1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Elmar Brok: NATO duhet ta rimendojë strategjinë

Politikani i CDU-së dhe kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian mendon se duhet filluar debatin për stacionimin e trupave të NATO-s në vendet lindore.

DW: Zoti Brok, stacionimi i trupave në Lindje do të ishte në kundërshtim me praktikën e deritanishme. A do ta acaronte kjo edhe më shumë konfliktin me Rusinë?

Elmar Brok: Deri tani kjo ka qenë politikë e drejtë - që ky stacionim të evitohet. Por tani duhet të kuptojmë se si pasojë e politikës agresive të Rusisë në vendet e Baltikut dhe në Poloni ekziston frikë e madhe, sikur në Gjermani në vitin 1989. Ndaj duhet rishikuar mundësitë për domosdoshmërinë e stacionimit të trupave atje, nëse vazhdon politika agresive e Putinit.

Sa reale janë kërcënimet për partnerët e NATO-s në Lindje?

Brok: Ka skenarë sipas së cilëve Rusia do të marrë pjesë të mëdha të Ukrainës dhe më pas edhe Moldavia do të bie pre e strategjisë së nacionalistëve rusë. Kjo do të thoshte se Rusia do të gjendej gjithandej në kufi me NATO-n dhe BE-në. Argumentimi që është përdorur deri tani me rastin e aneksimit të Krimesë, i përgjigjet në tërësi edhe vendeve baltike.

A do të ishte NATO në gjendje të evitojë futjen e trupave ruse, për shembull në Estoni?

Brok: Sot nuk do të ishte në gjendje. Ndaj është e domosdoshme që nëse politika e tanishme ruse vërtetë vazhdon, që të mendohet se çfarë duhet ndërmarrë. Këtu kemi një obligim shumë të qartë të NATO-s dhe duhet bërë të qartë se Rusia po i futet rreziqeve. Frikësimi i tillë e ka ruajtur paqen edhe në kohën e Luftës së Ftohtë. Ndaj duhet të fillojmë të mendojmë ndryshe. Por unë ende shpresoj se ditët e ardhshme diplomacia do të funksionojë dhe se Rusia do të nisë një rrugë e cila nuk nënkupton politikën e agresionit.

Ukraina nuk është në NATO. A do të thotë kjo se Ukraina nuk ka pasur fat, sepse ka ardhur tepër vonë, dhe tani do të bie në duart e politikës ruse?

Brok: Obligimi i mbrojtjes ekziston ndaj vendeve anëtare të NATO-s. Prandaj vendimet e deritanishme kanë qenë të drejta, që të mos ndërhyhet ushtarakisht për shkak të Ukrainës. Sulmet eventuale ndaj territorit të vendeve të NATO-s do të aktivizonin në mënyrë automatike Artikullin 5. Ndaj mendoj se është shumë me rëndësi që Rusisë t'i sinjalizohet: Mos e tepro dhe kthehu në politikën që respekton të drejtën!

Sa e madhe ëshët kjo thyerje me krizën në Ukrainë? A do të thotë kjo se vërtetë do të kthehemi në politikën e konfrontimeve para vitit 1989 e ndoshta madje edhe në shekullin 19?

Brok: Më parë do të thosha në shekullin e 19, për shkak të armëve moderne dhe pasojave si në kohën e Luftës së Ftohtë. Ndaj kemi shpresuar në 25 vitet e fundit se do të respektohen rregullat e Kartës së Helsinkit, për rrespektimin e integritetit territorial të një vendi. Nëse dikush para gjashtë javësh do të më thoshte se kjo e drejtë do të shkelet, nuk do t'i besoja.