1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Emërimi i gjyqtarëve serbë në Kosovë sjell reagimin e EULEX-it e Prishtinës

Emërimi i gjykatësve dhe prokurorëve serbë në Kosovë nga qeveria në Beograd, është një vendim politik. Eulex paralajmëron debate me autoritetet e Beogradit që gjykatat në veri të Mitrovicës të funksionojnë me një sistem.

Perëndesha e drejtësisë Justicia

Perëndesha e drejtësisë Justicia

Në vendet evropiane nuk ka sisteme juridike paralele

Zyrtarë në Kosovë të misionit evropian për polici dhe drejtësi EULEX thonë se emërimi i gjyqtarëve serbë në gjykatat në Kosovë nga qeveria e Beogradit është një vendim politik, për të cilin duhet diskutuar me urgjencë. Këshilli i Lartë Gjyqësor i Serbisë ditë më parë emëroi gjykatësit dhe prokurorët serbë për Kosovën. Ky këshill parasheh shpërndarjen territoriale të gjykatave dhe prokurorive në tërë territorin e Kosovës. Gjykata në Mitrovicën e veriut ka kompetencë mbi të gjitha degët e gjykatave të shpërndara në disa vendbanime serbe, përfshirë edhe Graçanicën dhe në Ranillugun, komuna këto të sapo krijuara nga qeveria e Kosovës.

Zëdhënësja e misionit EULEX, Kristina Herodes, i tha DW-së nëpërmjet telefonit, se në asnjë vend të Evropës nuk ka dy sisteme juridike të cilat mund të funksionojnë në të njëjtën kohë. Prandaj, sipas saj edhe në Kosovë duhet të ketë vetëm një sistem unik juridik.

“Ne e kemi parë vendimin e Beogradit për emërimin e gjyqtarëve në gjykatat serbe në Kosovë. Ky është një vendim politik të cilin duhet ta diskutojmë me urgjencë. Muajt e fundit EULEX-i ka filluar që të riinstalojë një drejtësi funksionale në veri të Mitrovicës, duke rihapur Gjykatën në këtë pjesë dhe ka mbajtur disa procese gjyqësore", thotë Kristina Herodes.

“Qëllimi ynë prioritar është që t'i kthejmë gjyqtarët dhe prokurorët serbë dhe ata shqiptarë të Kosovës në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, në mënyrë që drejtësia të vendoset nga një gjyqësor lokal, shumëtnik dhe i vetëm”, thotë Kristina Herodes.

Serbia mund të bisedojë me EULEX-in e Prishtinën për gjykatat

Por, sekretari i shtetit në ministrinë për Kosovën në qeverinë e Beogradit, Oliver Ivanoviç, i tha DW-së, se sistemi gjyqësor i Serbisë ekziston në Kosovë që nga viti 1999 dhe emërimi i gjyqtarëve serbë për gjykatat në Kosovë nuk është diçka e re. Mirëpo, meqë kjo nuk i pëlqen Prishtinës zyrtare, atëherë qeveria e Beogradit sipas tij, është e hapur për biseda.

“Ne duhet ta gjejmë një zgjidhje dhe kjo zgjidhje mund të gjendet ndërmjet qeverisë së Serbisë dhe misionit EULEX. Nëse ata kanë vullnet, gjyqësia serbe është e hapur për të gjetur zgjidhje. Në këtë rast qeveria e Beogradit mund të negociojë edhe me Prishtinën zyrtare, por vetëm me ndërmjetësimin e misionit EULEX dhe jo në biseda të drejtpërdrejta”, thotë Oliver Ivanoviç.

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës, nga ana e tyre thonë për mediat lokale se emërimi i gjykatësve serbë në Kosovë nga qeveria e Beogradit është një veprim i jashtëligjshëm. Sipas ministres së drejtësisë, Nekibe Kelmendi, Beogradi po ndërhyn në punët e brendshme të Kosovës.

“Ato janë gjykata ilegale dhe çdo vendim që merret nga ato gjykata nuk mund të zbatohet në Kosovë. Pra vendimin e Beogradit unë e cilësoj ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës dhe në këtë rast do të duhej të reagonte edhe bashkësia ndërkombëtare”, thotë Nekibe Kelmendi.

EULEX-i nuk do të përdorë forcën për të shpërndarë gjykata serbe

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka kërkuar aktivizimin e policisë për të pamundësuar funksionimin e strukturave paralele serbe dhe gjykatat në veri. Mirëpo zyrtarët e misionit EULEX, të cilët janë përgjegjës për policinë dhe drejtësinë në Kosovë, thonë se ata nuk do të përdorin forcën për të shpërbërë strukturat paralele serbe, përfshirë edhe gjykatat paralele. Ata thonë se për të zgjidhur këtë problem rruga më e mirë është ajo e bisedimeve. Në këtë linjë ata paralajmërojnë debate me autoritet e Beogradit, në mënyrë që gjykatat në veri të Kosovës të mund të funksionojnë në një sistem unik juridik të Kosovës. Gjykatat në veri të Kosovës, pjesë kjo e banuar me shumicë serbe, u vunë nën kontroll nga serbët lokalë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt të vitit 2008. Policia e UNMIK-ut ndërhyri për të larguar serbët nga gjykatat dhe në përleshje me serbët, një polic ndërkombëtar nga Ukraina u vra dhe dhjetra të tjerë u plagosën. Punonjësit shqiptarë të gjykatave në veri tash e gati dy vjet nuk lejohen të shkojnë në vendet e tyre të punës, për shkak se atyre nuk mund të garantohet siguria.


Autor: Bekim Shehu/ Prishtina

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 06.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LMDi
  • Data 06.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LMDi