1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania historia ime

Emigracioni provizor i kujdestareve shtëpiake

Shumë familje gjermane me të afërm që kanë nevojë për përkujdesje i njohin dhe i vlerësojnë shumë kujdestaret nga Evropa Lindore. Kujdestaret shpesh udhëtojnë çdo tre muaj mes Gjermanisë dhe vendit të tyre.

Shumë punëtore, përballojnë shumë dhe janë të besueshme, njohin gjuhën gjermane, janë miqësore, të gatshme për ndihmë si dhe 24 orë në dispozicion – kuptohet dhe me kosto të favorshme: Ky përshkrim u përshtatet afro 100.000 kujdestareve nga Evropa Lindore, të cilat punojnë në familjet gjermane.

Kujdestaret nga Evropa Lindore u ndihmojnë të moshuarve dhe invalidëve për t'u ushqyer, për t'u veshur apo për t'u larë. Ato gatuajnë dhe pastrojnë në shtëpitë e të moshuarve dhe invalidëve. Ndërkohë atyre u lejohet madje të kryejnë edhe shërbime të lehta sanitare si p.sh. t'u ndihmojnë njerëzve me aftësi të kufizuara të shkojnë në banjë apo të marrin medikamente, por atyre nuk u lejohet të kujdesen për shëndetin e tyre.

Kujdestaret jo gjithmonë e ushtrojnë legalisht aktivitetin e tyre, ndonëse tashmë ato janë pjesë e pandarë e sistemit gjerman të shërbimeve të kujdestarisë për të moshuarit dhe të sëmurët. Kjo për arësyen se kujdestaria 24 orë e ofruar nga shërbimet gjermane do të kushtonte deri në 10.000 euro në muaj. "Në Gjermani ka gjithnjë e më shumë njerëz me aftësi të kufizuara, që kanë nevojë për shërbim, por mungojnë strukturat profesionale të këtij shërbimi, të cilat mund të ofronin ndihmë të menjëhershme sociale me çmime të përballueshme", vë në dukje Michael Isfort nga Instituti për Studimet e aplikuara në fushën e Shëndetësisë (dip) në Këln. Megjithatë ndërkohë është bërë më e lehtë që kujdestaret nga Lindja të punësohen legalisht.

Lehtësime qysh nga 2011

Që nga 1 maji 2011 shtetasit nga 8 shtete të BE-së (Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Estonia, Lituania, Letonia dhe Sllovenia) nuk kanë më nevojë për leje për t'u punësuar në Gjermani. Për këtë madje nuk luan rol nëse ata vijnë si specialistë, si ndihmës apo si sipërmarrës privatë. Ndërsa shtetasve nga Bullgaria dhe Rumania u duhet ende një leje pune; rregullorja e liberalizmit të tregut të punës për këto vende hyn në fuqi vetëm pas 31.12.2013. Kujdestaret nga Kroacia lejohen të punojnë në familjet gjermane vetëm, nëse ato dëshmojnë kualifikimin përkatës profesional dhe nëse për vendin e punës së ofruar nuk gjendet asnjë aplikant nga vendet e BE-së. Kujdestaret nga Serbia, Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, pra nga vendet jashtë BE-së, nuk lejohen të punojnë në Gjermani.

Puna në një familje gjermane - si realizohet kjo?

Ka disa rrugë për t'u punësuar legalisht si kujdestare në Gjermani. Një mundësi është që vetë familja gjermane kthehet në punëdhënës, por kjo është e lidhur me një procedurë të caktuar burokratike. Për kujdestaret shtëpiake janë të domosdoshme këto dokumenta: regjistrimi në zyrën e regjistrimit të banorëve, marrja e numrit përkatës për punësim nga Agjencia Federale e Punës, tërheqja e kartës së tatimit mbi të ardhurat nga Zyra e Tatimeve, sigurimi shëndetësor dhe sigurimi në rast aksidentesh. Kush vendos të ndjekë këtë rrugë është i sigurtë në aspektin ligjor, thotë Beate Raabe e qendrës së ndërmjetësimit të punonjësve nga vende të tjera, shkurt ZAV. Kjo qendër funksionon në kuadër të Agjencisë Federale të Punës. Znj. Raabe shton, se "ne i këshillojmë deri në detaje sipërmarrësit dhe aplikantët, sepse ne duam të mundësojmë kushte korrekte punësimi."

Për punën e tyre kujdestaret paguhen, në varësi nga landi, me 1500 deri në 1900 euro në muaj. Koha e punës është e kufizuar në 38,5 orë në javë, ato kanë të drejtë të marrin edhe leje. Kusht për një punë të tillë është, që kujdestaret të kenë njohuri të gjuhës gjermane.

Sipërmarrës të huaj lejohen të dërgojnë kujdestare

Kush dëshiron përkujdesje në shtëpi për gjyshin apo gjyshen e vet pa u kthyer vetë në punëdhënës, u drejtohet agjencive private të ndërmjetësimit. Kjo është forma legale e punësimit të kujdestareve nga Evropa Lindore. Agjencitë në Gjermani bashkëpunojnë me firmat e huaja të punësimit part-time, tek të cilat kujdestaret janë të punësuara dhe të siguruara. Në shumicën e rasteve për një familje punojnë me rotacion dy kujdestare, të cilat këmbehen çdo tre muaj. Në këtë mënyrë ato çdo tre muaj kanë mundësi të shkojnë në shtëpi.

Familjet gjermane që kanë nevojë për kujdestare kanë mundësi që të punësojnë edhe kujdestare në profesion të lirë nga 8 vendet e BE-së nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Në këtë rast kujdestarja duhet të dëshmojë, që është e regjistruar në sigurimet sociale në vendin e saj. Nësë është kështu atëherë s'ka asnjë pengesë për një kontratë private punësimi. Por përderisa familja nuk është sipërmarrëse në sektorin e kujdestarisë, ajo nuk është e detyruar të paguajë sipas tarifave legale: kjo do të thotë, që kujdestaret duhet të llogarisin me paga minimale.

Pa dyshim që evropiano-lindoret plotësojnë një zbrasti në tregun gjerman të punës. Por fakti që ato mungojnë në vendin e tyre, krijon të tjera probleme: Në këto vende ka si rrjedhojë mungesë në sektorin e kujdestarisë, shumë shpesh për shkak të ec e jakeve midis dy vendeve familjet e kujdestareve shkatërrohen. Caritasi tërheq vëmendjen për anën tjetër të medaljes dhe paralajmëron nga pasojat sociale në Evropën Lindore. Për aq kohë sa në Gjermani nuk i dilet të gjendet një alternativë për tregun e kujdestarisë në familje, kujdestaret evropiano-lindore do të vazhdojnë të jenë në aktivitet.