1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Enver Hoxhaj: Serbia mban përgjegjësinë për zhvillimet e fundit - Qeveria e Kosovës nuk do të lëvizë asnjë milimetër

Në intervistë ekskluzive për DW ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj thotë, se përgjegjësinë për zhvillimet e fundit e mban Serbia. Këtu kemi të bëjmë me axhendën serbe për ndarjen e Kosovës.

Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj

DW: Presidenti i Serbisë Boris Tadiq dhe parlamenti serb pohojnë se Beogradi nuk e mban përgjegjësinë për zhvillimet e fundit në Kosovë. Ata akuzuan institucionet e Kosovës për shkallëzimin më të ri të gjendjes. Si i vlerësoni ju këto pohime?

Hoxhaj: Zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës në asnjë formë nuk duhet të shihen vetëm nga pikëpamja e djegies së një pike kufitare, ndërhyrja e KFOR-it apo përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të vendosur ligjin dhe rendin edhe në këtë pjesë të vendit. Për të gjitha këto zhvillime, si dhe për sulmet që kanë ndodhur ndaj pjesëtarëve të KFOR-it nga pjesëtarë të strukturave shtetërore serbe, përgjegjësinë e mban pa dyshim Serbia. Pas të gjitha këtyre zhvillimeve qëndron qeveria e Serbisë. Ajo që po ndodh nuk duhet shikuar si një akt i izoluar, por është një axhendë e promovuar në qarqet politike, diplomatike dhe në mediat perëndimore, për ndarjen e territorit të Republikës së Kosovës. Këtë axhendë e ka promovuar edhe vetë presidenti Tadiq gjatë këtij viti.

DW: Cilat janë argumentet tuaja për pohimin se axhenda e Serbisë në këtë moment është ndarja e Kosovës?

Hoxhaj: Qëllimi i Serbisë është që fillimisht ta destabilizojë gjendjen në veri të Kosovës. Serbia gjatë këtyre 12 viteve të fundit ka investuar mjete shumë të mëdha financiare në strukturat serbe të krijuara në veri të Kosovës. Qëllimi ishte të krijojë atje një situatë të konfliktit të ngrirë dhe një ambient për ndarjen e Kosovës. Gjatë këtij viti presidenti Tadiq, minsitrat e qeverisë serbe dhe shumë zyrtarë serbë, në të gjitha takimet e mundshme, kanë ngritur mundësinë e ndarjes së Kosovës. Axhenda e Serbisë për ndarjen e Republikës së Kosovës përmban tri faza: faza e parë nënkupton agresion brenda Kosovës; faza e dytë, okuptim të territorit të Kosovës dhe e treta ndarje dhe integrim të një pjese të Kosovës me Serbinë. Prandaj është detyrë e qeverisë kosovare që të mbrojë çdo pjesë dhe cep të territorit tonë dhe të ndërtojë shoqëri multietnike, sipas pakos së Ahtisarit.

DW: Në KS të OKB ka pasur debate këto ditë për gjendjen në Kosovë. Ju keni pasur takime edhe me sekretarin e përgjithshëm të OKB, Ban Ki Moon dhe autoritete të tjera të OKB-së. Cili është qëndrimi dominues i bashkësisë ndërkombëtare ndaj zhvillimeve të fundit?

Hoxhaj: Qëndrimi dominues i bashkësisë ndërkombëtare është që paqja dhe siguria në Kosovë janë vendimtare edhe për rajonin e jo vetëm për Kosovën. Të gjitha vendet anëtare të KS, jo vetëm ato që e kanë njohur pavarësinë, e mbështesin progresin e arritur, paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Po ashtu shtetet dhe diplomatët më relevantë perëndimorë e kuptojnë qëndrimin e qeverisë së Kosvoës që të vendoset rendi dhe ligji dhe që Kosova ta ketë një zonë të përbashkët doganore. Gjatë ditëve të fundit kam informuar kryesuesin e KS të OKB, ambasadorin gjerman Wittig si dhe sekretarin e përgjithshëm të OKB, Ban Ki Moon, për gjendjen në Kosovë, përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të stabilizuar vendin dhe për të vendosur rendin dhe ligjin. Por i kam informuar edhe me axhendën e hapur të Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe të Bosnjë-Hercegovinës.

DW: Cili ishte qëndrimi i tyre ndaj kësaj axhende?

Hoxhaj: Qëndrimi i tyre është që çështja e kufijve dhe integritetit territorial në Ballkan është një çëshjte e mbyllur. Ballkani duhet të punojë drejt një ardhmërie evropiane. Të gjitha qeveritë duhet të punojnë drejt modernizimit dhe reformimit të vendeve të tyre. Ato nuk duhet t'u kthehen axhendave të viteve 90-të që kanë pasur pasoja fatale për popujt dhe njësitë e ish-Jugosllavisë.

DW: Sa reale janë pritjet për vazhdimin e dialogut në këto kushte, pasi edhe Serbia ka kushtëzuar këtë dialog me kthimin në Kosovë të gjendjes para ndërhyrjes së njësisë speciale kosovare në veri të vendit?

Hoxhaj: Është vendimtare që qeveria e Kosovës dialogun ta kuptojë si një instrument që na mundëson të adresojmë problemet e natyrës teknike mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi të përkushtuar për vazhdimin e dialogut. Javën e ardhshme do të ketë një vizitë të zotit Cooper në Prishtinë. Do të shohim se cilat janë mesazhet e tij dhe më pas do të marrim vendim për vazhdimin e dialogut. Por pa dyshim ne jemi të përkushtuar të kontribuojmë për vendosjen paqës dhe stabilitetit. Ne nuk synojmë që t'ia kontrollojmë jetën askujt në Beograd dhe në asnjë formë nuk do të lejojmë që Beogradi të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës. Nga kjo qasje nuk do të lëvizim asnjë milimetër.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani