1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ende 2 000 persona të zhdukur dhe 400 trupa të paidentifikuara

Në Kosove edhe dhjetë vjet pas përfundimit të luftës, figurojnë akoma afro dy mijë persona të zhdukur, 400 trupa të pajetë të paidentifikuar ndodhen në morgun e Prishtinës. Kosova nuk ka laborator për provat e AND-së.

Nënë shqiptare vendos lule mbi trupat pa jetë të kthyera në Kosovë - 27 maj, 2005 Merdare

Nënë shqiptare vendos lule mbi trupat pa jetë të kthyera në Kosovë - 27 maj, 2005 Merdare

400 trupa të pajetë, të vrarë gjatë luftës në Kosovë qëndrojnë prej dhjetë vitesh të paidentifikuar në morgun e Prishtinës. Për shumë organizata që merren me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur është e pakuptueshme dhe e papranueshme që prej kaq vitesh nuk bërë identifikimi i mbetjeve mortore.

Nysrete Kumnova, është njëra ndër shumë nënat kosovare që kërkon të dijë për fatin e birit të saj i zhdukur gjatë luftës në Kosovë. “Ne duam që të dashurit tanë tu kthehen familjeve të tyre. Janë qindra kufoma në morgun e Prishtinës të paidentifikuar dhe ne nuk e kuptojmë se pse ato trupa nuk identifikohen. Në kërkojmë nga qeveria që të jetë e përgjegjshme ndaj qytetarëve të saj dhe të gjejë rrugën që të bëjë identifikimin e këtyre trupave të pajetë, por edhe të gjejë mënyra që të zbulohen edhe mijëra të tjerë që figurojnë akoma të zhdukur,” thotë Kumnova.


I ngarkuar që të bëjë identifikimin e mbetjeve mortore është Instituti i Mjekësisë Ligjore. Arsim Gerxhaliu, udhëheqës i këtij instituti, thotë se ekzistojnë një varg problemesh të trashëguara, që pengojnë procesin e identifikimit të trupave që ndodhën në këtë institut. “Ne si institut shpresojmë që qeveria më në fund të krijojë një grup punues, i cili do të angazhohet në mbledhjen e informatave nga secili aktor në këtë valle. Ne si institut që i mbajmë qindra mbetje mortore nuk mund të bëjmë asgjë në identifikimin e tyre sepse nuk kemi laborator që do ta kryente provën e ADN-së. Ne thjeshtë i ruajmë ato kufoma dhe asgjë më shumë,” thotë Gerxhaliu.


Procesi më i saktë i identifikimit të këtyre mbetjeve mortore është prova e ADN-së. Kosova nuk ka ndonjë institut që mund ta kryej këtë proces. Identifikimi me provën e ADN-së është i mundur të bëhet vetëm jashtë Kosovës. Qeveria e Kosovës, thotë se ky proces është shumë kompleks sepse me vite të tëra identifikimi i kufomave është bërë pa provën e ADN-së, që lë dyshime për mungesë saktësie ndërsa, tash që po kërkohet të fillohet me procesin e ADN-së, paraqitet nevoja e zhvarrimit të mijëra trupave të tjerë. “Afro dy mijë persona të vrarë, që nga përfundimi i luftës janë varrosur pa provën e ADN-së dhe pa analizë mjekësore, sepse kështu pati kërkuar edhe Tribunali i Hagës për krime lufte. Është e vërtetë që 400 trupa qëndrojnë me vite në morgun e Prishtinës të paidentifikuar, por problemi qëndron se atyre duhet bërë testi i ADN-së me gjasë edhe të mijëra të tjerëve të varrosur në mënyrë që të dihet saktë se kush janë," thotë Manaj.


Zëvëndëskryeministri Ramë Manaj, thotë se qeveria e Kosovës është e gatshme të ndajë mjete financiare në mënyrë që në Kosovë të themelohet një institut i posaçëm ku do të kryheshin provat e ADN-së. Mirëpo, kjo sipas tij, nuk mund të bëhet shumë shpejtë sepse akoma nevojiten informata shtesë nga autoritetet e Beogradit, sepse shumë persona akoma figurojnë të zhdukur dhe nuk dihet se u janë. Kosova doli nga lufta me mbi 5 mijë të zhdukur, ndërsa edhe dhjetë vjet pas saj numëron edhe 1 918 persona të pagjetur. Në këtë numër ka edhe pjesëtar të komunitetit serb, por pjesa më e madhe janë shqiptarë të Kosovës. Një pjesë e këtyre trupave të pajetë janë zbuluar në varreza masive në Serbi. Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq pati filluar katër vjetë më parë ndërmjetësimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e të zhdukurve, por edhe më tej rezultatet janë të pakta.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama



  • Data 18.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HEuk
  • Data 18.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HEuk