1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Eksperti i sigurisë Florian Qehaja: Protesta në Prishtinë cënim i rendit publik, jo atij kushtetues

A e rrezikojnë protestat sigurinë në Kosovë? Flet për DW Florian Qehaja, ekspert i sigurisë nga "Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë"

DW: Zoti Qehaja, sa mendoni se është "cënuar rendi publik dhe kushtetues në Kosovë", ashtu siç pohon kryeministri, gjatë dy protestave që të fundit në Prishtinë?

Florian Qehaja: Nuk ka dilemë që protestat u shëndrruan në trazirat më të mëdha që nga shtetësia. Me një fjalë, u vërtetuan parashikimet për rritjen graduale të potencialit për shprehje të paknaqësisë në formë të protestës deri te përdorimi i forcës nga protestuesit. Sigurisht, se këto protesta përbënin një cënim të rendit publik, kështu që në këtë fazë nuk mund të thuhet se është cënuar rendi kushtetues. Rendi kushtetues do të mund të cënohej në rast se protesta të tilla do të vazhdojnë deri në një masë të lartë të përshkallëzimit që do të implikonte nevojën e aktivizimit të gjithë aparatit të shtetit. Sidomos, nëse sulmohen dhunshëm institucionet qeveritare, stacionet e policisë apo edhe prona private.

Sa mendoni se ishte "proporcionale" forca e përdorur ndaj protestusve nga policia, marrë parasysh reagimet e protestuesve, që hodhën gurë dhe sende të forta në drejtim të policisë?

Konsideroj që Policia e Kosovës ka një notë pozitive për vetë faktin që tregoi profesionalizëm dhe arriti të dëshmojë, se pavarësisht dobësive teknike e në personel, është në nivel të detyrës dhe gardian i rendit publik dhe i shtetit në përgjithësi. Në aspektin e fazës fillestare të shtetndërtimit, në të cilin ndodhemi, është shumë pozitive që policia ka arritur ta menaxhojë vetë këtë situatë, do të thotë pa involvimin e pranisë ndërkombëtare. Mirëpo, unë mendoj që në rast të një përshkallëzimi në masë të gjerë, ku trazirat do të bëheshin në më shumë se një lokacion, kjo polici nuk do të ketë mundësi ta menaxhoj më situatën. Asaj i mungojnë mjetet teknike për ballafaqim në shkallë të gjerë. Po ashtu, ka mungesë edhe të pjesëtarëve të specializuar. U vërejt që p.sh. në Prishtinë kishin ardhur përforcime edhe nga qytetet e tjera.

Proporcionaliteti është vështirë të definohet. Madje, as në shoqëritë më demokratike nuk mund të sigurohet një reagim proporcional i institucioneve. Trazirat e vendosin policinë në situatë shumë delikate, në të cilën rrezikohet jeta e tyre. Qartazi që në disa raste kishte përdorim të tejkaluar të forcës nga policia dhe disa njësi. Kjo për arsyeje se në polici ka subjektivizëm dhe madje edhe militant politikë e klanor, të cilët mund të dalin jashtë kornizave profesionale e etike. Në rastin konkret, edhe arrestimi i kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte i panevojshëm dhe i papranueshëm. Për këtë dhe rastet e tjera të tejkalimit të forcës duhet menjëherë të fillojnë hetimet nga njësia e standardeve profesionale e policisë, por edhe e Inspektoratit Policor të Kosovës. Nuk do të mund ta paramendoj që e gjithë kjo të përmbyllet pa hetime dhe mbase edhe ndëshkime për disa zyrtarë të policisë.

Meqenëse protestat në Prishtinë u organizuan nga partitë politike opozitare, një e tillë është thirrur edhe për ditën e mërkurë (04.02)dhe bazuar në zhvillimet që pamë gjatë dy protetave të shkuara, sa mendoni se është e qëndrushme situata e sigurisë në Kosovë?

