prokurorisë. Mbështetësit e të dy të akuzuarve në sallën e gjyqit reaguan me zemërim për përjashtimin e opinionit publik.