1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ekspozita: Rruga drejt ribashkimit të Gjermanisë

Vetëm njëmbëdhjetë muaj zgjati nga rënia e Murit të Berlinit deri në ribashkimin e Gjermanisë në vitin 1990. Ngjarjet e 25 viteve më parë i përkujton një ekspozitë, që mund të shihet në ekran në mbarë botën në 14 gjuhë.

Karriget e shefave zakonisht kanë pamje tjetër nga trungjet prej druri në atriumin e Ministrisë së Jashtme në Berlin. Por në këto karrige rustikale natyrore në mesin e korrikut 1990 kanë qenë ulur me të vërtetë pesha të rënda të politikës botërore: Presidenti sovjetik Mihail Gorbaçov, kancelari gjerman Helmut Kohl dhe ministri i Jashtëm gjermanoperëndimor Hans-Dietrich Genscher. Në fshatin Archys buzë Kaukazit të tre bisedojnë në mes të natyrës lidhur me një sensacion politik, i konsideruar për një kohë të gjatë i pamundur: ribashkimin e Gjermanisë. Jo më shumë se tre muaj më vonë ai u bë realitet - më 3 tetor 1990.

Mobiljet historike janë pjesë e ekspozitës "Rruga drejt bashkimit gjerman". Me qëllim që askujt të mos i shkojë mendja të ulet në ndjenjëset me forma jokonvencionale, ato i kanë rrethuar me një shirit të kuq. Kjo u bën vizitorëve të kuptojnë menjëherë se është fjala për diçka të veçantë. Në tavolinën të vogël në mes të karrigeve ndodhet fotografia, që 25 vjet më parë përshkoi gjithë botën. Pas Gorbaçovit dhe mysafirëve të tij nga Gjermania ndodhet bashkëshortja e shefit të Kremlinit, Raissa, dhe përfaqësues të shumtë të nivelit të lartë të të dy vendeve.

Kryetari i shtetit sovjetik Gorbaçov (1990) me kancelarin Kohl (djathtas) dhe ministrin e jashtëm Genscher.

Kryetari i shtetit sovjetik Gorbaçov 1990 me kancelarin Kohl (djathtas) dhe ministrin e Jashtëm Genscher.

Por natyrisht që procesi i bashkimit gjerman nuk është kaq i lehtë, siç sugjeron kjo fotografi. Për të është i nevojshëm pëlqimi i të gjitha fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore. Përveç Bashkimit Sovjetik duhet të japin dritën e gjelbër SHBA, Britania e Madhe dhe Franca. Kështu që dokumenti vendimtar quhet "Traktati dy-plus-katër". Këndej dy shtetet gjermane, në anën tjetër fuqitë fitimtare aleate. Me rastin e hapjes të ekspozitës Sekretari i Shtetit, Stephan Steinlein, flet për “një kryevepër diplomatike”.

Eppelmann: Minister për çarmatimin dhe mbrojtjen

Steinlein tregon se e ka përjetuar procesin e bashkimit si ambasador i fundit i Gjermanisë Lindore në Paris dhe përshëndet ish shefin e tij dhe ministrin e Jashtëm Markus Meckel. Aty është edhe Lothar de Maizière, kryeministri i vetëm RDGj-së i zgjedhur me votime të lira. Pranë tij është Rainer Eppelmann, nga 1990 deri në ditën e bashkimit ministër për Çarmatimin dhe Mbrojtjen. Me profesion murator dhe më vonë prift ai refuzoi shërbimin ushtarak në RDGJ dhe për këtë arsye u burgos. Sot ai është kryetar nderi i Fondacionit Kombëtar për Studimin e diktaturës së SED-së. Meckel angazhohet gjithashtu në këtë institucion.

Roli i politikanëve të RDGJ-së në vitin 1990 në procesin e bashkimit gjerman zakonisht lihet pak në harresë. Kjo pasqyrohet edhe në panelet në formë gjysmërrethi me 20 fotografi dhe tekste, si dhe në sekuencat filmike, që shfaqen në një ekran të vendosur në pozicion qendror. Kur është fjala për liderët politikë, dominojnë burrështetasit Gorbaçov, Kohl dhe Genscher. Por Meckel i kushton vemendje "perspektivave të ndryshme": Pa tryezën e rrumbullakët në javët pas rënies së Murit më 9 nëntor 1989, pa të vetmet zgjedhje të lira në RDGJ më 18 mars 1990, nuk do të kishte pasur ribashkim.

Meckel: Ribashkimi nuk ka qenë i vetëkuptueshëm

"Ne dëshironim një bashkim gjerman me marrëveshje", thotë Meckel. Për këtë ishin të nevojshme një parlament i zgjedhur me votime të lira dhe një "qeveri legjitime". Nënteksti i kësaj është se Helmut Kohl, kryeministri gjermanoperëndimor, i cili shpesh cilësohet si "kancelari i bashkimit", në sytë e Meckel nuk është i vetmi “ krijues” i ribashkimit. E kundërshtoj këtë imazh”, thotë Meckel. Fundi i ndarjes së Gjermanive nuk ka qenë i “vetëkuptueshëm”. Një ndër kushtet kryesore ka qenë njohja e kufirit perëndimor të Polonisë.

Aleanca 90, sot pjesë e të Gjelbërve ishin kundër bashkimit të RDGj-së me RFGj-në bazë të nenit 23 të Kushtetutës

"Aleanca 902, sot pjesë e të Gjelbërve, ishin kundër bashkimit të RDGj-së me RFGj-në në bazë të nenit 23 të Kushtetutës

Dëshmi për vlerësimet e Meckel-it mund të gjenden shumë në ekspozitën e Berlinit. "Fillim i ri: Gjermania dhe Polonia" quhet një kapitull, "Uniteti dhe integrimi evropian" një tjetër. Ndërmjet tyre gjenden stacione të rëndësishme si "Monedha, bashkimi ekonomik dhe social" në korrik 1990, tre muaj para ditës së bashkimit gjerman më 3 tetor. E gjitha kjo do të tregohet gjatë vitit në gjithë Gjermaninë në sallat e bashkive dhe shkollave. Kërkesa është e madhe, kjo e gëzon Ministrinë e Jashtme dhe Fondacionin e studimit të diktaturës së SED-së.

Ata e kanë konceptuar së bashku ekspozitën nën drejtimin e historianit Ulrich Mählert. E veçantë është, se ajo është në 14 gjuhë, nga arabishtja në turqisht. Me mbështetjen e ambasadave gjermane dhe institucioneve kulturore në vendet pritëse "Rruga e Bashkimit Gjerman" do të udhëtojë nëpër botë. Një nga stacionet do të jetë Koreja, një vend akoma i ndarë.