1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ekstremistë të djathtë maskohen si gazetarë

Neonazistët hiqen si gazetarë dhe bëjnë fotografi të demonstruesve dhe të gazetarëve, që janë kundër tyre.

Gjatë demonstratave neonazistët dhe kundërdemonstruesit janë të ndarë në mënyrë rigoroze prej policisë. Por gjithnjë e më shpesh anëtarë të skenës së djathtë, arrijnë t'i kapërcejnë pengesat, jo me forcë, por duke paraqitur një dokument si gazetarë. Ata u afrohen kështu kundërshtarëve të tyre si dhe gazetarët që raportojnë për ngjarjen, mjaft afër. Ata bëjnë fotografi të demonstruesve dhe të gazetarëve apo i filmojnë ata. Më pas ata i gjejnë personat në bazë të fotografive dhe i kërcënojnë.

Ky abuzim i dokumentit të gazetarit është rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë një viti, tha në bisedë me DW gazetari Felix M. Steiner. Steiner shkruan për blogun Watchblog Publikative.org, për Norddeutscher Rundfunk dhe "Störungsmelder" të gazetës Zeit Online. Tema kryesore e tij është e ekstremizimi i djathtë. "Kur një gazetar raporton për një demonstratë të ekstremistëve të djathtë, është e zakonshme që të shajnë, të kërcënojnë, apo të sulmojnë", thotë ai nga eksperienca personale.

Pengim i punës së gazetarëve

Me ndihmën e lejeve për gazetarë neonazistët hyjnë edhe në sallat e gjykatave dhe mundohen që të pengojnë punën e gazetarëve, p.sh. duke u bërë pis objektivat e aparateve fotografikë, apo të kamerave. Po ashtu ata i përdorin këto leje edhe për të mbledhur informacione të ndjeshme si p.sh. për taktikën, që do të përdorë policia gjatë demonstratave.

Të gjitha këto janë një nga elementet, që përdor skena e djathtë, për të krijuar "anti opinion publik" dhe për të përhapur pikëpamjet e tyre. Ata përdorin blogjet, rrjetet sociale dhe revista rajonale që shpërndahen falas për të përhapur idetë e tyre tek qytetarët. Qytetarët, që lexojnë revista të tilla gratis, nuk e kuptojnë menjëherë se përse është fjala, sepse ato përmbajnë një përzierje temash rajonale dhe federale, sqaron Steiner. Në disa rajone në Gjermani partia e djathtë NDP ka rrënjë të mira.

Leja e gazetarit nuk është e mbrojtur

Po si i marrin neonazistët lejet e gazetarit? Leja e gazetarit nuk është e mbrojtur me ligj, sikurse edhe titulli i gazetarit. Pra çdokush mund të sajojë vetë një leje të tillë, ose ta blejë atë, thotë zëdhënësi i Shoqatës Gjermane të Gazetarëve DJV, Hendrik Zërner.

Po ashtu jo të gjithë policët dhe punonjësit e rendit i njohin lejet e ndryshme, që lëshojnë shoqatat e gazetarëve si DJU, Verdi, apo BDZV. Nga ana tjetër edhe shoqatat e gazetarëve nuk mund të garantojnë qind për qind që një neonazist të mos marrë një leje gazetari të këtyre shoqatave. Gjithësesi një gjë e tillë deri tani nuk ka ndodhur, thotë zëdhënësi i Shoqatës Gjermane të Gazetarëve DJV, Hendrik Zërner, sepse këto shoqata kërkojnë, ose kontratën e punës, ose vërtetim nga media, ku punon gazetari, para se të lëshojnë një leje të tillë.

Leja federale e gazetarëve si zgjidhje?

Për t'i bërë lejet e gazetarëve të shoqatave serioze sa më të dallueshme prej atyre, që falsifikohen, DJV kërkon, që të futet në përdorim një dokument uniform kombëtar për gazetarët. Ky duhet t'u jepet ekskluzivisht gazetarëve profesionistë dhe mund të garantojë që të mos ketë raste të tjera delesh të zeza, thotë Zërner.