1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ekstremistët e djathtë në Poloni- rrezik i moderuar për shtetin

Pas rënies së komunizmit në Poloni, formohen organizata të reja ekstremiste të djathta. Në politikë ata nuk luajnë ndonjë rol, por veprimet e dhunshme të ekstremistëve të djathtë nuk janë rralla

Pamje nga veprimet e dhunshme të esktremistëve të djathtë në Poloni

Pamje nga veprimet e dhunshme të esktremistëve të djathtë në Poloni

Mbi 50 vrasje të pjesëtarëve të pakicave etnike, fetare apo seksuale janë kryer në Poloni në tre dekadat e fundit. Vecanërisht brutale ishte megjithatë ajo që ndodhi në gusht 1990: atëherë tre naziskinë nga Varshava rrahën për vdekje me shkelma 25-vjecarin Piotr Wozniak në një breg të Detit Balltik. Shkaku i sulmit ishte pamja e jashtme e viktimës: i riu kishte flokë të lyera bjondë. Për sulmuesit kjo nuk ishte mashkullore sa duhet. Në „Librin kaf“ Marcin Kornak ka dokumentuar këtë dhe krime të tjera të motivuara nga ekstremizmi i djathtë mes viteve 1987 deri 2009.

„Ne vazhdojmë të mbledhim informacione për krime të tilla. Dikush duhet ta bëjë këtë”, thotë Kornak. Pasi institucionet ekzistuese, të cilat duhet të merreshin me problemin, nuk janë aq aktive sa duhet, thotë kryetari i shoqatës “Kurrë më”, e cila angazhohet kundër dhunës dhe ksenofobisë.


"Dhuna raciste është një fenomen real në Poloni“, thotë edhe sociologu Rafal Pankovski. Me këtë problem ai merret hollësisht në librin e tij “E djathta populiste ekstreme në Poloni: Patriotët”. Viktima të dhunës nuk janë megjithatë vetëm pjesëtarë të pakicave etnike, fetare apo seksuale, por edhe feministe e madje edhe të pastrehë, thotë Pankovski.

„Polonia për polakët”

Ekstremizmi i djathtë në Poloni

Ekstremizmi i djathtë në Poloni



Në Poloni mungon një përkufizim i saktë i konceptit „grupime ekstremiste të djathta“, ankohen ekspertët. Shpesh partitë e djathta për shembull është e vështirë të dallohen në diskutimin social dhe politik nga grupimet ekstremiste të djathta, konfirmon sociologu Pankovski. Një provë për këtë sociologu e sheh në pjesëmarrjen e deputetëve të partisë opozitare „E drejta dhe drejtësia“ të Jaroslav Kacinskit në „marshin e pavarësisë“ para pak kohësh. Marshimi prej vitesh mbahet në 11 nëntor, në ditën e pavarësisë së Polonisë, dhe organizohet nga partia „Kampi nacional-radikal“ (ONR) dhe „Rinia mbarëpolake“. Dy grupime, të cilat përfaësojnë pikëpamje radikale të djathta.

Përpjekja për një „shoqëri monoetnike“ është ajo që bashkon grupe të ndryshme ekstremiste të djathta në Poloni, shpjegon Pankovski. Mendime të tilla përfaqësohen nga anëtarë të „Kampit nacional-konservator“ (ONR), „Rinisë Mbarëpolake“ apo „Ringjalljes Kombëtare të Polonisë (NOP). Në faqen e internetit të ONR-së madje mund të lexosh: „Polonia për polakët“. Të tre organizatat i referohen traditës së nacionalizmit radikal në Poloni në vitet '20 dhe '30.

Anëtarë nga të gjitha ambientet

Ekstremizmi i djathtë në Poloni - libër për këtë temë (Libri kaf)

Ekstremizmi i djathtë në Poloni - libër për këtë temë (Libri kaf)

Aktivistët e këtyre grupimeve të djathta janë para së gjithash të rinj dhe madje jo vetëm ata „pa perspektivë“, por edhe ata që jetojnë në mirëqënie. „Në mesin e anëtarëve ka si studentë ashtu edhe të papunë. Por tek ta gjen edhe tifozë futbolli dhe naziskinë“, shton Pankovski. Nuk ka të dhëna të sakta se sa anëtarë kanë këto lëvizje. Informacione jep interneti - në Facebook për shembull një parti si NOP ka disa mijëra simpatizantë.

„Ekstremizmi i djathtë në Poloni vitet e fundit ka fituar shumë rëndësi“, thotë Pankovski. Krahas partisë NOP, e cila ekziston që prej viteve ‚80 dhe asaj ONR, e aktivizuar sërish në vitet ‚90, po lindin gjithnjë e më shumë grupime, të cilat në ideologjinë e tyre i referohen direkt nacionalsocializmit.

Fjala është kryesisht për degë polake të grupimeve të huaja ekstremiste të djathta, si ato britanike „Combat 18“ apo „Blood and Honour“ (Gjaku dhe nderi). Lidhjet me organizatat neonaziste gjermane nuk janë aq të forta. Më të rëndësishme janë bashkëpunimet me lëvizje italiane apo angleze, thotë sociologu Pankovski.

Degët polake të „Combat 18“ apo „Blood and Honour“ janë kryesisht aktivë në ilegalitet, shpjegon Marcin Kornak. „Rreziku më i madh buron më shumë nga partitë si ONR“, mendon autori i „Librit kaf“. Pasi kjo parti është e lejuar zyrtarisht dhe kushdo mund të anëtarësohet tek ajo.

Të ndaluar, por jo të përndjekur

Autori i librit mbi ekstremizmin Das braune Buch Marcin Kornak

Autori i librit mbi ekstremizmin "Das braune Buch" Marcin Kornak



Kohët e fundit në Poloni ka bërë zhurmë e ashtuquajtura „Listë e vdekjes“, thotë Kornak. Ajo u publikua në faqen e internetit « redwatch.org », e cila i përket një grupi neonazist. Atje u postuan foto dhe adresa të të ashtuquajturve „armiq të racës së bardhë“. Në listë ndodheshin aktivistë të majtë, antifashistë dhe feministë. Megjithë nxitjen për dhunë publike vetëm pak persona morën dënime me burg. Faqja e internetit u bllokua, por ndërkohë « redwatch.org », është aktivizuar përsëri. „Ky incident tregon se sa shumë ka mbetur në vend drejtësia polake. Qarqet neonaziste është e vështirë të kontrollohen“, thotë Rafal Pankovski.

Në të vërtetë aktivitetet e grupeve nacionaliste dhe fashiste janë të ndaluara me kushtetutë. Problemi qendron në zbatimin e ligjit, thotë Pankovski. Vetëm njëherë është aplikuar ligji deri tani: në vitin 2009 një nga qendrat e ONR-së u mbyll për shkak të përhapjes së përmbajtjeve fashiste.


Rrezik i moderuar për shtetin

Partitë ekstremiste të djathta si ONR dhe NOP nuk janë organizata masash me mbështetje të madhe publike, shpjegon sociologu. „Megjithatë ato nuk duhet të nënvleftësohen, pasi vitet e fundit janë zhvilluar në mënyrë shumë dinamike“, konkludon Pankovski. Vec kësaj ndodhin gjithnjë e më shpesh agresione apo dhunë në stadiume apo koncerte roku. Nga partitë e djathta nuk buron asnjë rrezik për rendin politik, mendon Jan Zaryn, historian në Institutin e Memorjes Kombëtare. Deri tani „në Poloni nuk ka asnjë parti që të përfshijë terrorizmin si formë të luftës në programin e saj politik“, shpjegon Zaryn. Gjithashtu, asnjë parti ekstremiste e djathtë nuk ka arritur të marrë ndonjëherë një vend në parlamentin kombëtar.

Autor: Anna Maciol/Eliana Xhani

Redaktoi: Mimoza Kelmendi