1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140312 Asien Atomkraft

15 Mars 2011

Shtetet aziatike të brezit të zjarrit në Paqësor jetojnë vërtet mbi vullkan. Me rregullsi të frikshme rajoni tronditet. E megjithatë ngjarjet në Japoni ngjallin në këtë rajon më pak vëmendje se sa në Evropë dhe SHBA.

https://p.dw.com/p/10ZKo
Fotografi: DW

Hapësira aziatike në Paqësor është rajoni me rritjen më dinamike ekonomike në botë. Jo vetëm vendet industriale Japonia dhe Korea e Jugut, edhe vendet në ekspansion në rajon, kanë nevojë masive për energji. Përkatësisht e lartë është dendësia e centraleve bërthamore. Japonia, Kina, Koreja e Jugut ndodhen në krye të shfrytëzimit të energjisë bërthamore.

Kina zgjeron infrastrukturën bërthamore

Tianwan Atomkraftwerk in Lianyungang
Centrali atomik Tianvan në Lianyungang, në lindje të KinësFotografi: dpa/picture-alliance

Në të njëjtën kohë me katastrofën nukleare në Japoni, kongresi popullor në Kinë vendosi zgjerimin masiv të infrastrukturës së tij bërthamore. Ngjarjet në Japoni vetëm u përmendën. Zëvendësministri kinez i Mjedisit Zhang Lijun: "Kina do të nxjerrë mësime nga Japonia për planet e saj bërthamore. Por vendosmëria jonë dhe planet tona për zgjerimin e energjisë bërthamore nuk do të ndryshojnë."

28 centrale të reja bërthamore do të hyjnë në rrjet në Kinë katër vitet e ardhshme. Në popullsi nuk ndihet ndonjë lloj kundërshtimi për t'u përmendur ndaj këtyre planeve. Përkundrazi: në shumë forume kineze në internet ngjarjet në vendin e armikut të vjetër, Japoni, nuk janë komentuar pa dashakeqësi.

India kontrollon sigurinë e centraleve të saj bërthamore

Indien Atomkraftwerk in Kalpakkam bei Madras Kontrollraum
Dhomë kontrolli në centralin atomik Kalpakkam rreth 65 kilometer në jug të MadrasFotografi: AP

Krejt ndryshe reagimet në fuqinë e dytë aziatike në rajon, Indi. Presidenti Manmohan Singh u shpreh të hënën para parlamentit: „Agjencia e energjisë bërthamore dhe industria bërthamore kanë marrë udhëzim të kontrollojnë menjëherë të gjitha sistemet e sigurisë teknike të centraleve tona bërthamore, para së gjithash në një këndvështrimin: a mund të përballojnë ata katastrofa natyrore si cunamët dhe tërmetet.“

Në të gjithë reaktorët, nëse është e nevojshme duhen ndërmarrë masa përmirësuese, tha Singh, por parimisht strategjia nukleare nuk u vu në diskutim as nga presidenti i Indisë. Përkundrazi, agjencia indiane për energjinë bërthamore vuri në dukje se reaktori i Madras arriti të ndalej pa asnjë problem gjatë cunamit në 2004.

Koreja e Jugut planifikon ndërtimin e 14 reaktorëve të rinj

Iran Atomkraftwerk in Bushehr Reaktor
Reaktor në centralin atomik në Bushehr, IranFotografi: AP

Edhe Koreja e Jugut planifikon zgjerimin masiv të 20 centraleve ekzistuese bërthamore. 14 të rinj do të ndërtohen. Kundërshtim nuk ka thuajse fare. Indonezia, gjithashtu skenë e vazhdueshme e tërmeteve, cunamëne dhe shpërthimeve të vullkaneve, ende nuk ka centrale bërthamore. Por planet për to ekzistojnë prej një kohe të gjatë. Ato mund të lihen tani për më vonë për shkak të krizës në Japoni, pasi edhe më parë ka pasur qëndresë popullore kundër planeve për ndërtimin e një reaktori në mës të Javës, me dendësi të lartë popullsie.

Teknologjia e përzier e centraleve në Iran bart rreziqe

Një pozicion krejt të veçantë merr Irani, gjithashtu një rajon i kërcënuar nga tërmetet. Centralet bërthamore iraniane dyshohet se përdoren për pasurimin e uraniumit për bomba bërthamore. Sa i përket sigurisë teknike ata janë të pajisur shumë më keq se sa centralet japoneze, mendon Dr. Behrouz Bayat, këshilltar i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore: „Centralet bërthamore iraniane pa dyshim nuk mund të krahasohen me centralet japoneze, sa i takon sigurisë dhe cilësisë. Centralet bërthamore iraniane bazohen në një teknologji të përzier, gjermane dhe nga vende të tjera. Një teknologji e tillë bart shumë rreziqe“

Autor: Sybille Golte/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica