1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ekstremizmi i krahut të djathtë - rrezik i fshehur në Kroaci

Edhe pse në Kroaci ekziston ekstremizmi i djathtë në disa nivele, barra e luftës kundër tij bie kryesisht mbi shoqërinë civile dhe mediat.

Pamje ilustruese: Dhuna ekstremiste e djathtë shihet si në stadiume, ashtu edhe në sulmet në rrugë

Pamje ilustruese: Dhuna ekstremiste e djathtë shihet si në stadiume, ashtu edhe në sulmet në rrugë

Racizmi në historinë e re kroate manifestohet në mënyra të ndryshme: në ndeshjet e futbollit, tifozët nga tribuna hedhin banane në drejtim të lojtarëve, në koncertet e një prej yjeve më të njohura të muzikës popullore adhuruesit krejt të papenguar bartin simbole fashiste. Vitin e kaluar nuk është lejuar mbajtja e një koncerti të grupit neonazist "Blue Max" në Bukovj afër Krizhevcit ndërsa këtë vit nga Spliti në botë u përhapën pamje, në të cilat një grup qytetarësh sulmuan egërsisht pjesëmarrësit e "Krenaria e Splitit". Këto janë fenomene ndaj të cilave shoqëria reagon me fushata të ndryshme dhe presion të shoqatave të qytetarëve dhe medieve por vetë shteti bën shumë pak për t'i çrrënjosur këto fenomene.

Ekstremizmi i krahut të djathtë në dy nivele

Sipas Qendrës për barazinë e LGBT ( lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transvestitëve) ekstremizmi i djathtë në Kroaci është i ndarë në neoustash, i cili merr formën e organizimit institucional përmes një numri të partive politike dhe siç thuhet ka edhe një lloj logjistike. Në të njëjtën kohë, ekziston një lëvizje neonaziste që bie më pak në sy dhe ndryshe nga lëvizja neoustashe është definuar me udhëzimet kombëtare dhe Luftës së Dytë Botërore në Kroaci dhe orientohet nga historia raciste. Ky lloj ekstremizmi është më shumë i lidhur me sportin dhe është i pranishëm nga stadiumet deri tek grupet më pak të organizuara dhe të lidhura dobët që nuk kanë ndonjë problem të lidhen në rrjet me grupet e ngjashme në Serbi, Bullgari ose në Britaninë e Madhe.

Alen Budaj

Alen Budaj, drejtor i Institutit Margel, Zagreb

Me këtë ndarje pajtohet dhe Alen Budaj, drejtori i Institutit Margel në Zagreb i themeluar si shoqatë joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të pakicës hebraike në Kroaci. Ai shpreh bindjen se në Kroaci nuk ka aq rrezik nga neonazizmi, gjë që nuk mund të thuhet edhe për për rrezikun neoustash, i cili aktualisht është shumë mirë i organizuari në internet. Ata që nxisin këtë ideologji mblidhen më së shumti nëpër faqet e internetit, forume dhe kanale të "youtube" nëpërmjet të cilave shpërndajnë materialet e tyre ideologjike.

Gjithçka fillon në familje

Bëhet fjalë për njerëz të rinj të cilët qysh në moshë të re janë infektuar me neofashizmin dhe ideologjinë neoustashe, thotë Budaj, duke shtuar se këta njerëz e dinë shumë mirë se çfarë është nazizmi dhe çka do të thotë të bësh thirrje për vrasjen e një grupi. "Ata janë të të vetëdijshëm për këtë dhe mendoj se me sjelljen e tyre radikale kontribuojnë në këtë komunitet, ashtu siç kanë menduar anëtarët e rinisë ustashe në vitin 1941", tha Budaj për Deutsche Welle.

Rrezikun më të madh ai e sheh tek partitë kroate joparlamentare ultra të djathta të cilat në programet e tyre kanë elemente të esktermizmit neoustash, veçanërisht në qoftë se kriza ekonomike do të krijonte kushtet që ato të dalin në skenën e vërtetë politike dhe të bëhen pjesë e qeverisë.

Pamje ilustruese. Neoustashët nuk duan të përmenden me emër

Pamje ilustruese. Neoustashët nuk duan të përmenden me emër

Edhe pse ne kemi provuar që për këtë temë të kontaktojmë me disa pjesëtarë aktiv të komunitetit neonazist dhe neoustash në internet, asnjë prej tyre nuk deshi që të qëndrojnë me emër dhe me mbiemër të plotë pas ideologjisë. Ata thonë se bindja e tyre mund t'iu shkaktojë dëme në jetën e tyre të përditshme, por në të njëjtën kohë janë të bindur se ideologjia e tyre është e drejtë. Kur është fjala për neonazistët, komunitetet virtuale të të cilëve veprojnë në arenën ndërkombëtare, ata nuk dyshojnë aspak për superioritetin e racës të bardhë që duhet të ruhet me çdo kusht. Njëjtë është edhe me neoustashët, të cilët historinë e hapësirave kroate të shkruajtur në shekullin e kaluar e quajnë të flasifikuar dhe mbijetesën e shtetit kroat e shohin vetëm në ruajtjen dhe promovimin e "vlerave" të NDH-së (Nezavisna Država Hrvatska - Shteti i Pavarur Kroat), shtetit i cili ka funksionuar nën protektoratin e Gjermanisë naziste.

Falsifikimi i historisë për qëllime elektorale

Qytetarët kroatë së shpejti do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare, të cilat asnjëherë nuk paraprihen nga fushata e shkurtër zyrtare zgjedhore. Por fushata jozyrtare po vazhdon ka disa muaj dhe grupet e të djathtës ekstreme, por edhe parti të djathta dhe të qendrës u përpoqën të barazojnë fashizmin me regjimin komunist. Përpjekjet e tilla janë të rrezikshme, thotë drejtori i Institutit Margel sipas të cilit është e papranueshme që anti-fashistët të shpallen kriminelë.

Autor: Sinisha Bogdaniq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi