1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erasmus - viktimë e suksesit të vet

Jannis Papadimitriou / Bahri Cani26 Tetor 2012

Parlamenti Evropian paralajmëron nga shkurtimet. Sipas të dhënave të Komisionit të BE-së, në buxhetin e programit Erasmus mungojnë edhe 90 milionë euro për këtë vit.

https://p.dw.com/p/16Xa2
Pamje simbolike: studente e programit Erasmus
Fotografi: lightpoet/Fotolia

Me më pak fjalë: tani nuk dihet fare nëse edhe vitin e ardhshëm shkollor do të vazhdojë programi Erasmus për shkëmbimin e studentëve. Në këtë mënyrë programi do të ishte viktimë e suksesit të tij. 99 % e mjeteve financiare janë shpenzuar deri në tetor, sepse programi është bërë shumë atraktiv për studentët. Por tani shumë vende hezitojnë të vazhdojnë financimin e tij.

Grindjet për para

Por a thua nuk është dashur që vendimi për financimin të merret më parë? Kryetarja e Komisionit për Kulturë në Parlamentin Evropian Doris Pack (CDU) pohon: "Nuk bëhet fjalë për një dakordim, sepse ne duhet të mundësojnë vazhdimin e studimeve dhe të ndajmë paratë e premtuara". Sipas saj, duhet të ndahen paratë që janë premtuar para pesë vitesh - as më pak dhe as më shumë.

Në Evropë tani ka grindje të shumta rreth parave. Jo vetëm për paratë për shkollim por edhe për buxhetin për vitin 2013 dhe para së gjithash për planet e buxheteve për periudhën prej vitit 2014 - 2020. Eurodeputetët si zëdhënësja për politikën buxhetore, ekologjistja Helga Trüpel, janë të mendimit se duhet kursyer. Por duhet kursyer në vendet e duhura - si për shembull, tek subvencionet për duhan dhe jo në programet si ai Erasmus.

Ministri për Çështjet Evropiane nga Qiproja Andreas Mavroyannis ka premtuar një zgjidhje të shpejtë, ndonëse nuk mund të flas për afatet.

"Programet afatgjate arsimore, duke përfshirë dhe atë Erasmus, janë shumë të suksesshme. Pra duhet të jeni të sigurt se do të vazhdojë financimi i tyre dhe se programet univesitare për vitin 2012-2013 nuk janë të cënuara", pohon Mavrogiannis.

Projekt evropian

Humanisti dhe teologu holandez Erasmus von Rotterdam
Humanisti dhe teologu holandez Erasmus von RotterdamFotografi: dpa

Programi Erasmus u ofron të rinjve nga mbarë Evropa në 25 vitet e fundit mundësinë që një pjesë të studimeve ta kryejnë në një vend tjetër evropian. Këtë mundësi kanë shfrytëzuar më shumë se 30.000 gjermanë gjatë vitit shkollor 2010-2011. Erasmus është për Evropën një sinonim i politikës së suksesit, thonë eurodeputetët në Strasburg. Natyrisht që ata e dinë se studentët që shkojnë në ndonjë vend tjetër nuk merren tërë kohën vetëm me studime por gjejnë kohë edhe për të vizituar vlerat kulturore. Por ky është edhe qëllimi, sepse studentët duhet të njihen me kulturat dhe vendet e tjera, thotë eurodeputetja dhe profesorja greke Chryssoula Paliadelli.

"Vetëm me shkëmbimin e mendimeve mund të ndryshojë mendimi që kemi për të tjerët dhe të njoftohemi më mirë. Këtë e di nga përvoja ime personale, sepse në Universtitetin e Selanikut kam pasur studentë të huaj të cilët në fund të qëndrimit i kanë ndryshur për të mirë mendimet për Greqinë", pohon ajo. Programi Erasmus ofron mundësi për integrime evropiane dhe zbutjen e kontratiktave. Vet mundësia e ndryshimit të mendimit për njëri-tjetrin është një vlerë shumë e lartë, ndërkohë që programi ofron edhe mundësi për përforcimin e nohurive të gjuhëve, mendon profesorja nga Selaniku.

Ide të reja për programin Erasmus

Eurodeputetja Doris Pack
Eurodeputetja Doris PackFotografi: DW

Nga buxheti i këtij programi financohen ndërlidhjet mes universiteteve evropiane dhe stipendistët që duan të shkojnë në ndonjë vend tjetër. Një student i këtij programi merr mesatarisht 200 euro në muaj, që nuk janë shumë, mendon Doris Pack. E megjithatë suksesi ka qenë i madh.

"Me këtë program nuk është fare e mundur të vazhdohet, sepse ne kemi caktuar 200 euro, që me të vërtetë janë pak. Kjo do të thotë se Erasmus nuk i dedikohet të gjithë studentëve, sepse në programin e shkëmbimit shkojnë vetëm ata të cilët kanë edhe ndonjë mundësi tjetër financimi ose ata që kanë punuar më parë dhe kanë siguruar paratë e duhura", ankohet Pack.

Parlamenti nuk ka qenë dakord kurrë me këtë ndaj shpesh është menduar për mundësitë e tjera. Një prej tyre është programi për financimin e studimeve master në një vend tjetër me kushte të pranueshme, thotë Doris Pack.