1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ekspertët: Në mesin e rebelëve ka linja etnike dhe ideologjike ndarëse

Pas marshimit në kryeqytetin Tripoli kryengritësit libianë e shpallën të përfunduar sundimin prej katër dekadash të pushtetmbajtësit Al-Gaddafi. Po a do të vendoset tani në Libi një demokraci sipas modelit perëndimor?

Markus Kaim , ekspert në fondacionin Shkenca dhe Politika

Markus Kaim , ekspert në fondacionin Shkenca dhe Politika

Pas përvojës në Afganistan dhe Irak  me të tilla nocione si demokraci sipas modelit perëndimor duhet të jemi të kujdesshëm, mendon Markus Kaim, analist pranë fondacionit Wissenschaft und Politik. Sipas tij procesi i transformimit komplikohet përveç të tjerave edhe prej dallimeve dhe diferencave ndërmjet kryengritësve.

Dallimet e brëndshme, të rëndësishme

"Unë mendoj se duhet të kemi të qartë se çfarë konsiderojmë në këtë moment si rebelë, kryengritës apo Këshilli Kalimtar. Ky është aktualisht një bashkësi e lindur nga nevoja, e cila është shumë heterogjene dhe përbëhet nga aktorë të ndryshëm politikë, të cilët ndoshta nuk i lidh gjë tjetër me njëri-tjetrin se se sa dëshira  për të përmbysur regjimin e Gaddafit. Dallimet e brendshme të cilat në këtë moment tani vetëm se mund të merren me mend, do të bëhen  shumë më  të qarta sapo Këshilli Tranzitor të arrijë fitoren - kjo është ndoshta një çështje ditësh. Më pas do të nisë procesi i tranzicionit politik  dhe gjatë formimit të partive politike do të dalin në pah linjat etnike dhe ideologjike ndarëse, që në këtë moment janë mbivendosur ndaj njera-tjetrës. Unë mendoj se atëhere do të shohim qartë se çfarë grupi heterogjen ishte Këshilli i Përkohshëm", - thotë Markus Kaim.

Pamje nga lufta civile në Libi

Pamje nga lufta civile në Libi

Faza pas revolucioneve më e vështirë

Duke hedhur një vështrim nga Tunizia dhe Egjipti, Kaim thekson se aty po vihet re më qartë ajo që mund të parashikohej përpara revolucioneve: 

"Pra që është relativisht e lehtë të largosh një sistem, por edhe më e vështirë është faza që pason, pra kur është fjala për transforimin e vazhdueshëm të sistemeve."

Në këto vende kemi një përzierje të çuditshme mes elementëve që kanë mbetur prej sistemit të vjetër dhe një lëvizjeje transformimi, e cila thuajse ka ngrirë. Kjo ka të bëjë me rolin e partive dhe të shoqërisë civile në proceset e transformimit dhe me pushtetin që vazhdojnë të kenë elementët e sistemit të mëparshëm, që duket se nuk janë kompatibël me njëri-tjetrin.

"Të paktën në Egjipt kemi p.sh. një gjendje e cila sipas këndvështrimit perëndimor nuk është shumë e kënaqshme, pra pozita tepër e fuqishme e ushtrisë në kushtetutën egjiptiane dhe në procesin e hartimit të kushtetutës së re." - thotë Markus Kaim.

Asnjë rrezik për Evropën

Ministrat gjermanë Westerwelle dhe Niebel në Libi

Ministrat gjermanë Westerwelle dhe Niebel në Libi

Gjithësesi sipas ekspertit për çështjet e sigurisë pranë fondacionit Wissenschaft und Politik në veri të Afrikës dhe në disa pjesë të Lindjes së Mesme nuk duket se po krijohet për momentin ndonjë fuçi baruti, e cila mund të bëhej e rrezikshme edhe për Evropën. 

"Ne konstatojmë se revolucionet në Afrikën e Veriut i flakën tej sistemet e brendshme politike, por ato nuk kanë shkaktuar probleme mes vetë shteteve. Kjo do të thotë se proceset e brendshme politike nuk i kanë dëmtuar marrëdhëniet ndërshtetërore. Në të kundërt, sa u përket çështjeve të konflikteve ndërshtetërore nuk ka pasur ndonjë zhvillim dhe sa u përket çështjeve të sigurisë ndërkombëtare vazhdojnë të kemi një lloj stabiliteti."

Autorë: Mathias Hellfeld/P.Pani

Redaktoi: Mimoza Kelmendi

 

DW.COM