1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Erdogan flet për puç civil

Kryeministri turk Erdogan do t'u kundërvihet demonstruesve: për fundjavën e ardhshme ai ka planifikuar mitingje të mëdha në Stamboll dhe Ankara. Në kryeqytet ai ka zgjedhur për mitingun një vend me simbolikë të veçantë.

Recep Tayyip Erdogan

Recep Tayyip Erdogan

Rexhep Taip Erdogan foli fjalë të qarta që në fillim të protestave në parkun Gezi në Stamboll. Në fund të majit ai i cilësoi demonstruesit kriminelë dhe ekstremistë. Së fundi e ka ashpërsuar përsëri tonin. Erdogan i fajësoi aktivistët se komplotojnë kundër qeverisë. Ata po e çojnë vendin me qëllim drejt kaosit për ta rrëzuar kryeministrin nga pushteti. Të martën (11.6.2013) kryeministri turk falenderoi policinë për punën e saj dhe i akuzoi sërish demonstruesit për vandalizëm dhe shkatërrime masive. Veç kësaj Erdogan përpiqet t'u kundërvihet protestave me anti-mitingje të përkrahësve të vet, e pikërisht në periferinë e Ankarasë, Sincan. Në shtypin turk spekulohet tashmë nëse vendi është zgjedhur qëllimisht.

Policia turke.

Policia do të reagojë edhe më ashër?

"Sincan ka qenë simboli i 28 shkurtit", thotë Utku Çakırözer, gazetar pranë të përditshmes "Cumhuriyet". Në 28 shkurt 1997 Sincan u kthye në simbolin e ndërhyrjes së fundit të madhe të ushtrisë në Turqi. Ajo që ndodhi atje u bë e njohur si "puç postmodern" dhe "procesi i 28 shkurtit". Asokohe ushtarakët nisën një fushatë kundër qeverisë me karakter islamik të Nexhmedin Erbakanit. Ata nxorrën edhe tanke në rrugët e Sincanit. Puçi ushtarak pati si pasojë dorëheqjen e kryeministrit Erbakan dhe qeverisë së tij.

Policia kundër ushtrisë?

"Deri tani ka ndodhur gjithnjë që e dyshuara kryesore në përpjekjet për puç ka qenë ushtria turke", mendon Omer Sahin nga e përditshmja "Radikal" në bisedë me DW. Sot organizatorët e puçit të dikurshëm ndër ta mjaft gjeneralë të lartë, ndodhen në burgun e Sincanit. Qëkurse prej vitit 2011 shef i ushtrisë është gjenerali Nexhdet Ozel, ushtria megjithatë nuk është shprehur më publikisht për politikën e brendshme. Në vend të kësaj ushtria dhe qeveria konsultohen prapa dyerve të mbyllura.

Utku Çakırözer, i cili raporton për "Cumhuriyet" nga Ankaraja, beson se kjo mënyrë veprimi ka rezultuar e suksesshme. "Për këtë arsye ne nuk dëgjojmë asgjë nga ushtria në lidhje me protestat aktuale", thotë ai për DW. Çakırözer beson se ushtria është shumë e shqetësuar se mund të ndodhë një përplasje mes policisë dhe ushtrisë.

"Në ditën e parë të protestave, ushtria u erdhi në ndihmë disa demonstruesve në ndërtesa të ushtrisë". Një spital ushtarak shpërndau maska nga reparti i kirurgjisë, të cilat mbrojnë nga gazi lotsjellës. Aktivistë në arrati gjetën mbrojtje edhe në një ndërtesë të ushtrisë dhe në një bazë ushtarake ka pasur konfrontime mes ushtarëve dhe policëve.

Dhuna në Shehin Taksim.

Dhuna në Shehin Taksim.

"Këto incidente duket se kanë frikësuar disa ushtarakë të lartë", mendon Çakırözer. "Menjëherë pas kësaj u bë gjithçka që personeli ushtarak të mbahej larg demonstrimeve." "Atyre që kryejnë shërbimin e detyruar ushtarak madje u është ndaluar të shkojnë në shtëpi në fundjavë, në mënyrë që të shmangen përplasjet me policinë."

Një "puç civil"?

Por fjalimi i fundit i Erdoganit la të kuptohet se për momentin ai nuk konsideron ushtrinë si kërcënimin kryesor të qeverisjes së tij. "Në protestat e parkut Gezi ai sheh një komplot për rrëzimin e tij. Një komplot, dimensionet e të cilit janë jo vetëm të brendshme por edhe të jashtme dhe ekonomike", thotë Utku Çakırözer.

Ngjashëm mendon edhe Omer Sahin nga gazeta "Radikal". Gjuha që përdoret tani për të përshkruar protestat ka marrë një karakter të ri: "AKP flet tani për një 'puç civil'. Kryeministri beson se e kanë vënë në shënjestër grupe të caktuara lobiiste: grupime ekonomike, banka, të cilat shpresojnë avantazhe nga rrëzimi i tij." Demonstruesit manipulohen dhe shfrytëzohen si marioneta, thotë Erdogan. Sahin thekson se askush nuk beson seriozisht që këtë herë pas protestave qendron ushtria.

Disa analistë dyshojnë se tensionet politike në rritje në politikën e brendshme mund të jenë edhe një plan i kryeministrit. "Erdogan kërkon të polarizojë vendin. Me anë të demonstrimeve ai përpiqet të bashkojë përsëri bazën e partisë së tij", shpreh dyshimin Çakırözer. Sipas gazetarit Erdogan shpreson në një fitore të shkëlqyer në zgjedhjet e ardhshme në mars 2014.

Të paktën në periferinë e Ankarasë Sincan, Erdogan mund të mbështetet në përkrahje të fortë. Atje banojnë shumë përkrahës të partisë së tij. AKP do ta shfrytëzojë mitingun në Sincan për të treguan forcë dhe për të dëshmuar se ka me çfarë t'iu kundërvihet demonstruesve në sheshin Takism dhe qindra mijëra aktivistëve të tjerë, në gjithë vendin.