1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Energjia nga qymyri pengon mbrojtjen e klimës

Thuajse gjysma e emisioneve të CO2 në botë vijnë nga djegia e qymyrit. Kjo mund të pengojë arritjen e objektivit për klimën. Ekspertët kërkojnë heqje dorë nga energjia e përftuar prej qymyrit.

Energjia nga qymyri është në rritje të fortë. Brenda dhjetë viteve të fundit konsumi është rritur me më shumë se 50 për qind, në mbi pesë miliardë tonë qymyr në vitin 2012, tregon një statistikë aktuale e kompanisë ndërkombëtare të energjisë BP.

Emisionet e grazrave u rritën në mbi 14,4 miliardë tonë dioksid karboni dhe janë kështu përgjegjëse për rreth gjysmën e gjithë sasisë së emisioneve të dioksidit të karbonit në gjithë botën. Në 2012 emisionet arritën nivelin rekord prej 31,6 miliardë tonë dioksid karboni.

Për Gerald Neubauer, ekspert për energjinë e qymyrit dhe mbrojtjen e klimës pranë Greenpeace, tendenca është "një zhvillim i shtrembër, tejet dramatik". Fundi i prodhimit të energjisë nga qymyri nuk duket në horizont. Përkundrazi: "Në gjithë botën janë në planifikim mbi një mijë centrale të reja", thekson Neubauer në intervistë me DW.

Forca shtytëse të përdorimit global të qymyrit janë para së gjithash Kina dhe India. Në këto vende konsumi është dyfishuar brenda dhjetë viteve të fundit. Rënie është shënuar në SHBA, ku është në rritje numri i atyre që kalojnë nga energjia e qymyrit tek ajo e gazit. Veç kësaj ligjet e rrepta amerikane për emisionet e centraleve të energjisë nga fosilet, e bëjnë gjithnjë e më të shtrenjtë prodhimin e rrymës nga fosilet.

Rritje e konsumit të qymyrit për shkakt të rënies së çmimit në Evropë

Me gjithë rritjen e madhe të energjive të ripërtëritshme, edhe ato të dëmshme për klimën nga qymyrguri dhe linjiti, po shtohen përsëri në disa vende të BE-së. Emetimi i dioksidit të karbonit si pasojë e prodhimit të tyre është bërë shkak për shqetësim, thotë kryeekonomisti i IEA-së, Fatih Birol. Sipas të dhënave të IEA-së emisionet e dioksidit të karbonit nga përftimi i energjisë prej këtyre burimeve u rritën në 2012 me 2,2 për qind në krahasim me një vit më parë, në Britaninë e Madhe madje me 4,5 për qind.

Arsyet për këtë rritje të fortë të rrymës nga qymyri, janë çmimet e ulëta për qymyr në tregun botëror dhe rënia e çmimeve për liçensat e emetimeve, çertifikatat e CO2 në Evropë. Nga 30 euro për një ton CO2 në vitin 2008, çmimet e çertifikatave ndërkohë janë më pak se 5 euro. Për koncernet e energjisë, energjia nga qymyri me centralet e vjetra energjitike është bërë rentabël. Centralet energjitike të gazit, të cilat në krahasim me ato të qymyrit emetojnë vetëm një të tretën e sasisë së dioksidit të karbonit për një kilovat rrymë, gjithnjë e më shpesh janë të mbyllura. Me një reformë të tregtisë me çertifikatat e emisioneve të CO2, BE kërkon tani të rrisë përsëri çmimet për ndotjen e klimës dhe të detyrojë kështu prodhimin e rrymës nga burime më të padëmshme për ambjentin.

Në kërkim të energjisë së pastër dhe të lirë

Mullinj ere në Schleswig-Holstein

Ekspertët: Energjia e ripërtëritshme alternativa e vetme për arritjen e objektivit të klimës

Ekspertët janë në një mendje se emetimet masive të CO2 nga djegia e qymyrit pengojnë arritjen e objektivit për klimën, për të kufizuar në maksimumi 2 gradë rritjen e temperaturës globale. Eksperti i Greenpeace Neubauer kërkon për këtë arsye një ndalim mbarëbotëror të ndërtimit të centraleve që prodhojnë energji nga fosilet dhe "në vend të kësaj të punohet me gjithë forcën për energjitë e ripërtëritshme dhe më shumë centrale me gaz, si teknologji kalimtare".

Mbështetje merr tendenca e energjive të ripërtëritshme nga rënia e fortë e çmimeve për centralet diellore dhe eolike. "Rryma nga burime të ripërtërishme kushton tani thuajse po aq sa ajo nga burime konvencionale", thotë në bisedë me DW, Peter Frank nga sipërmarrja konsulente "Prognos". Në një studim aktual ai ka krahasuar kostot e prodhimit të rrymës nga nëntë centrale në Gjermani dhe jug të Evropës.

Përballë sasisë së madhe të emisioneve të dioksidit të karbonit, Greenpeace kërkon fundin sa më të shpejtë të energjisë nga qymyri në të gjithë botën. Politika "duhet ta bëjë më të shtrenjtë rrymën nga qymyri, të dëmshme për klimën dhe të mbështesë zgjerimin e shpejtë të energjisë nga burime të ripërtëritshme", kërkon Neubauer. Nuk ka asnjë alternativë tjetër për t'u përballur me problemin e klimës, thotë eskperti.