1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Emigrantët shqiptarë të kthyer nga Greqia

Emigrantë shqiptarë po kthehen nga Greqia në Shqipëri. Të shkurtuar nga vendet e punës, pa mbështetje sociale, pa mjete të mjaftueshme financiare për të përballuar jetën, ata po kthehen për të rifilluar jetën në atdhe.

Familja Gjeli është kthyer nga Greqia

Familja Gjeli është kthyer nga Greqia

Jani dhe Florinda Gjelin i takoj në shtëpinë e tyre, një apartament i marrë me qira, në një godinë shumëkatëshe, të sapondërtuar në periferi të Tiranës, rrugës drejt zonës që njihet si “Kombinati”. Ata jetojnë atje bashkë me dy djemtë e tyre Aleksandrin 7 dhe Engjëllin 2 vjeç. Qiraja është 100 euro në muaj. Gjithshka në apartamentin e tyre është e re dhe e mobiluar me shije. Kur ia them këtë Janit, kryefamiliarit, ai më thotë thjesht se mobiljet i ka bërë me duar e tij, pasi në vitet e gjata të emigracionit në Greqi, mësoi shumë zanate praktike: mekanik, marangoz, hidraulik. Por kriza e la pa punë atë dhe gruan e tij, Florindën.

Punët mbaruan në Greqi

Jani më tregon se në Shqipëri e sollën një kombinim rrethanash dhe arësyesh: “Punët mbaruan. Mbijetesa në Greqi u bë shumë e vështirë. Rrogat janë ulur, qiratë janë rritur. Të ardhurat mujore nuk mbulojnë dot shpenzimet mujore. Prandaj u detyruam të kthehemi në Shqipëri me gjithë fëmijët, sepse nuk kishin zgjidhje tjetër. Kur nuk ke përkrahje sociale, asnjë ndihmë nga shteti grek, detyrohesh të kthehesh në vendin tënd. Por ka edhe arsye të tjera: Greqia është një nga vendet e BE që ka më shumë probleme lidhur me dokumentacionin e emigrantëve. Nuk i trajton ata njëlloj: disa e marrin leje qëndrimin, shumica jo. Ka nga ata që për 12 vjet e kanë marre, por pastaj nuk e marrin, sepse kriza ka shkurtuar vendet e punës dhe leja e qëndrimit nuk jepet nëse nuk ke një numër të caktuar ditësh pune. Prandaj nuk të mbetet asnjë rrugë tjetëer veç kthimit në Shqipëri. Pa leje qëndrimi autoritetet greke të kthejnë me forcë dhe humbet edhe ato që ke arritur atje gjatë viteve,” thotë Jani

Emigrantë në atdheun e tyre?!

Janin dhe Florinda Gjelin nuk i kthyen autoritetet greke. Ata u kthyen vetë. Të dy gjetën punë: Jani si përgjegjës në sektorin e emergjencave në ujësjellësin e Tiranës kurse Florinda si biletashitëse në agjensinë Interlines, të transportit të udhëtarëve Tiranë- Athinë - Tiranë. Të ardhurat mujore të të dyve arrijnë në rreth 500 euro. Me to ata paguajnë qiranë, një bebisiter për fëmijët dhe përballojnë jetesën. Edhe Florinda më thotë se kthimi në Shqipëri u bë për të mbuijetuar, pasi ajo nuk mund të shkonin përsëri emigrantë në një vend tjetër. Familja e saj emigroi në Greqi kur ajo ishte një vajzë e vogël, vetëm 9 vjeç.

Familja Gjeli është kthyer nga Greqia

Familja Gjeli është kthyer nga Greqia

Florinda më thotë se jeta në Shqipëri nuk është e lehtë për atë. “ Provoj jetën në Shqipëri edhe si amvisë, krahasoj çmimet në Greqi me ato këtu. Vërej që jetesa në Shqipëri në krahasim me rrogat është e shtrenjtë. Me rrogat vetëm sa përballojmë shpenzimet mujore. Ka edhe një ndryshim në mentalitetin e njerëzve. Vërej se ka mentalitete shumë të vjetra. Ne që sapo jemi kthyer na shohin si emigrantë dhe jo si shqiptarë, që jemi rikthyer në atdheun tonë, ku mund të kontribuojmë me përvojat që kemi fituar në emigracion".

Numër në rritje familje emigrantësh të kthyer në Shqipëri

Si familja Jani dhe Florinda Gjeli, të kthyer në atdhe, muajt e fundit ka edhe shumë të tjera. Në Drejtorinë e Përgjithshme të kufirit në Ministrinë e Brendshme mungojnë shifrat pasi në pikat e kalimit kufitar ato nuk deklarojnë nëse kthehen për pak ditë apo përgjithmonë. Të vetmet shifra mund të gjenden në Zyrën e Gjendjes Civile dhe atë të Adresave në Bashkinë e Tiranës. Sipas tyre që nga shtatori i vitit të kaluar janë kthyer nga Greqia rreth 250 familje, që kanë zgjedhur Tiranën për të banuar.

Por Jani më thotë se deri në dusht do të kthehen edhe shumë familje të tjera. “ Duke filluar nga Janari 2010 kthehen rregullisht familje sepse gjendja është kaq e vështirë sa nuk përballohet, nuk mund të mbijetosh. Mbi 30-40 familje, që janë të njohurit e mi janë kthyer përfundimisht. Bisedohet edhe ndër emigrantët shqiptarë, që kanë bizneset e tyre që të kthehen se bizneset po u shkatërrohen mundohen të rikthehen në Shqipëri për të ruajtur atë pak pasuri që kanë mbledhur. Nga bisedimet që bëjmë me njëri tjetrin, se i ruajmë lidhjet, thuhet se do të ketë një fluks shumë të madh të rikthimit të emigrantëve nga Greqia në Shqipëri. Atje kam edhe vëllezër, motra, bëjnë ng atre katër punë në ditë në të zezë, një pjesë kanë mbetur edhe pa punë fare dhe mundohen të gjejnë ndonjë ditë pune të mbajnë familjen dy tre ditë më shumë” thotë Jani.

Këtu është më mirë

Vështirësitë e fillimit të jetës në atdhe që po kalojnë prindërit e tij nuk i kupton Aleksandri shtatëvjeçar. Ai i gëzohet mjedisit të ri, shoqërive të reja dhe gjuhës shqipe. Kur e pyes ai pëlqen Tirana, ai më thotë me një shqipe ku dallohet theksi i greqishtes. “ Këtu është më bukur. Është shtëpia bukur, familja mirë, të gjitha gjërat janë të mira, këtu, këtu më pëlqen.”

Ndërsa prindërit e tij kërkojnë mbështetje nga shteti për të kapërcyer vështirësitë dhe besojnë se pas çdo rënieje ka një ngritje me punë të ndershme. Gota për ata është gjysëm, por një gjysëm plot dhe jo bosh.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 21.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Nync
  • Data 21.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Nync