1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Emily Haber: Mos bini pre e kontrabandistëve!

Kosovarët nuk kanë asnjë shans për azil në Gjermani, pohon Emily Haber me shpjegimin se përfituesit e vetëm të kësaj situate janë kontrabandistët. Ndërkohë që humbësit më të mëdhenj janë njerëzit e mashtruar.

Deutsche Welle: Zonja Haber, në janar është rritur numri i azilkërkuesve në Gjermani në krahasim me dhjetorin për 23 %. A është Gjermania në gjendje të pranojë një numër kaq të madh të azilkërkuesve e të siguroj kushte njerëzore për ta?

Emily Haber: Gjermania është e gatshme t'i pranojë azilkërkuesit që vërtetë kanë nevojë për mbrojtje. Këtë e garanton edhe Kushtetuta jonë, e cila parashikon mbrojtejn e njerëze që ikin nga lufta, nga përndjekjet politike dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut. Ndryshe qëndron puna me njerëzit, të cilët nuk kanë aspak nevojë për një mbrojtje të tillë, e megjithatë kërkojnë azil. Këta persona nuk kanë as shansin më të vogël për të ftiuar të drejtën e azilit në Gjermani.

Detusche Welle: Kohët e fundit në Gjermani ka ardhur një numër i madh i azilkërkuesve nga Kosova. A kanë këta kosovarë shanse për azil?

Emily Haber: Nuk kanë as shansin më të vogël. Përqindja e njohjes së azilit për kosovarët në janar ka qenë 0,3%. Çdo kosovar që niset me shpresë se në Gjermani do të gjejë një jetë më të mirë - mashtrohet. Ata nuk duhet të bien pre e kontrabandistëve që përfitojnë para.

Detusche Welle: Sa kohë mund të qëndrojnë kosovarët e ardhur në Gjermani dhe çfarë do të ndodhë me ata të cilët nuk kanë marrë azil?

Emily Haber: Azil nuk do të marr pothuajse askush. Vetëm 0,3 % e kosovarëve ka qenë kuota e njohjeve në janar. Kjo do të thotë se të gjithë njerëzit, të cilët duan të nisen për në Gjermani, të cilët kanë shitur pasuritë e tyre dhe paguajnë shumë para për grupet e organizuara të kontrabandistëve, për t'i transportuar në Hungari, Austri apo Gjermani, duhet ta dinë se do të humbasin shumë para dhe nuk do të fitojnë asgjë. Ata do të detyrohen të kthehen shumë shpejt prej nga kanë ardhur. Pasi është shtuar shumë numri i azilkërkuesve, ne kemi ndërmarrë masat për shkurtimin e procedurave dhe shqyrtimin e kërkesave brenda 14 ditësh. Kjo do të thotë se njerëzit do të qendrojnë këtu 14 ditë, tri apo ndoshta katër javë dhe do të detyrohen të kthehen në Kosovë. Për ta vlen edhe një gjë shumë e rëndësishme: ata të cilët e keqpërdorin të drejtën tonë të azilit - e keqpërdorim është edhe kur dikush kërkon azil edhe pse nuk ka dëshmi për përndjekje apo shkelje të të drejtave të njeriut - do t'u ndalohet hyrja në zonën Shengen për një kohë të gjatë. Ne jemi duke u konsultuar edhe me vendet tranzit dhe do të forcohen kontrollet në kufi me Hungarinë, që do të thotë se kosovarët në të ardhmen nuk do të mund të futen fare në zonën Shengen. Pra kosovarët duhet ta dinë se do të ndalen dhe do të kthehen në rrugë, para se të futen në Hungari.

Emily Haber Porträt, sekretare e shtetit në Ministrinë e Brendshme të Gjermanisë

Emily Haber

Detusche Welle: Si e shpjegoni faktin që këta njerëz e kanë kaluar kaq lehtë kufirin me Hungarinë?

Emily Haber: Kjo ka qenë e mundur deri tani, por ndërkohë atje ka shkuar edhe Frontex-i. Hungaria do të ketë mbështetje në ruajtjen e kufirit. Ne do të mbështesim jo vetëm hungarezët por edhe palën serbe për parandalimin e hyrjeve ilegale.

