1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekstremizmi dhe terrorizmi janë rastësi?

23 Tetor 2010

Të martën (19.10.) në Wiesbaden filloi takimi i vjeshtës i Entit Federal të Kriminalistikës (BKA). Njëra nga temat është, përse bëhet njerëzit ekstremistë? Çfarë i motivon të kryejmë akte terroriste?

https://p.dw.com/p/PlqO
Fotografi: picture alliance/dpa/DW-Montage

Në se dikush bëhet ekstremist, apo terrorist, ka pak të bëjë me tiparet e personalitetit të tij. Njeriu nuk lind radikal i djathtë, ekstremist i majtë, apo islamist. Zbulimi që në procesin e radikalizimit të personave, që kryejnë akte dhune me motive politike, ideologjia luan një rol anësor, është diçka e re. Dhe pikërisht në këtë konkluzion arrijnë studjuesit e Entit Federal të Kriminalistikës (BKA) në Viesbaden.

„Sipas rezultateve të studimit tonë ne do të donim të pohonim, se një faktor shumë i rëndësishëm i (radikalizimit) është mjedisi shoqëror, ku është rritur personi. Ideologjitë, që mbishtresohen, nuk përbëjnë motivimin kryesor“, thotë Uwe Kemmesies, drejtues i qendrës kërkimore të BKA-së për terrorizmin dhe ekstremizmin.

Roli i familjes

Ausschnitt Fahndungsplakat Eric Breininger
Personat e kërkuar.Fotografi: picture-alliance /dpa

Në studimin cilësor „Këndvështrimi i të tjerëve“ u pyetën 30 persona të dënuar për dhunë të motivuar politikisht nga mjediset e ekstremizmit të djathtë dhe të majtë si dhe islamizmit dhe nëntë simpatizantë. U analizuan biografitë e tyre, rruga e tyre drejt terrorizmit. Një rol të rëndësishëm këtu luante familja.

„Ne supozojmë se këto persona për një kohë të gjatë janë rritur në struktura familjare jofunksionale, është si të thuash situata e "broken home". Pra ose janë rritur vetëm me babain, apo mamanë, kanë qenë për një kohë të gjatë në një shtëpi fëmije, ose janë rritur tek farefisi. Pra strukturat familjare kanë qenë tej mase të ngarkuara. Dhe siç tha një i intervistuar: mjedisi ekstremist, grupi, ka qenë si të thuash, ambjenti që ka zëvendësuar familjen.“

Ky zbulim është i njëjtë me studimin Schell për të rinjtë, i botur tani së fundi. Në këtë studim të rinjtë në Gjermani kanë cilësuar miqtë dhe familjen si dy vlerat më të rëndësishme.

Nga fakti, që rrethanat sociale dhe sidomos ata familjare luajnë një rol vendimtar për radikalizimin, studjuesit nxjerrin një konkluzion tjetër befasues: Në shumicën e rasteve varet nga rastësia, se kush përfundon në këtë, apo atë lloj ekstremizmi.

Ndikimi i shoqërisë dhe kritikët e studimit

„Mund të hedhësh në mënyrë pak të ekzagjeruar tezën, se një ekstremist i majtë do të ishte nga lagja e portit të Hamburgut, po të ishte rritur në një komunë të vogël gjermanolindore, ai do të ishte bërë ekstremist i djathtë, dhe anasjelltas", pohon ai.

„Këndvështrimi i tjetrit“, kështu titullohet studimi, do të sugjerojë një kënd të ri vështrimi në studimin e ekstremizmit: Këtu merren në pyetje dorasit, biografia e tyre është në qendër. Një studim i tillë cilësor mundëson një vështrim më të thellë në rastet e veçanta, thonë studjuesit.

Archiv 7 Jahrestag der Anschläge vom 11. September
Sulmet terorirste të 11 shtatorit.Fotografi: DPA

Por këtu qëndron edhe ana e dobët e studimit, thonë kritikët e saj. Meqenëse janë pyetur vetëm pak persona dhe nga mjedise të ndryshme ekstremiste, studimi nuk është shumë domethënës, konstaton Christian Pfeiffer, ekspert i njohur për ekstremizmin dhe drejtor i Institutit për Studime kriminalistike në Saksoninë e Poshtme. Sidomos kur është fjala për islamistët, studimi është shumë i vagullt.

„Studimi në lidhje në islamistët nuk është argumentuar thellësisht, sepse janë marrë në pyetje vetëm gjashtë persona. Këto janë konstatime, por një përgjithësim për të gjithë skenën islamiste nuk është i munduru."

Që ideologjia është në plan të dytë, mund të thuhet në rastin e radikalëve të djathtë dhe ekstremistëve të majtë, por kjo nuk vihet re tek terroristët e motivuar nga islamizmi, thekson Pfeiffer. Dorasit e 11. shtatorit e dëshmojnë këtë: „Ata nuk vinin nga grupe të margjinalizuara sociale, ata kanë ardhur në Hamburg nga familje të qëndrueshme, kanë bërë atje një jetë krejt normale si studentë dhe janë bërë pastaj terroristët më të këqinj, përsa i përket pasojave, që ka njohur deri tani historia botërore."

Për studjuesit e Entit Federal të Kriminalistikës (BKA) ky është një fenomen, që është vënë re tek terroristët ekstremistë të majtë të Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe (RAF). Çdo brez i mëvonshëm është më pak i motivuar ideologjikisht dhe e kërkon mbështetjen gjithnjë e më shumë në një mjedis të caktuar social, thotë Kemmesies:

„Natyrisht, ideologjitë luajnë rol për lëvizjet dhe grupimet e mëdha. Ideologjive u bashkangjiten pastaj me mjediset, që bëhen tërheqëse për persona të caktuar. Po përse janë aq tërheqëse për këto individë? Kjo më pak për shkak të ideologjisë, sepse këto grupe ofrojnë një lidhje të caktuar sociale: përkatësi, zbavitje, aventurë.“

Autor: Zoran Arbutina/Angjelina Verbica

Redaktoi: Bahri Cani