1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

ENEMO vëzhgon zgjedhjet në Kosovë

Bekim Shehu8 Tetor 2013

Organizata ndërkombëtare ENEMO, e njohur për vëzhgimin e zgjedhjeve, do të mbulojë të gjithë teritorin e Kosovës. Edhe Bashkimi Evropian në ditën e zgjedhjeve do të dërgojë në Kosovë mbi 100 vezhgues.

https://p.dw.com/p/19wDF
Zllato Vujoviq nga ENEMO para gazetarëve në PrishtinëFotografi: DW/B. Shehu

Organizata ndërkombëtare ENEMO, filloi misionin për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të tre nentorit në Kosovë. Kjo organizatë ka monitoruar më herët dy palë zgjedhje në Kosovë. Udhëheqësi i kësaj organizate Zllato Vujoviq, tha se “ENEMO aplikon standardet ndërkombëtare për vëzhgimin ndërkombëtar të zgjedhjeve”. Ekipet vëzhguese të kësaj organizate janë vendosur në gjashtë rajone të Kosovës, Prishtinë, Pejë, Gjilan, Ferizaj, Prizren dhe Mitrovicë. “Vëzhguesit e ENEMO-së do të vëzhgojnë dhe vlerësojnë implementimin brenda kornizës ligjore të aspekteve vijuese të procesit të zgjedhjeve, siç janë, puna e administratës zgjedhore, aktivitetet parazgjedhore, fushatat, votimi, numërimi i votave dhe shpallja e rezultateve si dhe menaxhimi i procedurave të ankesave dhe parashtresave”, tha Zllato Vujoviq në një takim me gazetarë.

Sipas tij, gjatë periudhës së zgjedhjeve, ENEMO planifikon të lëshojë tri raporte. Dy raporte preliminare do të lëshohen pas ditës së zgjedhjeve nga secili raund i zgjedhjeve, ndërsa raporti përfundimtar do të publikohet pas përfundimit të procesit zgjedhor. Zllato Vujoviq tha se prioritetet kryesore të ENEMO-së janë “objektiviteti, neutraliteti dhe besueshmëria e të dhënave të mbledhura nga vëzhguesit e vet, që kërkohen nga përgjegjësitë e ENEMO-s brenda dokumenteve themelore të rrjetit”.

ENEMO është një grup që përbëhet nga 22 organizata civile, nga 17 shtete të ish Bashkimit Sovjetik dhe Evropës Qendrore dhe Lindore. Këto organizata jo politike janë, grupet udhëheqëse të monitorimit të zgjedhjeve vendore në vendet e tyre. Në total organizatat anëtare të ENEMO-s kanë vëzhguar 200 palë zgjedhje kombëtare në vendet e tyre dhe më shumë se 100 procese zgjedhore jashtë vendit të tyre si dhe kanë trajnuar rreth 200 000 mijë monitorues të zgjedhjeve. ENEMO ka vëzhguar Zgjedhjet Lokale të vitit 2009 dhe Zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2010 në Kosovë.

Flagge Kosovo und EU
Foto simbolike BE -KosovëFotografi: DW/A. Beqiraj

Për zgjedhjet lokale të tre nëntorit në Kosovë që për herë të parë organizohen edhe në veri të Kosovës do të ketë edhe mbi 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian. Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, ka thënë se “zgjedhjet lokale të tre nëntorit janë të veçanta, pasi që BE do t'i dërgojë mbi 100 vëzhgues, me qëllim që të ketë zgjedhje të drejta dhe të ndershme dhe të mos përsëriten mashtrimet dhe gabimet, të cilat kanë ndodhur më pare”. Bashkimi Evropian për herë të parë i vëzhgon zgjedhjet lokale të tre nëntorit në Kosovë.