Detusche Welle: Zonja Haber, Ju e dini që Kosova ende nuk është në listën e vendeve të sigurta. A mund të pritet ndonjë ndryshim në këtë drejtim dhe çfarë domethënie do të kishte një vendim i tillë për kosovarët?

Emily Haber: Kosova është një vend me qeverisje dhe rend demokratik. Kosova është një vend i sigurt, pavarësisht se ende nuk bën pjesë në grupin e pesë vendeve, të cilat janë radhitur në Gjermani si vende të sigurta. Për ne është me rëndësi që Kosova është një vend i sigurt dhe praktikisht asnjë kosovar nuk do të marrë azil këtu.

Detusche Welle: A kani pasur kontakte me qeverinë e Kosovës kur bëhet fjalë për riatdhesimin e atyre që nuk mund të marrin azil në Gjermani?

Emily Haber: Natyrisht që ne jemi në kontakt me qeverinë e Kosovës dhe e kemi lutur atë që t'ua shpjegojë njerëzve, se nuk kanë shanse për azil në Gjermani, në mënyrë që organizatat e kontrabandistëve, me mashtrimet e tyre, të mos jenë zotëruesit e situatës në Kosovë.

Deutsche Welle: A keni ndonjë informacion përse pikërisht tani po ndodh kjo valë e largimeve masive nga Kosova?

Emily Haber: Është shumë vështirë të konstatohet. Është e mundur që kjo ka lidhje me shqetësimet e mëdha të njerëzve për të ardhmen e tyre ekonomike. Por është shumë e qartë që kemi të bëjmë me një fushatë ku njerëzve u thuhet se në vendet e tjera mund të gjejnë një të ardhme shumë më të mirë. Kjo fushatë ka vetëm një qëllim: përfitimin e kontrabandistëve.

Deutsche Welle: Zonja Haber, është e qartë që gjendja ekonomike është një prej shkaqeve kryesore të ikjeve të njerëzve nga Kosova. A keni menduar për shtimin e ndihmave për Kosovën, në mënyrë që njerëzit të mos e largohen nga vendi?

Emily Haber: Gjermania dhe Bashkimi Evropian janë duke e ndihmuar Kosovën prej shumë vitesh. Ne në kuadër të bashkëpunimit bilateral e kemi ndihmuar Kosovën me 440 milionë euro. Ju kujtoj se më parë ka ekzistuar edhe Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore. Ndërkohë që Kosova përfiton shumë edhe nga ndihmat në kuadrër të negociatave për procesin e afrimit në BE. Ne jemi duke e mbështetur Kosovën për shumë vite me radhë dhe do të vazhdojmë me këtë mbështetje, në veçanti në ndërtimin e infrastrukturës, qendrueshmërinë ekonomike dhe në arsim. Pikërëndesat tona do të jenë edhe në të ardhmen: punësimi, politika sociale dhe bujqësia. Ne duam të japim kontributin tonë që Kosova të ketë një të ardhme të mirë ekonmike.

Detusche Welle: Kosova është vendi i vetëm, i cili nuk e gëzon të drejtën e lëvizjes pa viza në hapësirën Schengen. Sa do të ndikojë vala e fundit e ikjeve në këtë proces?

Emily Haber: Kam frikë se kjo valë do të çojë ujë në mullirin e atyre që thonë se për Kosovën nuk duhet të ketë liberalizim të vizave. Më kuptoni mirë: ky nuk është mendimi im. Por ajo që po shohim në këtë moment është një zhvillim shumë problematik për Kosovën, një zhvillim problematik për liberalizimin e vizave dhe për stabilitetin e këtij vendi të ri, të cilin Gjermania e ka mbështetur tërë kohën. Problematik është edhe për stabilitetin e rajonit. Rezultati i zhvillimeve të fundit do të jetë vetëm dëmtimi i madh i njerëzve, dëmtimi i njerëzve, të cilët janë gënjyer dhe mashtruar prej atyre që duan të pëfitojnë para.

DW.COM