1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ekstremizmi i djathtë: të penduarit e kanë të vështirë

Ai që dëshiron të shkëputet nga ambjenti nazist, duhet të llogarisë hakmarrje nga kjo skenë. Inisiativat e shoqërisë civile u ofrojnë personave që duan të shkëputen ndihmë, të cilën shteti nuk ka mundësi t'ua japë.

Gruaja, që dikur quhej Tanja Privenau nuk dëshiron që ta njohin, sepse ka shumë armiq. Këta armiq kanë qenë dikur shokët më të mirë, kur ajo ishte ende nacionalsocialiste e bindur. Nga skena naziste, Tanja Privenau u shkëput më 2005, që atëherë ajo bën "një jetë të re me kufizime". Për të kaluarën e saj ekstremiste të djathtë dhe për të tashmen e vështirë, e reja informoi të martën (11.02.2014) në ambjentet e Fondacionit Antonio Amadeu në Berlin. "Nazistët jashtë! Po pastaj?" e kanë titulluar mikpritësit aktivitetin e tyre. Me këtë ata duan të shprehin pakënaqësinë e tyre. Sepse thirrjet për t'u shkëputur nga skena ekstremiste e djathtë nuk shoqërohen me mbështetje të mjaftueshme shtetërore për ata, që duan t'i kthejnë kurrizin ekstremizmit të djathtë. Tanja Privenau e quan shkëputjen e saj nga skena ekstremiste e djathtë si "jo shumë perfekte dhe të mbarë". Ajo ka parasysh me këtë përvojat që ka pasur me autoritetet, si Zyra për Mbrojtjen e Kushtetës. "Ata nuk u gëzuan fare, kur u shfaqa unë", i përmbledh nëna e tri fëmijëve përvojat e saj të nëntë viteve të shkuara.

Babai ekstremist i djathtë kërkon të drejtën e përkujdesjes për fëmijët

Në këtë periudhë, Tanja Privenau është shpërngulur shpesh nga një land i Gjermanisë në tjetrin, për t'u shpëtuar ndjekjeve. Odiseja e saj ishte dhe është në radhë të parë një arrati nga ish-burri i saj, i cili vazhdon të jetë aktiv në skenën ekstremiste të djathtë në Veri të Gjermanisë, siç thotë ajo. Me disa procese gjyqësore ai u përpoq të merrte të drejtën e përkujdesjes për tri djemtë e përbashkët. Në sajë të një dispozite provizore të Gjykatës Kushtetuese për momentin fëmijët janë të mbrojtur nga kalimi në pëkujdesjen e diskutueshme të babait. Por ai nuk heq dorë dhe do ta çojë çështjen përpara Gjykatës së Lartë Federale.

Anetta Kahane, Fondacioni Antonio Amadeu

Anetta Kahane, Fondacioni Antonio Amadeu

Anneta Kahane, kryetare e Fondacionit Antonio Amadeu kërkon prej shumë vitesh më shumë mbështetje, dhe para së gjithash mbështetje më të mirë shtetërore. Ekstremistë të djathtë të radikalizuar janë në gjendje të kryejnë krime, thotë Krahane duke pasur parasysh NSU, grupin Bota Ilegale Nacionalsocialiste.

"Exit" mbështet "çradikalizimin"

Për të penguar më të keqen, inisiativa Exit Deutschland mbështet "çradikalizimin". Me këtë, kryetari i Exit-it, Bernd Wagner ka parasysh ndikimin te ekstremistët e djathtë që "nisin të lëkunden". Te Tanja Privenau lëkundja nisi pas rreth dhjetë vjetësh. Ajo pati vënë re rritjen e gatishmërisë për dhunë dhe së fundi përjetoi vetë "dhunë në shtëpi" - si dënim për ndryshimin e qendrimit.

Bernd Wagner, nga Exit

Bernd Wagner, nga "Exit"

Më shumë se 500 persona me dëshirë për t'u shkëputur nga ekstremizmi ka ndihmuar "Exit" sipas të dhënave të veta që prej vitit 2000, vetëm 13 janë rikthyer tek ekstremistët. Me ndihmën e biografive dhe të përjetimeve të të penduarve, inisiativa e tij bën analiza dhe u përgjigjet pyetjeve të hapura, thotë shefi i "Exit"-it, Wagner: "Çfarë lëviz në brendësi të skenës? Cilat janë strategjitë që ka ajo? Ku janë pikërëndesat e veprimit?" Tanja Privenau është e gëzuar që është mbështetur për një kohë të gjatë nga "Exit". Ajo falenderon edhe kryetarin e Grupit Parlamentar të Majtë në Bundestagun Gjerman, Gregor Gysi. Juristi i jep këshilla juridike së penduarës.

"Unë dëshiroj të vë një kufi në shoqërinë tonë - së brendshmi dhe së jashtmi", thotë Gysi. Për shkak të historisë gjermane dhe të politikës gjermane ka një kufi, i cili nuk duhet kapërcyer. Dhe kur kalohet, është e rëndësishme që shoqërisë t'i thuhet: "Kjo është antikushtetuese", thotë Gysi.