1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Enver Hoxhaj: Premtimi për liberalizim është shprehje e vendosmërisë

Diplomacia e Kosovës në këtë mandat ka pasur disa ngecje dhe dështime serioze - si liberalizimi i vizave apo anëtarësimit në UNESCO. Por sipas ministrit të Jashtëm edhe sukseset kanë qenë të mëdha.

Deutsche Welle: Zoti Hoxhaj, ngadalë po i vjen fundi edhe këtij mandati tuaj në postin e ministrit të Jashtëm ku me siguri që ka pasur edhe disa ngecje serioze. A i keni realizuar qëllimet kryesore me të cilat e keni nisur këtë mandat?

Enver Hoxhaj: Mendoj se qeveria aktuale nuk ka arritur të përmbushë disa prej qëllimeve më strategjike - ndër to edhe procesi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky proces ka dështuar deri tani më shumë për shkak të dështimeve në vendimmarrjen e brendshme, sesa nga zhvillimet diplomatike. Politika e jashtme është e kushtëzuar dhe e determinuar nga zhvillimet e brendshme të një vendi. Por në fushat e tjera ka pasur suksese të mëdha, siç janë njohjet e reja, anëtarësimi në disa organizata shumë të rëndësishme ndërkombëtare si dhe përparimet në procesin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim. Por duhet thënë që unë kam qenë shkurt në këtë mandat në postin e ministrit të Jashtëm.

DW: E vërtetë është që para jush në këtë post ka qenë gati gjysmën e mandatit Presidenti i tanishëm Thaçi, por përshtypja është që njohjet kanë ngecur ndërkohë që Kosova ka dështuar edhe me kërkesën për anëtarësimin në UNESCO. Mendoni që ky proces i njohjeve dhe anëtarësimit në UNESCO do të jetë më i suksesshëm pas zgjedhjeve - pavarësisht se kush fiton?

Enver Hoxhaj: Po besoj që Kosova këtë vit do të aplikojë dhe do të anëtarësohet në UNESCO. Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale që të sigurojmë numrin e duhur të votave, duhet të plotësojmë edhe disa kushte të brendshme, reformat dhe standardet në trashëgiminë kulturore. Prioriteti kryesor i diplomacisë kosovare është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. Ne tani kemi një qartësi të plotë se ku duhet të aplikojmë dhe ku vërtet mund të anëtarësohemi dhe kur duhet të aplikojmë. Përkundër fushatës elektorale, në politikën e jashtme duhet të jemi racionalë në sjelljen politike. Unë besoj që gjatë këtij viti do të aplikojmë për anëtarësim në disa agjenci të rëndësishme të OKB-së.

DW: Të ndalemi pak tek kjo që theksuat edhe ju "të mbetemi racionalë": sa serioze janë paralajmërimet për ndërprerjen e dialogut, rishikimin e Marrëveshjes së Brukselit, mosplotësimin e obligimeve të marra më parë? A mund të priten ndryshime serioze në diplomacinë e Kosovës, pavarsisht se kush fiton?

Enver Hoxhaj: Asnjë vend serioz nuk ndërton një politikë të jashtme e cila ndryshon brenda një kohe të caktuar. Kosova duhet të ruajë kredibilitetin, prestixhin dhe krenarinë e saj ndërkombëtare. Kjo mund të ruhet vetëm me kontinuitet dhe koherencë në politikën e jashtme. Kjo me siguri që do të ruhet, në koordinim dhe bashkëpunim me partnerët tanë më të rëndësishëm ndërkombëtarë.

DW: Cilat janë obligimet kryesore, të cilat e presin Kosovën në mandatin e ardhshëm?

Enver Hoxhaj: Ne presim që në këtë mandat të marrim statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo do të ndodhë në vitin 2018. Kemi shpresuar se do të kandidojmë edhe në vitin 2017, por kjo është e pamundur për shkak të zgjedhjeve të parakohshme. Ne duhet t'i bëjmë reformat e brendshme, të marrim pyetësorin ku duhet të përgjigjemi në rreth 3.000 pyetje me rreth 8.000 faqe material. Në momentin kur të kandidojmë, hapet dilema se çfarë do të ndodhë me pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Marrja e statusit të kandidatit kërkon mbështetjen e të gjitha vendeve. Ne do të përpiqemi që këtë kërkesë, krahas dialogut me Serbinë, ta shfrytëzojmë si mjet për presion ndaj tyre, me qëllim që edhe këto vende t'a njohin Kosovën. Por njohja ndërkombëtare mbetet edhe më tej një prej prioriteteve kryesore. Në mandatin e ardhshëm presim që të sigurojmë njohjen e 2/3 të vendeve anëtare të OKB, që do të na hapte rrugë për aplikim dhe anëtarësim edhe në shumë organizata dhe agjensi të tjera ndërkombëtare. Një prioritet tjetër do të jetë edhe diplomacia ekonomike e Kosovës dhe qyteteve...

DW: Mirë, këto janë obligime të shumta dhe mbetet të shihet nëse ato do të realizohen, por t'i kthehemi edhe njëherë "politikës racionale". Sa reale janë premtimet e kandidatit tuaj për kryeministër, Ramush Haradinaj, se brenda tre muajsh do të bëhet liberalizimi i vizave edhe për shtetasit e Kosovës?

Enver Hoxhaj: Afati 90-ditor duhet të kuptohet si një vendosmëri dhe përkushtim i zotit Haradinaj, që në një afat sa më të shkurtër të mundshëm, qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza, që ne të plotësojmë një kusht bazik për këtë, siç është ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Unë në politikë të jashtme nuk mund të flas me ditë apo javë, me numra apo statistika. Por ka një vendosmëri të koalicionit parazgjedhor që këto gjëra të ndodhin në një afat sa më të shkurtër kohorë. Këtu duhet shtuar se një rol luajnë edhe zgjedhjet dhe koha e mbjatjes së tyre - sepse ato mbahen tani në qershor, ndërsa pushimet e verës zgjasin deri në fund të gushtit. Ma merr mendja se gjatë verës nuk do të ketë ndonjë vendimmarrje serioze.

