1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ekspertët: Konflikti në Lindje të Ukrainës mund të zgjidhet vetëm me angazhimin ndërkombëtar

Ushtria ukrainase po largohet nga Debalcevo. Armët kanë heshtur. A mund të nisë tani zbatimi i marrëveshjes së Minskut? Apo separatistët po mbledhin forcat për një ofensivë të re të madhe?

Për Volodymir Fesenko s'ka dyshim: po, thotë politologu nga Kievi pa iu dashur të mendohet gjatë, trupa ndërkombëtare e paqes mund të ndihmojë për ta zbutur konfliktin në Lindje të Ukrainës. Gjithçka tjetër s'do të kishte asnjë kuptim. Po ashtu as varja e shpresave, se vëzhguesit e OSBE-së të vendosur prej muajsh në terren do të mund të bëjnë diçka.

OSBE-ja nuk posedon as mjetet dhe as kompetencat e nevojshme, për t'i mbikqyrur me efikasitet dhe në mënyrë të vazhdueshme separatistët, thotë Fesenko. Kush mendon ndryshe, është thjesht një ëndërrimtar: "Ne kemi nevojë për një mision paqeje të OKB-së. Pa një mision të tillë ne nuk mund ta ndalim luftën në Donbas", vëren më tej Fesenko. "Situata në Donbas konfirmon, se OSBE-ja këtu është absolutisht jo efikase."

Dështimi në Debalcevo një shembull lapidar

Në mënyrë të ngjashme argumenton edhe eksperti ushtarak ukrainas Oleksyi Melnyk. Forcat e armatosura ukrainase duke u nisur nga mungesa masive e kapaciteteve, nuk mund ta fitojnë luftën kundër separatistëve të mbështetur më së miri prej Rusisë. Dështimi në Debalcevo, mendon drejtori i Qendrës së Kievit për Studimet e Sigurisë, është një shembull lapidar. Zgjidhja e konfliktit kuptohet që vazhdon të jetë në nivelin politik. Por në këtë kontekst nuk duhet të lihet në harresë aspekti ushtarak. E aq më tepër jo, kur pala tjetër e konfliktit i përdor me sukses mjetet ushtarake. "Veçanërisht efikase janë gjithashtu kërcënimet e Putinit dhe masat frikëngjallëse kundrejt Perëndimit. E në këtë drejtim ai nuk kursehet as me kërcënimin me armë atomike."

Në sfondin e kësaj situate, sipas mendimit të ekspertit ushtarak nga Kievi Oleksyi Melnyk, nuk mund të përfytyrohet një zgjidhje e shpejtë e konfliktit. Edhe sikur të respeketohet armëpushimi, thotë ai, rajoni do të vazhdojë të jetë shumë larg paqes. Një mbikqyrje ndërkombëtare megjithatë mund të ndihmojë, të paktën për ta ruajtur staus quo-në.

Separatistët: mision i helmetkaltërve të OKB-së vetëm përgjatë vijës së frontit

Sidoqoftë fakti, që Poroshenko do të vendosë forca të BE-së dhe jo helmetkaltër të OKB-së në Lindje të Ukrainës, bën që propozimi të jetë i pazbatueshëm. Si Moska edhe separatistët e refuzojnë kategorikisht këtë nismë. Sepse ato nuk mund ta kontrollojnë zbatimin e marrëveshjes, thuhet në Kiev. Edhe pse zëvendësshefi i shtabit të përgjithshëm të mbrojtjes popullore në Republikën e vetëshpallur Donjeck, Eduard Bassurin, nuk e formulon aq natyrshëm: "Ne fillimisht duam të përmbushim atë çka është nënshkruar në Minsk. Në protokollin e Minskut nuk bëhet fjalë për një mision të tillë. Pala ukrainase së pari duhet të përmbushë të gjitha detyrimet, për të cilat është rënë dakord, pastaj ne mund të bisedojmë për gjithçka tjetër."

Tingëllon si thënë me zemërgjerësi, por nuk është kështu. Një mision të helmetkaltërve të OKB-së, mendon Eduard Bassurin, separatistët mund ta miratojnë vetëm nëse ato do të dislokoheshin përgjatë vijës së frontit. Në kufirin mes Donbasit dhe Rusisë ndërkaq këto forca s'kanë se çfarë të kërkojnë. E pikërisht këtu - thuhet në Kiev - do të kishte kuptim një mision i tillë. Në radhë të parë për të ndihmuar më në fund që të ndalen furnizimet nga Rusia me armë e forca për separatistët. E është e pamundur që separatistët ta pranojnë këtë.