1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Eksportuesit gjermanë vazhdojnë të jenë optimistë

Presidenti amerikan Trump sapo u ankua edhe një herë në lidhje me eksportet e shumta gjermane, megjithatë eksportet gjermane sipas ekspertëve do të vazhdojnë të rriten.

Eksportuesit gjermanë janë aktualisht tepër të sigurt për perspektivat e shitjes së prodhimeve të tyre. Rezultatet e një sondazhi të Institutit të Kërkimeve Ekonomike IFO në Mynih tregojnë se indeksi i perspektivave të biznesit të kompanive gjermane arriti në maj nivelin më të lartë që nga janari 2014.

"Eksportet gjermane vazhdojnë të rriten," tha drejtori i institutit IFO Clemens Fuest. "Më i madh optimizmi është në sipërmarrjet e industrisë së veshjeve."

Edhe sipërmarrjet e sektorit të prodhimeve të makinerive kanë marrë shumë më tepër porosi nga jashtë. Indeksi i tyre arriti këtë vit nivelin më të lartë që nga shkurti i vitit 2011. Kurse në sektorin e industrisë elektrike dhe elektronike ka pasur një lloj uljeje.

Ankesat e Trumpit

Presidenti amerikan Donald Trump u ankua gjatë një takimi me përfaqësues të Bashkimit Evropian sërish për suficitin tregtar gjerman, i cili sipas mendimit të tij është tepër i lartë.

"Gjermanët janë të këqinj, tepër të këqinj" me këto fjalë e citon presidentin amerikan revista "Spiegel Online" duke ju referuar pjesëmarrësve në takim. "Shikoni miliona makinat që ata shesin në SHBA. E tmerrshme."

G7-Gipfel in Sizilien (picture-alliance/dpa/AP/E. Vucci)

Jo vetëm Trumpi edhe presidenti francez Emmanuel Macron janë ankuar për suficitin tregtar gjerman.

Bilanci i tregtisë mes Gjermanisë dhe SHBA-së është negativ për SHBA-në. Deficiti vitin e kaluar ishte rreth 65 miliardë dollarë - një fakt për të cilin Trumpi dhe këshilltarët e tij ankohen në mënyrë të përsëritur. Blerjet nga Gjermania kapën shifrën 114 miliardë dollarë, kurse shitjet e produkteve nga SHBA-ja në Gjermani  kapën vlerën 49 miliardë dollarë.

SHBA-ja është tregu më i madh për produktet gjermane. Veçanërisht të kërkuara janë makinat, makineritë dhe produktet e industrisë farmaceutike.

Trumpi nuk është i vetmi që është ankuar për suficitin gjerman. Edhe Christine Lagarde, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe presidenti francez Emmanuel Macron e kanë kritikuar suficitin tregtar gjerman.