DW: Dy partnerët më të rëndësishëm të Kosovës gjatë luftës dhe pas saj kanë qenë SHBA dhe Gjermania. Por prej ardhjes së Presidentit Trump në këtë post, raportet mes Berlinit dhe Uashingtonit janë ftohur. Sa do të ndikojë kjo në pozitën e Kosovës dhe a do të pozicionohet Kosova në këto mosmarrëveshje mes Gjermanisë, BE-s dhe SHBA-së?

Enver Hoxhaj: Kosova është një vend që ekziston duke i falënderuar SHBA-së - natyrisht krahas vullnetit të pathyeshëm të shtetasve të Kosovës për të qenë të lirë, të pavarur dhe sovran. Por Kosova ekziston edhe falë angazhimit të partnerëve evropianë dhe Gjermanisë. Globalisht Kosova e sheh SHBA-në si partnerin më të rëndësishëm. Amerika është partneri global i Kosovës. Ndërsa Berlini është adresa jonë kryesore evropiane. Unë besoj që këto janë vetëm shkëndija të vogla të momentit dhe se nuk do të ketë krizë në raportet mes SHBA-së dhe Gjermanisë apo BE-së. Raportet mes tyre janë çështje të brendshme në të cilat Kosova nuk do të përzihet.

DW: Në Berlin është paralajmëruar edhe një strategji e re për afrimin e mëtejshëm të Ballkanit me Bashkimin Evropian. Si e vlerësoni ju rolin e Gjermanisë në Ballkan, në veçanti pas tendosjeve të fundit serioze mes disa vendeve në këtë rajon?

Enver Hoxhaj: Roli gjerman në raport me Kosovën ka qenë vendimtar, sepse politika gjermane ka qenë shumë e qartë në vitin 1999, kur e ka mbështetur ndërhyrjen ushtarake për evitimin e katastrofës humanitare në Kosovë. Ushtarët gjermanë janë vendosur në mbrojtje të paqës dhe stabilitetit, në mbrojtje të qytetarëve që përballeshin me katastrofën humanitare. Më pas Gjermania ka qenë ndër të parat që e ka njohur dhe e ka mbështetur shtetin e Kosovës, e ka mbështetur forcimin e shtetit juridik, diplomacinë e Kosovës dhe krahas SHBA-së ka dhënë kontributin më të madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Gjermania dhe kancelarja Merkel e kanë mbështetur fuqishëm edhe dialogun me Serbinë dhe kanë vendosur që dialogut t'i jepet një drejtim i prerë: që Kosova dhe Serbia në fund të dialogut të arrijnë një marrëveshje obligative ligjore për raportet mes tyre. Ky tani është bërë edhe kusht i Bashkimit Evropian. Gjermania e ka mbështetur Kosovën në të gjitha fushat e jetës. Ndërsa me Procesin e Berlinit, Gjermania i ka dhënë një kuptim të ri edhe politikës evropiane. Por rajoni nuk mund të lëvizë dhe përparojë nëse mbetet status quo-ja e tanishme, sepse tani po ndërhynë edhe një faktor i tretë - jo perëndimor, jo libetral dhe jo demokratik. Ndaj Gjermania, Brukseli dhe SHBA duhet të kontribuojnë edhe më shumë që Ballkani të mbetet një zonë euroatlaktike dhe që Ballkani sa më parë të anëtarësohet në BE.

DW: Këto ditë do të vendoset zyrtarisht për vazhdimin e mandatit të ushtarëve gjermanë në Kosovë. Por ka dhe zëra që thonë se ushtria gjermane duhet të tërhiqet nga Kosova deri në fund të vitit 2018. Gjendja e sigurisë në Kosovë dhe rajon nuk është e mirë, ndaj shtrohet pyetja: si do të ndikonte tërheqja e ushtrisë së Kosovës nga Kosova?

Enver Hoxhaj: Ne jemi një vend që do të dëshironte prezencën e përhershme të ushtarëve të NATO-s, SHBA-së dhe Gjermanisë në Kosovë. Ne duam të kemi një ushtri që do të ishte partnere e miqve tranë euroatlantikë dhe një kusht bazik  ë Kosova të jetë anëtare e NATOS. Një vend nuk mund të jetë anëtar i NATO- s nëse nuk e ka ushtrinë, ministrinë e Mbrojtjes, mekanizma për mbrojtje. Në këtë drejtim ne e shohim edhe të ardhmen e forcave tona, që duhet të reformohen në marrëveshje ma partnerët strategjikë. Ne i jemi mirënjohës çdo ushtari gjermanë për kontributin e dhënë për stabilitetin, paqën dhe sigurinë në vendin tonë. kur do të tërhiqet Bundeswehri nuk mund të përgjigjem, sepse ky vendim i takon Gjermanisë. Ata janë të mirëseardhur që të qëndrojnë përherë në Kosovë. Por edhe ky fakt flet për përparimet që janë bërë në Kosovë në 17 vitet e fundit, sepse pas luftës këtu kemi pasur 50.000 ushtarë të NATO-s, ndërsa tani rreth 4.000. Ky është një paramentër me të cilin amerikanët, gjermanët dhe evropianët mund të krenohen me përparimet që janë bërë në Kosovë. Po të mos ishte kështu edhe tërheqja e mundshme e trupave gjermane do të ishte jashtë çdo imagjinate.