1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ekspertët: nuk ka shkelje ligjore në vijën kufitare Kosovë - Mali i Zi

Tre ekspertët ndërkombëtar që vlerësuan procesin e demarkacionit Kosovë-Mali i Zi, thanë se në shënimin e kësaj vije kufitare janë zbatuar praktikat ndërkombëtare më të dëshmuara deri më tani në vendet tjera.

Komisioni i ekspertëve ndërkombëtarë për vlerësimin e procesit të demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, tha se procesi i përkufizimit të kësaj vije kufitare është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe se ata nuk kanë gjetur shkelje ligjore gjatë tërë procesit. Partitë politike opozitare thanë se raporti i ekspertëve është i papranueshëm dhe sipas tyre është i domosdoshëm korrigjimi i vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi. Tre ekspertët ndërkombëtarë, nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania, erdhën në Kosovë dy javë më parë si pjesë e një komisioni që u iniciua nga Presidentja Atifete Jahjaga për vlerësimin e procesit të shënimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo u bë pas shqetësimeve të shprehura prej partive opozitare, të cilat kërkonin shfuqizimin e nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi e nënshkruar në gusht të vitit të shkuar.

Pasi pranoi raportin e ekspertëve ndërkombëtar, Presidentja Atifete Jahjaga, tha se "nga aspekti ligjor dhe teknik ekspertët nuk kanë gjetur shkelje në procesin e demarkacionit. Komisioni ka vlerësuar se procesi i shënimit të kufirit është dashur të jetë më transparent përfshirë edhe familjarizimin e publikut me hartat, të dhënat dhe gjetjet gjeodezike", tha Presidentja Jahjaga.

Eksperti gjerman i Gjeodezisë, Herbert Wilmes, pjesë e komisionit, tha se komisioni ad-hoc ka zbatuar praktikat ndërkombëtare më të dëshmuara deri më tani në vendet tjera. "Dy komisionet shtetërore, ai i Kosovës dhe ai malazez kanë aplikuar teknikat më të mira si GSS ose GPS, të cilat kanë mundësuar që në mënyrë gjeodezike të përcaktohet çdo milimetër i kufirit. Ne na është dashur që t'i kombinojnë koordinatat me hartat gjeografike. Vija kufitare e prezantuar është bazuar në informacione të sakta. Vija më e lartë është vija administrative, e cila është e Krahinës Autonome të Kosovës dhe në nivelin dytë janë përdorur vijat e kufijve komunal në të dy anët e kufirit dhe niveli i tretë janë përdorur informatat kadastrale", tha Herbert Wilmes.

Në të njetën linjë u shpreh edhe eksperti amerikan Fletcher Burton: "procesi kishte një bazë shumë të fortë ligjore. Kemi gjetur se nga aspekti ligjor procesi dhe puna e Komisionit kosovar shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi ka pasur legjitimitet të plotë", tha Fletcher Burton.

Eksperti britanik Fred Newton nga ana e tij foli për rëndësinë që kanë proceset e demarkacionit ndërmjet vendeve, që sipas tij, duhet të jenë përcaktuar mirë dhe qartë.

Partitë politike opozitare në Kosovë reaguan ashpër pas publikimit të raportit duke e vlerësuar të papranueshëm raportin e ekspertëve ndërkombëtarë.

"Opozita e Bashkuar vlerëson se gjetjet e këtij ekipi ndërkombëtar për vlerësimin e punës së Komisionit Shtetëror të Kosovës për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi janë vlerësime që janë bërë për nevojat e presidentes dhe si të tilla nuk mund të kenë reflektim në domosdoshmërinë e korrigjimit të kufirit me Malin e Zi", thuhet në një reagim të përbashkët të partive opozitare.

Sipas tyre kufijtë e Kosovës mund t'i caktojë vetëm një komision i besueshëm shtetëror i Kosovës, i cili mund të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë, që do të shfrytëzojë dokumente të vlefshme, metodologji të përshtatshme të punës dhe të dhëna shkencore, por kurrsesi një grup prej tre personave, prej të cilëve vetëm njëri është ekspert i fushës kurse dy të tjerët janë diplomatë.

"Kufiri i Kosovës me Malin e zi është në Çakorr dhe në Kullë të Zhlepit, dhe pavarësisht vlerësimit të tre ekspertëve ndërkombëtar, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, nuk është i pranueshëm për opozitën dhe qytetarët dhe do të kundërshtohet pa kompromis. Mbi 205 mijë qytetarë kanë nënshkruar kundër këtij demarkacioni dhe vullneti i tyre nuk është marrë parasysh as nga presidentja e as nga ky ekip. Argumentet e paraqitura nga ky ekip ndërkombëtar, se demarkacioni me Malin e Zi është një proces legal e ku nuk ka pasur shpërputhje ndërmjet dy komisioneve shtetërore, nuk qëndrojnë, sepse edhe në një proces legal, e ku nuk ka as shpërputhje, mund të bëhen zgjidhje jolegale, siç ka ndodhur me rastin e Kosovës me Malin e Zi. Kosova nuk ka territore për të falur dhe tërësinë e saj territoriale do ta mbrojmë pavarësisht vendimeve të tilla", thuhet në reagimin e opozitës së bashkuar.

Marrëveshja e nënshkruar më 26 gusht të vitit të kaluar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e cila përcaktonte vijën kufitare ndërmjet dy vendeve dhe marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, janë dy çështje, që bënë që partitë opozitare ta bllokojnë punën e parlamentit prej shtatë muajsh. Koalicioni qeveritar kërkon nga partitë opozitare që shqetësimet e tyre t'i paraqesin dhe debatojnë në institucionet e Kosovës, ndërsa opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.

Sidoqoftë, megjithë mospajtimin e partive opozitare për të gjeturat e komisionit ndërkombëtar që shqyrtoi procesin shënimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, ambasada e SHBA-së, në një deklaratë të saj, mirëpriti konkluzionet e komisionit ndërkombëtar duke thënë se gjetjet "qartazi plotësojnë normat ndërkombëtare".

"Ne jemi të pajtimit me ftesën e komisionit drejtuar Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi për të ndërmarrë hapa në përmirësimin e menaxhimit të kufirit dhe thellimit të bashkëpunimit. Shpresojmë se palët do t'i rishikojnë me kujdes të gjeturat në raport dhe do t'i kthehen punës së rëndësishme që kanë, për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj drejt institucioneve euro-atlantike", thuhet në reagimin e ambasadës amerikane në Kosovë.