1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ekzekutim megjithë dyshimet për shëndetin mendor

Edhe pse Gjykata Supreme në SHBA e ka ndaluar ekzekutimin e personave me prapambetje mendore në shtetin federal amerikan të Xhorxhias do të ekzekutohet ditën e mërkurë një i dënuar i tillë.

Organizata Ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International e ka vendosur rastin e Warren Hill-it në listën e saj të "Urgent Action" kurse gazeta "New York Times" shkruan për të në artikullin kryesor. Por të gjitha thirrjet për të mos e ekzekutuar 52-vjeçarin kanë qenë të kota. Rruga ligjore është ezauruar krejtësisht, pas refuzimit ditën e hënë të lutjes për mëshirë nga Komiteti i Ankesave në shtetin federal të Xhorxhias në Atlanta. Gjykata e Lartë amerikane në Uashington nuk e pranoi rishikimin e rastit. Ekzekutimi i Hill-it është parashikuar të kryhet ditën e mërkurën në mbrëmje ( 18.07.2012) në burgun e Xhaksonit. 

Që Warren Lee Hill e ka kryer veprën nuk ka asnjë dyshim. Afroamerikani ka qenë duke vuajtur dënimin e përjetshëm për vrasjen e të shoqes, kur në gusht të 1990 ka goditur për vdekje një të burgosur që ndodhej me të në burg. Gjykatësit e dënuan për këtë me vdekje, megjithëse mund ta dënonin me dënim të përjetshëm pa kusht, një mundësi që është krijuar më vonë, shkruan New York Times, duke shtuar se jo vetëm që shumica e gjyqtarëve ka qenë për t'i dhënë dënimin e përjetshëm, por edhe familjarët e viktimave kanë qenë kundër ekzekutimit të Hill-it.

Dyshimet nuk mjaftojnë

Sepse ekzistojnë dyshime të mëdha për gjendjen mendore të të dënuarit. Avokatët e tij kanë treguar në kërkesën për mëshirë se Hilli është mendërisht i prapambetur dhe ka një IQ prej 70. Një nivel i cili vlerësohet si mentalisht i vonuar. Avokati mbrojtës Brian Kammer i ka treguar radios WABE 90.1 FM për procesin e marrjes në pyetje javën e kaluar në Komitetin e faljes në Atlanta: "Disa anëtarë të familjes treguan një histori shumë prekëse, si është rritur Mr. Hill dhe se si kanë parë që atë kohë se diçka nuk ka qenë në rregull me të, që ai ka pasur një lloj prapambetjeje mentale."

Gjykata e Lartë në SHBA ka vendosur më 2002 që personat me prapambetje mendore të mos ekzekutohen, sepse kjo është në kundërshtim me kushtetutën amerikane, sipas të cilës dënimet e tmerrshme dhe të pazakonta janë të ndaluara. Megjithatë është lënë në kompetencat e shteteve federale të vendosin çfarë dëshmish duhen për të treguar prapambetjen mentale. Xhorxhia është shteti i parë federal që ka ndaluar në vitin 1988 ekzekutimin e të prapambeturve mentalë por që ka kërkuar njëkohësisht që dëshmitë të jenë krejtësisht të sigurta. "Shenja mbizotëruese" të prapambetjes mentale të të akuzuarit, vlejnë në shtete të tjera federale por jo në Xhorxhia.

E mundshme pjesëmarrja në jetën e përditshme

"Kjo është një tragjedi e tmerrshme," mendon Richard Dieter, drejtor i Death Penalty Information Center, një qendre informacioni për temën e dënimit me vdekje. "Edhe vetë gjykatësi i Xhorxhias që është marrë me rastin e tij, thotë se Hill ka shenja të prapambetjes mendore".

Avokati i Hillit, Brian Kammer deklaroi se është "shokuar" nga refuzimi i kërkesës për mëshirë.  Warren Lee Hill do të ekzekutohet të mërkurën në mbrëmje (18.07.2012) me injeksion vdekjeprurës. Sipas të dhënave të Amnesty International dhe "Death Penalty Information Center" këtë vit në SHBA janë ekzekutuar 23 vetë.