1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ende asnjë datë për anëtarësimin e Serbisë

Tri raundet e dialogut politik mes Prishtinës dhe Beogradit treguan se suksesi është i mundur, megjithë rrethanat e vështira. Brukseli pret nga muaji janar përparim të mëtejshëm në normalizimin e marrëdhënieve.

Takimi i fundit vjetor i ministrave të jashtëm të BE-së, kushtuar situatës në Ballkanin Perëndimor, kësaj radhe pati në qendër të vëmendjes dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Catherine Ashton, informoi shtetet anëtare mbi progreset e arritura në tre raundet e bisedimeve:

"Unë jam e kënaqur, sepse të dyja palët janë angazhuar në këtë proces në mënyrë konstruktive. Ne kemi parë edhe rezultate konkrete. Menaxhimi i integruar i kufirit është vendosur në dy vendkalime. Deri në fund të vitit ne presim të punojnë edhe dy kalime të tjera. Kjo është një shenjë e një angazhimi serioz të të dyja palëve në dialog, pavarësisht nga rrethanat e vështira", theksoi Ashton.

Nga janari progres i mëtejshëm në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës

Këshilli i ministrave të jashtëm duhet të miratojë të martën (11.12.) konkluzionet mbi hapat e mëtejshëm të Serbisë në rrugën drejt Evropës. Në propozime parashikohet hapja e bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në qershor 2013, me kusht përmbushjen e kushteve të vendosura, në mes të cilave prioritet ka përmirësimi i dukshëm dhe i qëndrueshëm i marrëdhënieve me Kosovën.

Kalimi kufitar Kosovë-Serbi, Merdare.

Kalimi kufitar Kosovë-Serbi, Merdare.

Për këtë formulim ende nuk është arritur marrëveshje, për shkak se ka një grup shtetesh anëtare, mes të cilave sipas burimeve diplomatike citohet Gjermania, Holanda dhe Britania e Madhe, që janë kundër përmendjes së afatit për fillimin e negociatave me Serbinë, për shkak "të progresit ende të pamjaftueshëm" në dialogun me Prishtinën. Të tjerë e vlerësojnë progresin si "më të mirë nga sa pritej" dhe bëjnë thirrje për një vendim sa më të shpejtë për datën.

Për t'i bërë gjërat edhe më e komplikuara, BE-ja po përpiqet të arrijë "formulimin", i cili të kënaqë edhe shtetet anëtare, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që Beogradi të përparojë në negociatat drejt anëtarësimit dhe Prishtina drejt marrëveshjes së stabilizim-asociimit:

"Zbatimi i menaxhimit të integruar të kufijve tregon se çfarë janë në gjendje të arrijnë të dyja palët. Ka ende shumë punë dhe sfida të mëdha, por tani jam më e bindur se është e mundur që ato të realizohen. Shpresoj që në takimin e ardhshëm të kryeministrave në janar të shohim progres të mëtejshëm", thotë Ashton, duke njoftuar se do të bëhet edhe një vlerësim tjetër në takimin ministror në mars të vitit të ardhshëm, para përcaktimit të mundshëm të një date për hapjen e negociatave, për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

„Zvarritje“ në Bosnjë Hercegovinë

Ndërsa shtetet anëtare të Bashkimit Evropian deri në minutën e fundit përpiqen të gjejnë një konsensus për hapat e ardhshëm për afrimin e Serbisë me BE, kur është fjala për Bosnjë dhe Hercegovinën, qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar shumë në krahasim me vitet e kaluara. Ndërsa në propozimet e Këshillit të Ministrave i jepet edhe një herë mbështetje e qartë perspektivës evropiane, sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës, njëzeteshtatëshja evropiane thekson se edhe këtë vit ka munguar progresi i kënaqshëm i këtij vendi, punën e të cilit në fushën e integrimit evropian e vlerëson si "zvarritje".

BE-ja thekson gjithashtu se prioritet është që Bosnjë Hercegovina në radhë të parë të përshtasë kushtetutën e saj me vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe pastaj të përmbushë detyrimet sipas marrëveshjes kalimtare të stabilizim asociimit. Pritet që Brukseli të ftojë politikanët e Bosnjë Hercegovinës për të intensifikuar përpjekjet për përmbushjen e angazhimeve dhe arritjen e rezultateve konkrete në të mirë të vendit dhe qytetarëve të tij.

  • Data 11.12.2012
  • Autor Marina Maksimovic / Angelina Verbica
  • Fjalët kyç negociatat, IBM, dialogu
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/16zm0
  • Data 11.12.2012
  • Autor Marina Maksimovic / Angelina Verbica
  • Fjalët kyç negociatat, IBM, dialogu
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/16zm0