1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Eksportet e armëve në Arabinë Saudite dhe kredibiliteti i SPD-së

Në marrëveshjen e koalicionit CDU/CSU dhe SPD ranë dakord për më tepër transparencë në lidhje me eksportet e armëve.

Gjermania dëshiron t'i shesë mbi 100 anije siluruese Arabisë Saudite. Opozita gjermane nuk është dakord me këtë. Partia e Majtë dhe të Gjelbrit e kundërshtojnë marrëveshjen. "Në direktivat e ligjit për eksportin e armëve të qeverisë gjermane, thuhet mjaft e qartë se nuk duhen miratuar eksporte armësh për vende ku ka shkelje masive të të drejtave të njeriut," thotë e ngarkuara për politikën e sigurisë e Partisë së Gjelbër, Agniezska Brugger. "Ndër këto vende bën shumë të qartë pjesë edhe Arabia Saudite." - thotë Brugger. Veçanërisht zhgënjyese është sipas saj qëndirmi i socialdemokratëve: "SPD-ja bëhet në sytë e mi krejtësisht e pabesueshme nëse e mbron tani këtë marrëveshje," thotë Brugger.

Agnieszka Brugger

Agnieszka Brugger

Kthesë e SPD-së lidhur me politikën e eksporteve të armëve?

Në vitin 2013 kur u bë publike marrëveshja me Arabinë Saudite, SPD-ja e cila ishte askohe në opozitë e kritikoi me forcë atë. Edhe në fushatën e fundit zgjedhore SPD-ja u shpreh për një politikë më të rreptë në lidhje me eksportet e armëve.

Së fundi zëvendëskancelari dhe Ministri i Ekonomisë Sigmar Gabriel (SPD) shpalli se do ta kufizojë shitjen e armëve jashtë vendit. Asnjë armë në vende ku ka luftëra civile dhe regjime të padrejta kishte thënë Gabriel në një intervistë me revistën "Stern".

Sigmar Gabriel

Sigmar Gabriel

Por duke qenë se tani partia e tij SPD është në qeveri, Gabriel e justifikon këtë marrëveshje duke thënë se silurueset janë anije patrullimi dhe Arabia Saudite nuk mund t'i përdorë ato si instrumente për të shtypur të drejtat e njeriut në vend. Po ashtu Ministria e Ekonomisë thotë qe shitje të tilla që lidhen me të detyrat legjitime të Arabisë Saudite, si patrullimi i kufijve detarë, janë edhe në interes të Gjermanisë.

Nuk priten ndryshime

Christian Mëlling, ekspert për armatimet në fondacionin SWP nuk pret që koalicioni i madh të ndërmarrë ndonjë ndryshim në lidhje me eksportet e armëve. "Ky do të ishte një ndryshim themelor i politikës dhe do të ishte në kundërshtim jo vetëm me politikat e qeverisë së fundit, por edhe të shumë qeverive të mëparshme gjermane, të cilat në fakt e kanë furnizuar në mënyrë relativisht konstante me armë dhe pajisje ushtarake Arabinë Saudite. "Ndërprerja e një marrëveshjeje si kjo me Arabinë Saudite, do të kishte pasoja ekonomike dhe politike. Në qoftë se Gjermania nuk i zbaton kontratat ekzistuese, qeveria gjermane duhet madje të paguajnë edhe një gjobë,"- thotë Mëlling.

Më shumë transparencë

Në marrëveshjen e koalicionit CDU/CSU dhe SPD ranë dakord për më tepër transparencë në lidhje me eksportet e armëve. Në lidhje me eksportet e armëve nga Gjermania vendimet merren jo në parlament, por në Këshillin Federal i Sigurimit që kryesohet nga kancelarja dhe në të cilin marrin pjesë edhe Sigmar Gabriel si dhe ministri i Punëve të jashtme, ai i Punëve të Brendshme, i Mbrojtjes, i Financave, i Drejtësisë, ministri i Ndihmës për Zhvillim dhe Bashkëpunim, si dhe shefi i zyres së kancelares. Punimet e këtij këshilli janë sekret. Qeveria federale e informon parlamentin në lidhje me marrëveshjet e përfunduara për eksportin e armëve vetëm në raportin vjetor për eksportin e armëve. Bundestagu vetë nuk ka asnjë ndikim në procesin për miratimin ose jo të eksporteve të armëve. Por shumë deputetë mendojnë se Bundestagu duhet të informohet menjëherë, sapo Këshilli Federal i Sigurimit të ketë miratuar një marrëveshje eksporti armësh.

Siegmar Gabriel thotë madje se ai vetë do të donte t'ja jepte parlamentit të drejtën për të anuluar një vendim të Këshilli Federal të Sigurimit, por se CDU/CSU nuk janë dakord me këtë. Por pavarësisht se ç'mendojnë partitë Gjykata Federale Kushtetuese do të marrë më 15 prill në shqyrtim, se me sa saktësi duhet ta informojë qeveria gjermane Bundestagun në lidhje me çështjen e ndjeshme të eksporteve të armëve.