1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eksperti danez: Sulmi në Kopenhagë ka edhe shkaqe sociale

Najima El Moussaoui17 Shkurt 2015

Sipas mediave daneze atentatori Omar Abdel Hamid El-Husein ishte një kriminel i dënuar, me pasaportë daneze dhe prejardhje palestineze. Eksperti danez i terrorizimit Lars Erslev Anders rreth motiveve të tij.

https://p.dw.com/p/1Ecfi
Fotografi: Reuters/S. Bidstrup

Deutsche Welle: Pse një 22-vjeçar, ish-nxënës i shkollës së mesme, të cilin drejtori i shkollës ku shkonte e quan si "nxënës i mirë" dhe shokët e klasës si miqësor, është në gjendje për një akt të tillë?

Me këtë pyetje duhet të merremi intensivisht javët e ardhshme. Ne kemi disa të dhëna për përgjigjen: I dyshuari kishte rënë në të kaluarën në konflikt me ligjin. Ai qe në burg, pasi kishte sulmuar dikë me thikë dhe pothuajse e kishte vrarë. Në të njëjtën kohë, duhet vënë në dukje se vrasësi i dyshuar kishin shumë probleme të natyrës sociale. Ai qe nën ndikimin e pikëpamjeve radikale rreth konfliktit Izrael-Palestinë dhe "luftës" së supozuar të Perëndimit kundër fesë islame. Unë mendoj se të gjitha luajnl një rol për shpjegimin e motiveve të tij.

Lars Erslev Andersen
Lars Erslev AndersenFotografi: DIIS

Çfarë ndikimi mund të ketë pasur qëndrimi në burg për radikalizimin e autorit të veprës? Ai ishte liruar nga burgu dy javë përpara veprës së tij.

Në shumë raste të tjera, të burgosurit janë radikalizuar në burg për shkak se aty takojnë njerëz që i manipulojnë. Kjo ndoshta vlen edhe për të. Atij i është dukur me sa duket interesante ideja e të qënit "luftëtar i shenjtë". Më pak në kuptimin fetar, e më tepër si një rol në të cilin donte të hynte.

Në çfarë mjedesi social jetonte atentatori?

Atentatori jetonte saktësisht në kufi të lagjave Noerrebro dhe Nordvest. Kjo zonë është si geto. Aty jetojnë kryesisht emigrantë nga Lindja e Mesme. Nëse dikush shkon atje, ka përshtypjen se është në Lindjen e Mesme: shumë gra janë të mbuluara, ka dyqane arabe. Kjo zonë quhet edhe "Kajro e vogël".

Çfarë masash mund të jenë të dobishme për parandalimin e radikalizimit?

Unë mendoj se është qasje e gabuar që fokusi i masave kundër radikalizmit dhe për parandalimin e rrezikut të fokusohet shumë në aspektin e ideologjisë. Demokracia dhe radikalizmi konsiderohen si kundërta. Kjo lidhet pastaj me supozimin se mjafton vetëm t'u ndërmjetësojmë njerëzve vlera demokratike, dhe ata do të jenë të integruar më mirë. Unë nuk mendoj se atentatori i kësaj fundjave do të ketë qenë i hapur për masa të tilla. Unë mendoj se problemet e tij janë të thella. Shoqëria daneze duhet të pyesë veten në mënyrë kritike, nëse ajo merret si duhet me temën e "integrimit". E qartë është që terrorizmi mund të vijnë edhe nga brenda vendit, i ashtuquajturi "homegrown terrorism".

A mendoni se atentatet e 22-vjeçarit mund të frymëzojnë atentatorë të tjerë të mundshëm për veprime të ngjashme?

Dyshoj se vrasësi ishte i ndikuar vetë në një lloj mënyre nga seria e sulmeve në Paris në janar të këtij viti. Unë e shoh atë si imitues. Shoqatat muslimane në Danimarkë e kanë dënuar këtë akt si antiislam, megjithatë ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që mund të ketë individë që duan ta imitojnë atë.