1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ende Evropa nuk e lë Greqinë të bjerë

Bllokadë, stanjacion, bllof. Si në dramën klasike rrugëdalja nga kriza e borxhit është e vështirë të zbulohet. Dhe a ka një të tillë, pyet Bernd Riegert.

Nuk do të ketë dalje të Greqisë nga bashkimi monetar evropian. Pikë. Për këtë nuk ka diskutim. Këtë fjali kancelarja Angela Merkel e tha në samitin për krizën e Greqisë me 19 mars. Të tjerë pjesëmarrës e kanë kuptuar atë si direktivë dhe jo vetëm thjesht si dëshirë. Gjermania do që Greqia të mbetet në eurozonë. Jo sepse qeveria e të majtëve dhe e radikalëve të djathtë ka një koncept bindës, por sepse Evropa nuk mund ta përballojë një humbje të hallkës së dobët. Kredibilittei i bashkësisë monetare do të zhdukej. Kursi i euros do të binte. Integrimi evropian do të goditej rëndë.

Mbi të gjitha: Faji për katastrofën do t'i jepej Gjermanisë, e cila është gjoja dominante në Europë ekonomikisht dhe politikisht. Nga grekët po e po, por edhe nga shumë qeveri të tjera europiane dhe vëzhgues ndërkombëtarë të kësaj drame të vështirë. Këtë kancelarja Merkel do ta evitojë me çdo kusht. Fajësime të Gjermanisë, për më tepër të padrejta dhe të pajustifikuara, nuk duhet të ketë.

Prandaj tani tragjedia në skenën e Brukselit vazhdon. Greqia kërcënon me falimentimin e saj dhe paraqet një listë me propozime të pamjaftueshme për reforma. Vendet e eurozonës i refuzojnë listat dhe e mbyllin pothuajse krejtësisht rubinetin e parave. Në këtë moment Athina nuk mund të shesë më bono shtetërore afatshkurtra. Banka Qendrore Evropiane e ka ndalur makinën e shtypjes për Greqinë.

Të dyja palët i bëjnë presion njëra-tjetrës, megjithëse përbetohen ndryshe. Publiku vuan dhe ngjethet, siç pritet në një tragjedi të vërtetë. Pyetja është vetëm se kur do të vijë katharsis, pastrimi, që do t'i sjellë publikut, në këtë rast taksapaguesit europian, shpëtimin? Greqia ka nevojë për para dhe kërcënon me largimin nga euro, si mjeti i fundit. Eurozona ka nevojë për Greqinë dhe përpiqet ta lërë pa gjë qeverinë në Athinë. Ata që vuajnë drejtpërdrejt janë grekët. Rritja ekonomike shkon drejt zeros, të ardhurat nga taksat bien, depozitat dërgohen jashtë vendit. Besimi i investorëve bie në zero. Sa do të zgjasë kjo më?

Qeveria greke nga njëra anë me ndërgjegje nuk do të mund të përmbushte më obligimet e pagesës, atëherë Hellas do të ishte automatikisht jashtë eurozonës. Por eurozona nuk do t'i lërë punët të shkojnë deri këtu, BQE mund të vinte përsëri në dispozicon para emergjence. Në sekondën e fundit mund të jepej një kredi shpëtimi. Mosmarrëveshja e borxhit do të zgjatej gjithnjë e më shumë.

Nga ana tjetër Greqia mund të ndryshonte qëndrim dhe të plotësonte më të fund kërkesat e huadhënësve ndërkombëtarë. Atëherë do të kishte një zgjidhje financiare, por ditët e të majtëve dhe të radikalëve të djathtë në Athinë në postet qeveritare do të ishin ndoshta të numëruara, sepse nuk mund të mbahen premtimet e tepruara të fushatës. Do të pasonte rreziku i zgjedhjeve të reja dhe i kaosit të ri politik.

Skenarët për Greqinë, që mendohen në Bruksel, përfundojnë për fat të keq të gjitha si tragjedia greke, me rënien e heroit.

Dhe kjo në moment vetëm për shkak të disa miliardave, për të shpëtuar Greqinë gjatë javëve të ardhshme. Vështirësia e madhe do të jetë në verë. Atëherë duhet të përgatitet një paketë e tretë shpëtimi. Ndërmjet 20 deri 40 miliardë euro. Ose edhe pak më shumë, nëse qeveria në Athinë humbet edhe më shumë kredibilitet. Kështu këto ditët e fundit të marsit janë vetëm pjesa e parë e tragjedisë. Festivali i vërtetë grek vjen në verë.

Vetëm nëse Angela Merkel ndryshon mendim dhe e lë Greqinë të bjerë.