1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Enver Hoxhaj: Vizitë historike në Beograd

Në Beograd po zhvillohet konferenca rajonale me pjesëmarrjen e minstrave të jashtëm dhe të ekonomisë të vendeve të rajonit. Të pranishëm janë edhe delegacionet e Kosovës dhe Shqipërisë.

Takimi rajonal në Beograd (23.10)u hap nga ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq dhe komisioneri për zgjerimin e Bashkimit Evropian Stefan Füle. Konferenca ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit rajonal në fushën diplomatike dhe ekonomike. Për herë të parë në një konferencë rajonale të këtij lloji Kosova prezantohet në Beograd në nivelin e ministrit të Jashtëm. Ministri Enver Hoxhaj e cilëson qëndrimin e tij në Beograd si një vizitë historike. "Pjesëmarrja ime si një ministër i Jashtëm në një konferencë rajonale në Beograd, është historike, sepse është vizita e parë e këtij niveli në Serbi.", thekson Hoxhaj për DW. I pyetuar mbi qëndrimet e palës kosovare në këtë konferencë, Hoxhaj thekson se ai ka prezantuar në Beograd tre hapat që duhet ndërmarrë në rrugën drejt normalizimit të plotë të raporteve me Serbinë.

"Dialogu në Bruksel ka sjellë shumë rezultate pozitive. Faza e dytë duhet të sjellë afrim dhe çtensionimin e raporteve. Ndërkohë që faza e tretë duhet të rezultojë me njohjen e Kosovës nga Serbia si shtet i pavarur".

I pyetur nga DW, se si i kanë pritur këto ide pjesmëarrësit e tjerë në këtë konferencë, Hoxhaj tha se tani ka ardhur koha kur të gjitha vendet që nuk e kanë njohur Kosovën të reflektojnë: "Kjo sepse pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm. Njohjet e Kosovës si shtet po vazhdojnë, dhe ky proces duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës si shtet edhe nga Serbia. Kjo duhet të rezultojë me një marrëveshje përfundimtare paqësore mes vendeve tona, sepse pa njohjen e Kosovës nuk mund të ketë normalizim të plotë të raporteve jo vetëm në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por as në rajon dhe më gjerë", theksoi ai.

Ministri i Jashtëm Hoxhaj, thekson se Kosova është e gatshme që "në një periudhë kohore prej tre deri në pesë vite të zgjidhë të gjitha problemet e hapura me Serbinë". Ndaj dialogu, sipas tij, duhet të ketë një agjendë shumë të qartë dhe duhet të përfundojë me nënshkrimin e një marrëveshje paqeje, e cila nënkupton njohje, anëtarësim të Kosovës në OKB dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare, si dhe me fillimin e procesit të pajtimit mes popujve tanë.

"Popujt tanë duhet të fillojnë një proces pajtimi"

Në pyetjen nëse incidentet e fundit në ndeshjen Serbi-Shqoipëri si dhe shtyrja e vizitës së kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd, kanë influencuar edhe konferencën e sotme, ministra Hoxhaj tha se ai mendon që politika në Ballkan nuk duhet të udhëhiqet nga ngjarjet që ndodhin në periferi. Kryeministri Rama dhe Vuçiq kanë telefonuar dhe e kanë caktuar kohën e vizitës dhe sipas ministrit Hoxhaj: "Migjithatë ndeshja e futbollit dëshmon se sa fraxhile është gjendja në rajon dhe sa i rëndësishëm është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Por dëshmon edhe diçka tjetër: duhet të ketë normalizimim të marrëdhënieve mes vendeve tona. Thirrjet e dëgjuara kundër shqiptarëve në Beograd tregojnë qartë se popujt tanë duhet të fillojnë një proces pajtimi, me qëllim që akte të tilla të mos përsëriten edhe në të ardhmen. Ndonëse vitet e fundit ne kemi bërë progres i cili duhet të vazhdohet", theksoi Hoxhaj.