1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Eksperti i marinës: Krimea është për Rusinë "trampolina për në Mesdhe"

Baza mbrojtëse Sevatopol në Ukrainë është e pazëvendësushme për Rusinë, thotë për DW Klaus Mommsen, ish-oficer dhe ekspert për marinën e huaj. Por sipas tij kjo bazë, nuk luan ndonjë rol për konfliktin aktual.

DW: Qysh prej dekadash flota ruse në Detin e Zi është e dislokuar në Krime të Ukrainës - përse është i rëndësishëm ky vend për Moskën?

Klaus Mommsen: Krimea është për Detin e Zi poizicionin dominues strategjik - gadishulli shtrihet thellë deri në det. Për Rusinë ky gadishull shërben si një trampolinë drejt Jugut, pra drejt Detit Mesdhe dhe Lindjes së Mesme. Qysh në kohën e sovjetikëve këtu ishte vendosur industria e prodhimit të anijeve, aeroplanmbajtësve dhe kryqëzorëve.

A mund ta përshkruani me konkretisht rëndësinë strategjike të bazës mbrojtëse Sevastopol?

Ky është porti i vetëm, i cili mund të përmbledhë të gjithë flotën ruse të Detit të Zi, duke i ofruar asaj mbrojtje dhe logjistikën përkatëse. Për rusët nuk ka asnjë alternativë tjetër që ta zëvendësojë këtë. Ndonëse po ndërtohet edhe në një tjetër zonë -në Novorosijk në veri të Soçit - atje mund të vendoset vetëm një pjesë e flotës. Kësaj i shtohet edhe fakti, që Novorosijk është shumë i vogël dhe nuk ka gjire mbrojtëse. Anbijet që ankorojnë atje, përballen me erëra të pafavorshme dhe dëmtohen prej dallgëve. Ndërsa kjo nuk ndodh në Sevastopol, ku ka shumë gjire.

Baza mbrojtëse është kësisoj jo vetëm baza kryesore e mbrojtjes për flotën ruse në Detin e Zi, por edhe për marinën Ukrainase. Ato ndodhet aty fare pranë. Nëse Ukraina e anulon marrëveshjen për bazën mbrojtëse duke i përjashtuar rusët, atëherë flota e Detit të Zi do të ketë një problem.

Përse flota e Detit të Zi është kaq e rëndësishme për Rusinë?

Rusia rrethohet në pjesën më të madhe nga detra: Në Veri ndodhet Arktiku, flota veriore në dimër has në vështirësi të mëdha, sepse rrugët për në Atlantik janë të gjata. Edhe në Detin Balltik distancat janë të mëdha. Nëse vërtetë kjo flotë do të jetë efektive në rajonin e Mesdheut, atëherë kjo realizohet vetëm përmes këtij rajoni. Mesdheu luan një rol të madh në politikën e jashtme ruse, në verën e vitit 2013 sërish u krijua një skuadrilje e përhershme për Mesdheun. Rusët nuk duan që këtë zonë t'ia lenë marinës së SHBA-së.

Marineexperte Klaus Mommsen

Eksperti i marinës Klaus Mommsen

Çfarë marrëveshjeje ka mes Rusisë dhe Ukrainës, që Sevastopoli përdoret si bazë mbrojtëse për flotën ruse?

Kjo është një marrëveshje afatgjatë, e vendosur në kohën e ish-presidentit rus Boris Jelzin. Kësaj marrëveshjeje i ka paraprirë një grindje: Ukraina thoshte, që pas rënies së Bashkimit Sovjetik anijet në port i përkisnin asaj. Më pas u ra dakord dhe një pjesë e flotës iu dha Ukrainës - shumica e anijeve ishin gjithsesi të shkatërruara.

Në 1997 u vendos një marrëveshje qiraje për përdorimin e portit nga rusët me afat 20 vjeçar. Nën drejtimin e Jushenkos, parardhësit të Janukoviçit, kjo marrëveshje praktikisht u anulua. Por Janukoviçi, kur erdhi në post, jo vetëm e riaktivizoi atë, por njëkohësisht e zgjati edhe për 20 vjet të tjera afatin e saj. Kjo ka nxitur debate madje duke ngjallur edhe rezerva kushtetuese.

Përse e kanë pranuar ukrainasit këtë marrëveshje?

Nga njëra anë për arsye ekonomike: Rusia si kompensim ka premtuar gaz me çmim të ulët. Nga ana tjetër për arsye politike: Janukoviçi siç dihet është më shumë i orientuar nga rusët se sa nga Perëndimi.

Ç'rol luan flota e Detit të Zi në krizën aktuale?

Rusët e kanë rritur alarmin për gatishmëri në bazat e tyre mbrojtëse dhe kanë vendosur tanket mbrojtëse përpara këtyre bazave. Por kjo bëhet thjeshtë si masë mbrojtëse për sigurinë ee brendshme dhe nuk ka synim ndërhyrjeje të adresuar nga jashtë. Ajo që ata kanë bërë është me sa duket përpilimi i një lsite me pjestarët e familjeve të ekipazhit, të cilët në rast nevoje duhet të evakuohen. Ndaj ata kanë vendosur në gatishmëri anije për evakuimin. Në këtë kuptim flota e Detit të Zi ka vetëm një rol anësor në konfliktin aktual. Konfrontim në det nuk do të ketë.

Klaus Mommsen ka qenë oficer dhe është ekspert për marinën e huaj. Gjithashtu ai shkruan rregullisht për revistën MarineForum.