1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Enver Hoxhaj: Një kapitull i ri për Kosovën

Heqja e mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovë është një vendim historik për vendin tonë, pohon ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë pas takimit të zhvilluar në Vjenë.

Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj

Deutsche Welle: Zoti ministër, Grupi Drejtues Ndërkombëtar (GDN) i dha dje fund mbikqyrjes së pavarësisë në Kosovë, që do të thotë se ky vend nga shtatori do të ketë një sovranitet të plotë. Çfarë do të thotë konkretisht ky vendim?

Enver Hoxhaj: Dita e djeshme ishte një ditë historike për Kosovën. 25 vendet e GDN-së kanë vendosur që të heqin mbikqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Kjo është një mirënjohje shumë e madhe për punën e qytetarëve dhe qeverisë së Kosovës. Kjo dëshmon se në pesë vitet e fundit kemi bërë një punë shumë të mirë për ndërtimin e një Kosove multietnike dhe demokratike, për zbatimin e reformave të domosdoshme. Kosova është ndërtuar si shtet nga themelet, është transformuar dhe modernizuar brenda një periudhe të shkurtër - që është një sukses shumë i madh. Kjo është njohur dje edhe nga 25 vendet e GDN-së. Ky vendim hap një kapitull të ri në shtetformimin e Kosovës.

DW: A i ka plotësuar Kosova të gjitha kushtet për një pavarësi pa mbikqyrje, sepse kritikët tuaj thonë jo?

Enver Hoxhaj: Në pesë vitet e fundit ne kemi zbatuar pjesën më të madhe të Planit të Ahtisarit. Minoritetet janë integruar në pushtetin lokal dhe atë qendror si dhe në të gjitha institucionet e shtetit. Ky ka qenë edhe qëllimi i institucioneve tona. Ndryshe GDN-ja me siguri që nuk do të jepte dritën jeshile për pezullimin e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Njëkohësisht në pesë vitet e fundit kemi punuar shumë që Kosova të bëhet një anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare. Anëtarësimi i Kosovës në shumë institucione rajonale dhe ndërkombëtare me siguri që ka dhënë një kontribut të madh në arritjen e qëllimeve tona. Kjo është vlerësuar nga GDN-ja.

DW: Zoti ministër, një prej probleme më serioze për sovranitetin e shtetit të Kosovës mbetet veriu, ku isntitucionet e vendit ende nuk e kanë kontrollin e plotë. Si do të zgjidhet ky problem?

Enver Hoxhaj: Sa i përket veriut, qeveria jonë është pozicionuar shumë qartë: ne duam të fillojmë dialogun me qytetarët tanë serbë në veri të Kosovës. Dialogu duhet të jetë i natyrës interne. Në veri duhet të ndodhë ajo që kemi bërë në brendësi të Kosovës ku minoritetin serb është integruar në institucione. Unë jam i bindur se këtë mund ta bëjmë edhe në veri të Kosovës. Natyrisht që në veri në 12 vitet e fundit kemi pasur një situatë krejt tjetër, sepse Serbia ka bërë përpjekje që të kontrollojë këtë pjesë të Kosovës përmes forcave të saj policore, shërbimeve sekrete dhe grupave paramilitare. Ka ardhur koha e fundit që bashkësia ndërkobmëtare të shtojë presionin ndaj Beogradit për tërheqjen e policisë dhe këtyre grupeve paramilitare. Pas plotësimit të këtij kushti, do të jetë më lehtë që edhe tri komunat e veriut të Kosovës të integrohen në institucionet e vendit. Para dy muajve ne kemi marrë vendimin për hapjen e një zyre, e cila do të ndihmojë krijimin në veri të Mitrovicës të një komune dhe organizimin e zgjedhjeve atje. Në këtë mënyrë mund të mund të bëhet realitet edhe integrimi i saj me pjesët tjera të Kosovës.

DW: Zoti ministër, Beogradi ka kritikuar ashpër këtë vendim të GDN-së, me shpjegimin se serbët do të mbeten në duart e shqiptarëve. Në Beograd këto ditë do të krijohet edhe një qeveri e re me kryeministrin Ivica Daçiq. Si i shikoni ju këto zhvillime dhe çfarë domethënie kanë ato për raportet mes Kosovës dhe Serbisë?

Enver Hoxhaj: Është e qartë që në Serbi në maj ka pasur një ndryshim, një kthesë të madhe. Kjo është një kthesë më shumë drejt nacionalizmit të viteve 90-të, sesa vazhdimësi e proceseve demokratike. Prej 12 vitesh kemi besuar se Beogradi po lëvizë në rrugën demokratike dhe po shkon drejt Bashkimit Evropian. Kemi besuar se axhenda evropiane mbisundon politikën në Beograd dhe shoqërinë serbe. Ajo që ka ndodhur kohët e fundit në Serbi është një zhvillim i cili shqetëson jo vetëm Repulikën e Kosovës por edhe vendet tjera në rajon: Maqedoninë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kroacinë. Por ne besojmë se Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij do të pozicionohen shumë qartë ndaj Beogradit, me qëllim që Serbia të vazhdojë rrugën evropiane dhe që përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë të mos i kthehen rrugës së nacionalizmit të viteve 90-të. Në përgjithësi: zhvillimet e fundit në Beograd paraqesin një kthesë drejt nacionalizmit dhe kjo ka shkaktuar shqetësimin e shumë vendeve të rajonit.