1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ekstremizmi i djathtë në ushtrinë gjermane: Von der Leyen në kërkim të gjurmëve

Rasti Franco A. ngre pikëpyetje. Njëra prej tyre: si vazhdoi të qendrojë ai në ushtrinë gjermane, megjithë mendësinë e tij ekstremiste të djathtë? Këtë përpiqet ta sqarojë ministrja gjermane e Mbrojtjes von der Leyen.

Kur para disa ditësh qarkulloi një lajm që dukej grotesk, me siguri që askush nuk e merrte me mend se sa ç'vëmendje do të tërhiqte. Përmbajtja e lajmit: një ushtar i ushtrisë gjermane u hoq për shumë muaj si refugjat sirian, për të planifikuar një atentat. Ndërkohë e gjitha është shndërruar në një skandal të vërtetë, i cili bën të lëkundet para së gjithash ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Për të hedhur pak dritë në errësirë, ajo udhëtoi vetë në Illkirch të Francës, ku qe stacionuar oficeri Franco A. Ditët e fundit u bë e ditur se ai ka ushqyer një ideologji ekstremiste të djathtë dhe e ka komunikuar këtë në mënyra të ndryshme. Në fundjavë u bë e ditur se ushtria gjermane, Bundeswehri e dinte këtë që në vitin 2014, por nuk e suspendoi nga shërbimi oficerin. Një ekip hetimor zbuloi veç kësaj në kazermën Illkirch vizatime të kryqit të thyer nazist dhe emblema të Wehrmachtit.

Ideologji nacionaliste e shoviniste

Të dhëna të tjera për mendësinë e Franco A. mund të gjenden edhe në punimin e masterit të tij. Me këtë punim ai përfundoi në dhjetor 2013 studimet e shkencave politike dhe sociale në shkollën e famshme ushtarake franceze Saint-Cyr.

Si revista "Der Spiegel", ashtu edhe gazeta "Die Welt" kanë në duar një ekspertizë, në të cilën Drejtori i Universitetit, Antoine Windeck, shkruan për këtë punim se karakterizohet nga racizmi dhe teoritë e komploteve për shuarjen e racave evropiane. Punimi përfundimtar është kategorizuar "jo kalueshëm". Në një shënim në akte drejtuar kolegëve gjermanë të Bundeswehrit Windeck, sipas medieve, është i qartë: "Po të kishte qenë ky një francez që e ndiqte kursin tonë, do ta kishim larguar".

Ursula von der Leyen në Illkirch

Ursula von der Leyen në Illkirch

A. shkruante për një gjoja "gjenocid" ndaj shoqërive perëndimore, të cilat për shkak të "imigrimit masiv" ndodhen në rrugën e tatëpjetës, raporton "Der Spiegel". Punimi është shkruar në mënyrë subjektive dhe të lë përshtypjen e një pamfleti personal nxitës.

Një sërë pyetjesh mbeten megjithatë pa përgjigje: Si mund të mbeteshin tendencat ekstremiste të djathta të Franco A. për vite të tëra pa pasoja? A kishte rreth vetes oficeri i Bundeswehrit një rrjet të plotë ekstremistësh të djathtë? Dhe: a ekziston një sistem i fshehjes dhe i mbulimit te ushtarët gjermanë?

Kritikë e përgjithshme?

Pikërisht për këto i akuzoi Ursula von der Leyen trupat e saj të dielën. Ajo sheh një "frymë komuniteti të kuptuar gabim" si një nga shkaqet për zbulimin e vonë të Franco A. Politikania e CDU-së i akuzon ushtarët se nuk kanë mbajtur qendrim dhe se kanë treguar dobësi në drejtim - dhe se shumë nuk e dinin se kur konsiderohej i kaluar kufiri drejt ekstremizmit. Pas kësaj, si politikanë, ashtu edhe funksionarë të Bundeswehrit e kritikuan von der Leyen se ushtron kritikë në mënyrë shumë të përgjithshme. Përfaqësues të të gjitha partive kërkojnë tani sqarim, nëse ka pasur një rrjet ekstremist të djathtë rreth oficerit të Bundeswehrit Franco A. Disa medie raportuan se në planet e atentateve të oficerit mund të kenë qenë të përfshirë deri në katër ushtarakë të tjerë.