1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ende ka dallime mes Lindjes e Perëndimit të Gjermanisë

Një studim i kryer me rastin e 25 vjetorit të ribashkimit të Gjermanisë konstaton dallime mes lindjes e perëndimit të Gjermanisë. S'është ndonjë surprizë e madhe e as arsye për t'u shqetësuar, mendon Rupert Wiederwald.

25 vjet ribashkimi janë një histori suksesi. Së paku kur e shikon Gjermaninë nga jashtë. Asnjë vend tjetër i ish-bllokut të Lindjes, pjesë e të cilit ishte edhe RDGJ-ja (Republika Demokratike e Gjermanisë), nuk ka përparuar më shumë në 25 vitet e fundit, nuk e ka përmirësuar më fort standardin e jetesës dhe fuqinë ekonomike sa kjo pjesë e Gjermanisë, e cila cilësohet shpesh si "Lindje".

Dhe megjithatë ato janë aty: problemet dhe në rradhë të parë pakënaqësia. Më shumë se gjysma e të gjithë gjermanëve sheh akoma më shumë dallime se sa të përbashkëta ndërmjet gjermanolindorëve dhe gjermanoperëndimorëve. Një këndvështrim që është i përhapur sidomos në lindje.

Ishin qytetarët e RDGj-së ato, të cilëve iu desh të orientoheshin me strukturat, që ndryshuan si të thuash brenda natës. Në vend të „socializmit ekzistues real“ u vendos një sistem krejtësisht i ri. Ndërsa perëndimi ndryshoi pak, gati dy milionë njerëz u larguan nga landet gjermanolindore. Një zhvillim pasojat e të cilit janë ende sot të dukshme: qytetet gjermanolindore, të restauruara bukur, janë çuditërisht të pajetë, firmat nuk gjejnë punonjës të rinj, fshatra të tërë kanë mbetur pa banorë.

Pjesa lindore me dy të tretat

Rupert Wiederwald

Rupert Wiederwald

Pjesë të mëdha të ekonomisë së RDGJ-së thjesht u zhdukën në fillim të viteve nëntëdhjetë, sepse ndërmarrjet falimentuan. Me to u zhdukën edhe vendet e punës. Papunësia për një farë kohe ishte mbi 25 për qind. Sot në landet e reja federale ajo është pak më shumë se dhjetë për qind.

Prandaj duket si mrekulli, që sot të paktën është arritur një nivel sa dy të tretat e fuqisë ekonomike të Gjermanisë Perëndimore. Dy të tretat, ky është edhe raporti i të ardhurave të Gjermanisë Lindore në raport me të ardhurat e Gjermanisë Perëndimore. Ende në landet gjermanolindore fitohet mesatarisht më pak dhe kursehet. Njerëzit ndërmjet Rostockut dhe Chemnitz-it kanë mundur të vënë gjysmën e pasurisë së asaj, që kanë vënë njerëzit mes Hamburgut dhe Mynihut.

Sigurisht këto dallime perceptohen nga njerëzit, që ndodhen në pjesën e fundit të shkallës së mirëqënies sociale. Megjithatë nëse bëjmë një inventarizim të ndershëm, vërejmë se të gjitha këto dallime mund të jenë shumë më të mëdha. Por po të krahasojmë produktin e brendshëm bruto për frymë të Gjermanisë Lindore me vendet dikur si motra të Paktit të Varshavës, atëherë landet, që dikur ishin pjesë e RDGJ-së: Tyringjia, Brandenburgu, Saksonia, Saksoni-Anhalt dhe Meklenburg -Pormerania, secili më vete, ndodhen para Polonisë, Hungarisë, apo Republikës Çeke.

Njëlloj përsa i përket mungesës së fëmijëve

Edhe një shifër që përmendet shpesh, kur është fjala për pabarazitë mes Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore. Në landet gjermanolindore është e lehtë për të gjetur një vend në çerdhe. Një ndër dy fëmijë nën moshën tre vjeç në lindje, ndërsa në perëndim një ndër katër fëmijë gjen një vend në çerdhe.

Ka qenë pjesë e ideologjisë socialiste, që të gjithë ishin "punonjës". Të gjithë e kishin për detyrë të punonin, edhe gratë me fëmijë. Shteti kujdesej që puna dhe jeta familjare të përshtateshin së bashku me anë të çerdheve dhe kujdesit për fëmijët. Me politikën e saj familjare RDGJ-ja në vitet 1970 arriti një mesatare nataliteti, që ishte pothuajse dy herë më e lartë se ajo e Gjermanisë Perëndimore.

Nataliteti i lartë në lindje në kohën e Honeckerit i takon tashmë historisë. Pas rrëzimit të sistemit gratë në lindje hynë si të thuash në grevë përsa i përket lindshmërisë. Në vitin 1992 mesatarja e e lindjeve ra në nivelin më të ulët në botë, në 0.74 fëmijë për grua. Të paktën në këtë pikë lindja dhe perëndimi i Gjermanisë janë barazuar. Si nga Greifsvaldi në Dresden ashtu edhe nga Flensburgu në Garmisch-Partenkirchen ka një mesatare modeste të lindjeve, 1.4 fëmijë për grua.