Mendoj që rrezikshmëria ekziston dhe personalisht konsideroj që do të ketë ripërshkallëzim. Masat e qytetarëve me potencial për të qenë të dhunshëm kanë mundësi për riorganizim dhe koordinim në mënyrë që të përdoret akoma më shumë dhuna. Këtu mendoj në të gjitha format e përdorimit të dhunës, përfshirë dhe armët e zjarrit. Keqpërdorimi i këtyre masave është akoma më problematik. Kjo për arsyeje se qarqet anti-Kosovë me çdo kusht synojnë ta shfrytëzojnë këtë gjendje, sepse situata kaotike i konvenon në masë të madhe.

Eliminimi i një rreziku të tillë mund të bëhet vetëm si rezultat i ndonjë vendimi politik që do të zbuste, së paku, për një kohë reagimin e masave. Në të kundërtën, nëse kjo situatë lihet vetëm në gatishmërinë vepruese e reaguese të institucioneve të sigurisë, atëherë do të kemi përkeqësim të përgjithshëm të situatës së sigurisë në vend. Pasojat sigurisht do të jenë shumë të mëdha.

Zoti Qehaja, forcat ndërkombëtare të rendit nuk u përfshinë në protestat e shkuara, me to u ballafaquan vetëm policia e Kosovës. Bazuar në kapacitetet e policisë së Kosovës, mendoni se ka vend për përfshirje të forcave ndërkombëtare të sigurisë, fjalën e kam për policinë e misionit EULEX dhe Forcat Paqerujatëse KFOR?

Unë mendoj që misionet ndërkombëtare duhet të qëndrojnë sa më larg nga angazhimi i tyre në ruajtjen e rendit publik. Kosova duhet të tregojë gatishmëri dhe pjekuri në menaxhim me këto situata. Çdo involvim i këtyre misioneve vazhdon t'i shërbejë elementeve, të cilat i referohen Kosovës si një shtet i varësuar ndaj prezencës ndëkombëtare. Madje, hipotetikisht, në rast të përshkallëzimit të madh, më shumë do të kisha menduar që të involvohet p.sh. FSK-ja në ndihmë logjistike për policinë (pra jo vepruese) apo edhe të shfrytëzohej bashkëpunimi bilateral me disa shtete.

EULEX-i është linja e dytë e reagimit, mirëpo, për momentin kapacitetet e saj në sferën e policisë janë të pakta, por edhe misioni është kompromentuar për shumë arsyeje gjë që nuk e shoh të arsyeshme që të qëndroj në Kosovë përtej vitit 2016. Edhe nëse do të kërkohet nevoja e involvimit të këtij misioni, atëherë kjo vetëm sa do t'i irritonte edhe më shumë masat. KFOR-i është linja e tretë, që mund të involvohet vetëm si mjet i fundit, atëherë kur institucionet e tjera do të dështonin.

Zoti Qehaja, bazuar në të gjitha zhvillimet rreth sigurisë në Kosovë, fjalën e kam për elementet radikal fetar, që tashmë celulat e tyre po luftohen në Kosovë dhe situata e paqendrueshme e sigurisë në veri të saj, sa e bën kjo Kosovën një vend "të sigurtë", në sytë e faktorit ndërkombëtar?

Sigurisht që tashmë natyra e kërcënimeve dhe rreziqeve në Kosovë ka marë një karakter më kompleks dhe mbi të gjitha asimetrik. Disa kërcënime mundet të identifikohen lehtë kurse të tjera, thjesht, nuk kanë adresë. Personalisht mendoj që Kosova ka pasur shumë më shumë probleme me rendin dhe ligjin në të kaluarën. Mirëpo, me rritjen e përgjegjësive për vendorët dhe shpalljen e shtetësisë, sigurisht se barra do të bjerë mbi institucionet kosovare dhe shoqërinë në përgjithësi, që të demonstrojë gatishmëri e pjekuri për parandalim dhe ballafaqim me këto sfida.