1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Erdogan do të shfrytëzojë mediet sociale për përmirësim imazhi

Të 6000 vullnetarët do të përmirësojnë imazhin negativ të AKP-së në internet. Ata do të përhapin në Twitter dhe Facebook mesazhe proqeveritare. Kritikët dhe kundërshtarët nuk janë të befasuar.

"Është një bela e madhe, që e ka emrin Twitter. Atje përhapen gënjeshtrat dhe ekzagjerimet më të mëdha", shante kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan në qershor 2013 shërbimin e mesazheve të shkurtra, Twitter. Tani qeveria turke do të përfitojë vetë prej tij. Sipas mediave turke partia në pushtet AKP planifikon një projekt, për të përmirësuar imazhin e partisë në internet.

6000 vullnetarë duhet të përhapin në rrjetet sociale pozicionet politike të AKP-së . Sipas gazetës turke Hürriyet në më shumë se 900 rrethe do të vendosen "përfaqësues për rrjetet sociale": rreth 1000 në Stamboll, 600 në kryeqytetin Ankara dhe 400 në Izmir.

Sulmi është mbrojtja më e mirë

Prej muajsh media sociale shfrytëzohet nga opozitarët turq. Çdo ditë demonstruesit organizoheshin përmes Facebook-ut dhe Twitter-it, për të koordinuar protestat kundër qeverisë në qytete të ndryshme të Turqisë. Një thirrje e vetme në Twitter mjaftonte, që qindra mijëra qytetarë të pakënaqur të demonstronin kundër stilit autoritar të Erdoganit. Interneti u bë forum për thirrjet e urrejtjes kundër qeverisë turke.

Demonstratat u organizuan me Facebook dhe Twitter

Demonstratat u organizuan me Facebook dhe Twitter

Ata duhen luftuar me armët e tyre, kështu mendoi së paku kryetari i bashkisë së Ankarasë, Melih Gëkcek. Ai ishte përdoruesi më aktiv i Twitter-it në AKP, i cili gjatë protestave luftonte kundër vërshimit të parullave anti-AKP dhe dërgonte sharje dhe kërcënime. Në intervale minutash ai mbronte qeverinë dhe sulmonte ashpër kritikët e saj. Kështu ai e quajti reporteren e BBC-së Selin Girit "spiune" dhe kërcënoi aktorin turk Mehmet Ali Alabora: se "shteti" ka për ta kapur.

Taktika të tjera të rezistencës ishin arrestimi i përdoruesve të pakëndshëm të Twitter-it në banesat e tyre. Hetuesit e policisë i ndjekin dhe kërkojnë mesazhet inkriminuese.

Media sociale platformë për propagandë

"Mediet sociale kanë qenë aq të suksesshme gjatë lëvizjes së protestave, saqë nuk u përdorën më mediat e pavarura. Kjo ishte shumë dëshpëruese për qeverinë turke", thotë politologu dhe sociologu Yasar Adanali. Masmediat janë nën kontrollin e qeverisë turke, kjo dukej qartë gjatë protestave, thekson Adanali. "Mediat vitet e fundit kanë qenë të ndikuara gjithnjë e më fort nga lidhjet me ekonominë. Por media sociale, mikroblogging në Facebook dhe Twitter, nuk mund të kontrollohen aq kollaj", thotë sociologu.

Adanali: Gjatë protestave media sociale pati shumë sukses.

Adanali: "Gjatë protestave media sociale pati shumë sukses."

AKP e ka kuptuar nga suksesi i mediave sociale, se dominimi i saj i fortë mund të thyhet nga një opozitë e decentralizuar dhe nga përdorimi i mediave sociale prej saj, thotë Adanali. Ndalimi i twitter-it, apo facebook-ut nuk është një opsion për qeverinë, sepse imazhi i saj tani gjithsesi është si anti-demokratik, thotë Adanali. "Ajo e ka kuptuar se zgjidhja e vetme është, të bëhesh vetë aktiv", thotë politologu.

Kështu është edhe në lidhje me zgjedhjet e ardhshme komunale, presidenciale dhe parlamentare. "Media sociale përbën një kërcënim, për arsye se ajo mund të ndikojë pikërisht tek ata, që nuk janë të sigurt në vendimin e tyre", thotë Adanali. AKP do të jetë e sigurtë se nga ana e saj bëhet propaganda e duhur, prandaj angazhon 6000 vullnetarë, thotë politologu. "Një projekt i tillë realizohet me një sasi të madhe parash dhe me siguri në bashkëpunim me disa frima. Ndoshta qeveria ngarkon një firmë për marrëdhëniet publike. Punonjësit mund të jenë edhe nga radhët e të rinjve të AKP-së", thotë Adanali. "Në Twitter mund të blesh për 20 euro 10.000 pasues. Qeveria kështu mund të paraqitet më aktive dhe të dominojë në tema të ndryshme", thotë Adanali.

"Media sociale është e pashmangshme për politikanët e sotëm"

Qeveria pëpiqet të shfrytëzojë për vete rrjetet sociale

Qeveria pëpiqet të shfrytëzojë për vete rrjetet sociale

Ndër përdoruesit më aktivë të Twitterit është platforma e solidaritetit Taksim. Ajo deri sot ka një rol udhëheqës, si organizator i demonstratave masive përmes mediave sociale. Një prej anëtarëve me të fortë, Dhoma e Arkitektëve, është një nga kritikët më të mëdhenj të planeve për parkun Gezi. Plani i diskutueshëm i ndërtimit ishte shkaku i lëvizjes së protestës. Arkitekti dhe zëdhënësi i platformës së Solidaritetit Taksim, Tayfun Kahraman, sheh në fushatën e re të AKP diçka krejt normale.

"Politikanët turq e kanë kuptuar rëndësinë e mediave sociale. Në vitet e fundit ata janë bërë mediumi më i madh i komunikimit. Mediat sociale ndiqen më shumë se shtypi, apo televizioni. Fuqia e mediave sociale është treguar veçanërisht gjatë protestave në parkun Gezi", thotë Kahraman në bisedë me DW. Qeveria turke nuk mund ta ndalojë përdorimin e medias sociale në një demokraci, kështu që ka vendosur të kundërsulmojë, thotë arkitekti.

Mediat sociale nuk janë të rëndësishme vetëm për aktivistët dhe protestuesit, por për të gjithë politikanët e sotëm, jo vetëm për Erdoganin", thotë Kahraman. Presidenti amerikan Obama e ka bërë fushatën e tij gati vetëm përmes internetit, thotë arkitekti. "Unë mendoj se një proces i ngjashëm po ravijëzohet edhe tek ne në Turqi." Edhe platforma e solidaritetit Taksim do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë efektive në rrjetet sociale, shton arkitekti Kahraman.