1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ende pa normalitet

Pak ditë pas përfundimit të tërheqjes së trupave amerikane nga qytetet dhe fshatrat irakiane, kryeministri al-Maliki shkon sot (21.7.) për në Uashington. Pa ndihmën nga jashtë Iraku nuk do të mund t'i zgjidhë problemet.

Makine e blinduar ne Irak

Edhe pse aktet e dhunës shënojnë aktualisht pikën më të ulët të gjashtë viteve të fundit, gjendja e sigurisë në Irak s'është e sigurt.

Kryeministri Nuri al-Maliki do të takohet të mërkurën (22.7.) për bisedime politike me presidentin e SHBA-së Barack Obama. Në sfondin e atentateve të rënda të ditëve të fundit në Irak, të dy politikanët pritet të flasin edhe për stabilizimin e vendit.

Rreth pesë milionë pelegrinë shiitë vlerësohet të kenë shkuar në Bagdad javën e kaluar për të marrë pjesë në festimet për Musa al-Kadimin, pasuesin e 7-të të Profetit. Me kënaqësi thuhet edhe se kjo ishte festa më e qetë e këtij lloji në vitet e fundit: vite më parë gjatë një paniku masiv humbën jetën rreth 1.000 vetë. Këtë herë numri i viktimave në disa incidente të vogla ishte vetëm tre. E gjitha kjo megjithëse, ose pikërisht për arsye se përgjegjësia për sigurinë në vend, është plotësisht në duart e irakianëve, që prej tërheqjes së trupave të SHBA-së nga qytetet e Irakut, në fund të muajit të kaluar.

Iraku ka nevoja shumë të mëdha për të rikuperuar

A ka hyrë Iraku në rrugën e normalitetit? Të mbështetur nga shembuj si ky, zëdhënësit zyrtarë në Bagdad shprehen optimistë. Por rruga do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Megjithëse kurba e statistikave për aktet e dhunës shënon aktualisht pikën më të ulët të gjashtë viteve të fundit, nuk ka asnjë siguri se kjo do të vazhdojë. Kështu, që tani ka diferenca në qëndrim mes qeverisë irakiane dhe SHBA-së, lidhur me kompetencat e trupave amerikane që gjenden ende në Irak. Bagdadi ngul këmbë në të drejtën e tij për t'iu drejtuar trupave amerikane vetëm në raste emergjente, ndërkohë që ushtria e SHBA-së e sheh këtë si një cënim të kompetencave të saj.

Vetëdija irakiane është zgjuar edhe në fushën e energjisë: gjatë një ankandi për të drejtat mbi naftën, koncernet ndërkombëtare mësuan se Iraku nuk u ofronte pjesëmarrje në kapital, por vetëm një çmim të përcaktuar për fuçi. E gjitha kjo megjithëse nxjerrja e naftës në Irak është sot nën nivelin e vitit 2003 dhe nevojitet urgjentisht angazhimi ndërkombëtar.

Korrupsioni problem gjigand

Në fushat e tjera pamja nuk është më ndryshe. Nevoja e Irakut për të rikuperuar është shumë e madhe: furnizmi i vendit me energji është vetëm 50 për qind e nevojës së përllogaritur, vetëm 32 për qind e popullsisë ka ujë të pijshëm dhe vetëm 19 për qind sistem kanalizimi. Sëmundjet vazhdojnë të jenë të paraprogramuara dhe përkujdesja mjeksore lë mjaft për të dëshëruar.

Kush mendon se vendi i tretë në botë për nga rezervat e naftës duhej të ishte në gjendje t'i kapërcente me lehtësi të tilla probleme, harron një tjetër të keqe që rëndon edhe më tej mbi Irak: korrupsionin. Në raportin e tij të fundit Komisioni irakian Antikorrupsion flet për dëme në shuma miliardëshe. Prej korrupsionit janë të prekur thuajse të gjithë sektorët. Për këtë arsye ekspertët dyshojnë se Iraku mund t'ia dalë mbanë ta përballojë këtë situatë me forcat e veta. Të veprosh kundër korrupsionit do të thotë edhe të përballesh me grupe të fuqishme. Por ai që ka pushtet vazhdon të ketë edhe armë, të cilat në rast nevoje është i gatshëm t'i përdorë me të gjitha pasojat mbi situatën e përgjithshme të sigurisë dhe bashkëjetesën e vështirë mes grupeve të ndryshme të popullsisë në Irak.

Vërtet vendi ka filluar të hapet dhe po përpiqet të kompensojë neglizhimet e viteve apo dekadave të fundit. Por ai pjesërisht pengon vetveten dhe është ende shumë larg nga një "el dorado" për të cilën ëndërrojnë disa.

Autor: Peter Philipp
Redaktor: Eliana Xhani

  • Data 21.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ItnY
  • Data 21.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ItnY