1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Erdogan fiton dhe paralajmëron ndëshkime

Kryeministri turk fitoi bindshëm zgjedhjet komunale. Por menjëherë pas zgjedhjeve ai bëri të qartë se tensionet politike në vend nuk do të marrin fund.

Fjala "fjalimi në ballkon" ka në një kuptim krejt të veçantë në fjalorin politik turk. Ai përshkruan fjalime pas zgjedhjeve, në të cilat evokohet e përbashkëta, ajo që bashkon përtej kufijve partiakë. Kryeministri Erdogan ka mbajtur shumë fjalime pajtuese ballkoni në dhjetë vitet e fundit. Këtë herë është ndryshe. Fjalimi i fitores pas zgjedhjeve komunale ishte një shpallje lufte ndaj kundërshtarëve politikë, përzier me shumë vetëlavdërim.

Kommunalwahlen Türkei Erdogan 31.03.2014 in Ankara

Kryeministri turk Erdogan

"Ne kemi demokracinë, të cilën perëndimi e ëndërron", tha Erdogan. Kritikët e tij i paralajmëroi. "Ne nuk do t'ia lëmë këtë vend Pensilvanisë", tha ai duke aluduar për armikun e tij personal, predikuesin islamik Fethullah Gülen, që jeton në këtë shtet të SHBA-së. "Një fjalim fitoreje dhe lufte", vuri në dukje kolumnisti Kadri Gürsel.

Me sytë te zgjedhjet presidenciale

Mbështetës të AKP në Ankara

Mbështetës të AKP në Ankara

Me rreth 43 për qind të votave në të gjithë vendin, këto janë rezultatet e pjesshme jozyrtare të mediave turke, partia islamike konservatore AKP e Erdoganit lë shumë pas konkurrencën në zgjedhjet lokale. Në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2009, AKP fitoi edhe katër përqind të tjera. Partia sekulariste opozitare CHP sipas rezultateve jozyrtare mbetet nën 30 për qind. Të hënën (31.03.2014) nuk kishte ende rezultate zyrtare të autoriteteve zgjedhore turke. Në Stamboll, qytetin më të madh të vendit, AKP mundi CHP, ndërsa rezultatet në kryeqytetin Ankara ishin aq afër njëra-tjetrës, saqë fituesi nuk dihej akoma në mëngjesin pas zgjedhjeve.

Erdogani nuk humbi shumë kohë me hollësitë e rezultateve. "Pas zgjedhjeve është para zgjedhjeve", këtë e tregoi shumë qartë fjalimi i tij. Ai shpotiti opozitën, "e cila gjithmonë dështon në zgjedhje. Në Turqinë e re kemi nevojë për një opozitë të re", tha Erdogan, i cili i ka drejtuar sytë tek zgjedhjet presidenciale të gushtit, në të cilat ai mund të kandidojë.

Opozita në krizë

Në zgjedhjet lokale u dëshmua forca e AKP-së si parti, që është e përfaqësuar në të gjitha pjesët e vendit dhe është në gjendje të motivojë përkrahësit e saj. "Nuk ka alternativë tjetër ndërkohë përveç partisë së Erdoganit", tha Fuat Keyman nga Qendra e Stambollit për Politikë e universitetit Sabanci, në kanalin televiziv turk NTV. Ai krahasoi pozitën dominuesve të AKP-së me rolin e socialdemokratëve suedezë, që e udhëhqein këtë vend skandinav prej dekadash të tëra.

Por rezultati zgjedhor nuk flet vetëm për fuqinë e AKP-së, por edhe për dobësinë e opozitës. Nëse një parti mund të fitojë kaq qartë megjithë një skandal korrupsioni dhe ndalimin e Twitter-it dhe të Youtube, atëherë diçka nuk është në rregull me konkurrencën politike, tha Asli Aydintasbas, kolumnist i gazetës "Milliyet", në televizionin CNN-Türk. Partisë opozitare CHP i ishte sërvirur shansi si në një tabaka argjendi. "Dhe megjithatë nuk arritën. Ata me të vërtetë duhet të ulen njëherë dhe të mendojnë."

"Loja sapo ka filluar"

Shumë kohë për t'u menduar nuk mbetet. Levent Erden nga universiteti Bilgi i Stambollit, i ftuar në NTV, hodhi vështrimin në kalendarin politik. Zgjedhjet lokale të së dielës kanë qenë në radhë të parë të rëndësishme për të përcaktuar strategjinë për zgjedhjet presidenciale të gushtit, tha ai. Vendi lëviz nga një fushatë zgjedhore në tjetrën. Brenda 14 muajve të ardhshëm do të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare, vendi ndodhet para një fushate të pandërprerë zgjedhore dhe një periudhe të gjatë konfrontimesh politike. "Ne jemi vetëm në fillim të lojës," tha Erden.

Erdogani la të kuptohet se pas zgjedhjeve do të veprojë me ashpërsi kundër ithtarëve të Gülenit. Vetëm disa ditë para zgjedhjeve komunale ai paraqiti një ankesë penale për shpifje kundër Bulent Kenes, kryeredaktorit të gazetës "Today'Zaman", të afërt me Gülenin. Ali Bulac, një intelektual udhëheqës në mesin e pasuesve të Gülenit, u citua me fjalët se larja e llogarive të Erdoganit me lëvizjen mund të fillojë në çdo moment.

Situata mbetet e tensionuar

Prandaj vëzhguesit nuk presin që gjendja në Turqi të qetësohet pas zgjedhjeve të së dielës. Lufta ndërmjet AKP dhe lëvizjes Gülen do të vazhdojë, tha për Deutsche Wellen politologu Murat Somer nga unviersiteti Koc i Stambollit. Somer pret tensione të reja, të shkaktuara edhe nga konfrontimi ndërmjet Erdoganit dhe Gülenit. "Kryeministri Erdogan do të vazhdojë ndoshta politikën e tij të përhershme autoritare, duke shfuqizuar shtetin ligjor dhe duke penguar shoqërinë e lirë", tha ai.