1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ekstremistët e djathtë po fitojnë terren në Francë

Nën drejtimin e Marine Le Pen, Fronti Nacional ka fituar shumë terren në Francë. Partitë e ekstremit të djathtë janë duke u kthyer në trend në Europë. Një test i vërtetë do të jenë zgjedhjet europiane të majit.

Marine Le Pen gëzon: Partia e saj shkon nga njëri sukses në tjetrin. Në zgjedhjet kantonale në Jug të Francës (13.10.2013) kandidatja e Frontit fitoi më një diferencë të madhe ndaj kundërshtarëve socialistë dhe konservatorë. Sipas një sondazhi të bërë për zgjedhjet për Parlamentin Europian vitin tjetër, Fronti Nacional rënditet në vend të parë dhe Marine Le Pen ka arritur tashmë shifra rekord të popullaritetit. 42 përqind e të rinjve francezë të pyetur kishin një mendim pozitiv për kryetaren 45 vjeçare të partisë. Ndërsa kjo shifër për presidentin socialist Franccois Hollande, është vetëm 35% dhe në shifra të tjera ai del akoma më keq.

Si ka mundësi që në një vend anëtar të Bashkimit Europian një parti e ekstremit të djathtë të mundë partitë tradicionale? Marine Le Pen lufton kundër përcaktimit si "ekstremiste e djathtë" dhe ndonjëherë me sukses. Nën babain e saj, veteranin e luftës së Algjerisë Jean-Marie Le Pen, shumë vetë i kthyen kurrizin partisë. Le Pen e quajti Holokaustin si një "detaj" të historisë.

Fëmijë romë në Francë

Fëmijë romë në Francë

Në të njëjtën linjë

Europa është duke e vëzhguar me shqetësim. Evelyne Gebhardt është një Europarlamentare pjese e socialdemokratëve, e cila ka jetuar për një kohë të gjatë në Francë. Në një intervistë për DW ajo thotë se Marine Le Pen "ka ndryshuar vetëm gjuhën e partisë, në mënyrë që të mos shfaqet gjuha e dhunës, ndërsa idetë kanë mbetur të njëjtat". Sylvie Goulard është deputete franceze në Parlamentin Europian, pjesë e Liberalëve. Në qytetin e saj Marsejë, Fronti Nacional ka qenë tradicionalisht i fortë. "Marine Le Pen luan me frikën e njerëzve dhe për shkak të kësaj ajo është ndoshta më e dhunshme se babai i saj", shprehet Goulard.

Edhe politikanët e partive të tjera, nuk e demonizojnë më Frontin, por në një farë mënyre shkojnë me linjën e tij. Ministri i Brendshëm socialist Manuel Valls akuzoi të rinjtë romë nga Bullgaria dhe Rumania se nuk kanë vullnet për t'u integruar dhe se kanë një stil tërësisht të ndryshëm jete. Presidenti Hollande nuk reagoi kundër kësaj deklarate, duke ditur se 77% e francezëve janë dakort me mendimin e Valls. Por edhe paraardhësi i tij, konservatori Nicolas Sarkozy kishte folur kundër emigrantëve.

Populistët e djathtë si fitues të krizës

Problematika nuk ka të bëjë vetëm më mospëlqimin ndaj të huajve. Të djathtët janë duke përdorur edhe krizën ekonomike. Gjermania Evelyne Gebhardt thotë se shumë qytetarë "jo vetëm në Francë, por edhe në vende të tjera të Bashkimit Europian, kanë përshtypjen se politika nuk i ka gjërat nën kontroll". Ndërsa Sylvie Goulard shton: "Për shumë francezë situata është e vështirë. Një gjë e tillë nënvlerësohet në vendet fqinje, duke përfshirë edhe Gjermaninë."

Marine Le Pen dhe babai i saj janë europarlamentarë

Marine Le Pen dhe babai i saj janë europarlamentarë

Veçanërisht papunësia e lartë tek të rinjtë i shtyn ata drejt njerëzve me zgjidhje të thjeshta. Goulard nuk është kundër politikave të kursimit Europiane, që Hollande nuk i ka mbështetur asnjëherë. "Stabiliteti monetar është i rëndësishëm, por gjithashtu edhe stabiliteti politik i vendeve fqinj me Gjermaninë është po aq i rëndësishëm." Socialdemokratja Evelyne Gebhardt nuk sheh perspektivë për njerëzit: "Ne shpëtojmë bankat, por jo qytetarët."

Test votëbesimi në zgjedhjet për Parlamentin Europian

Në të gjithë Europën tashmë ekziston frika se për shkak të krizës, njerëzit do të votojnë për partitë e djathta. Si në Greqi, Itali, Hungari apo Holandë, gjithashtu në vende të fuqishme apo të dobëta ekonomikisht, kudo ka parti të tilla që po fitojnë terren, me një përjashtim të madh: Gjermaninë. Evelyne Gebhardt e shpjegon kështu: "Në Gjermani funksionon tabuizimi i ekstremizmit të djathtë, ndërkohë që në Francë vetë qeveritarët i kanë dhënë atij jehonë. Më duhet të paralajmëroj nga një gjë e tillë. Po qe se një gjë e tillë do të ndodhte edhe në Gjermani, papritur do të kishim të njëjtin problem."

Testi i radhës për të gjithë Bashkimin Europian do të jetë në Maj të vitit 2014, në zgjedhjet për Parlamentin Europian. Votimi do të tregojë nëse zemërimi dhe zhgjënjimi do të përkthehet në vota për të djathtët. Në favor të partive ekstreme është se shumë qytetarë mendojnë se zgjedhjet Europiane janë më pak të rëndësishme se ato kombëtare dhe aty mund të japin një votë proteste.