Ekspertët: Do të shtohen zërat që do të kërkojnë dorëheqjen e de Maiziere | Gjermania | DW | 07.06.2013
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ekspertët: Do të shtohen zërat që do të kërkojnë dorëheqjen e de Maiziere

Ministri gjerman i mbrojtjes Thomas de Maiziere deklaroi se ishte informuar me vonesë për dështimin e projektit Euro Hawk. Studiuesi i politikës Christian Hacke thotë për DW se pse dorëheqja e tij do të ishte me vend.

DW: Javët e fundit ka pasur një presion të madh ndaj ministrit të mbrojtjes se pse nuk mbylli më parë projektin e avionëve me telekomandë.  Ai dëshmoi para një komisioni parlamentar se nuk ka qenë i përfshirë në projekt dhe se është informuar shumë vonë për dështimin.  Ju duket e papritur një deklaratë e tillë?


Christian Hacke: Po, më duket shumë e papritur. Qëkur ky debat është bërë publik de Maiziere ka treguar se gjëra të tilla mund të ndodhin. Ai tha se me projekte të tilla afatgjata në kohë, natyrisht që mund të ketë probleme. Por më pas ai bëri një ndryshim 180 gradë duke thënë se nuk kishte asnjë informacion, duke u mënjanuar nga një proces që ai e quan problematik. Ky është një argument jo bindës. Por sido që të jetë në të dyja rastet, do të thoja se është diçka negative. Në këtë pikë ngrihet pyetja se sa e kontrollon ai ministrinë që drejton.


Si mundet që një ministër i përfshirë në një projekt të rëndësishëm të mos informohet si duhet dhe si mundet një zëvëndës ministër të jetë në gjendie të anulojë një projekt Euro Hawk?  


Ky projekt kishte vite që zbatohej dhe në dijeni ishin edhe paraardhësit e de Maiziere. Por sa i përket rëndësisë së projektit nuk e shoh me vend se si zëvëndësat e tij mund të marrin një vendim të tillë, pa e informuar drejtuesin e ministrisë. Nëse një gjë e tillë ka ndodhur, atëherë de Maiziere nuk kishte nën kontroll departamentin e tij.

Prof. Dr. Christian Hacke Universität Bonn Archivbild 2008

Prof. Dr. Christian Hacke nga Universiteti i Bonit


Mendoni se ky është një dështim i de Maiziere? A duhet të kishte qenë ai më i vendosur në kërkimin e informacionit?

 
Mua më duket shumë i çuditshëm argumenti që ai thotë se nënpunësit e tij ishin ata që morën vendimin për anulimin e projektit. Ai duhet të mbajë përgjegjësi. Edhe në rast se ai kishte informacion më parë, çka ai nuk e pranon, sepse duket sikur thotë që ai drejton ministrinë por vendimet nuk i merr ai.


De Maiziere ka përjashtuar dorëheqjen, por një gjë të tillë janë duke e bërë zëvëndësit e tij. Mendoni se do të ishte e ndershme nëse ai do të linte të iknin bashkëpunëtorët e tij?  


Pikërisht kjo është çështja, nëse opozita dhe partia e tij do të jenë apo jo të kënaqura me këtë lëvizje. Ata mund të thonë se janë duke u sakrifikuar njerëz. Unë nuk mund të gjykoj për kompetencën e zëvendësve të tij. Unë gjithashtu nuk e di nëse ata janë në një luftë burokratike me ministrin. Por të jem i sinqertë, nuk përjashtoj mundësinë që të rriten zërat që kërkojnë dorëheqjen e de Maiziere.


A janë të mjaftueshme shpjegimet që ka dhënë de Maiziere? Mendoni se ka ende për t'u thënë?


Deri tani është diskutuar për aspektet teknike, financiare dhe burokratike të kësaj çështjeje. Çka është e rëndësishme dhe korrekte. Por sërish shumë pyetje të rëndësishme kanë mbetur pa përgjigje.  Çfarë ndikimi ka Euro Hawk në sigurinë kombëtare të Gjermanisë?  Dhe pyetjet etike: Kush është i autorizuar të vrasë dhe kush do të vritet? Si do të ndikojnë këto avionë me telekomandë në garën ndërkombëtare të armatimit? Këto pyetje janë lënë tërësisht jashtë vëmendjes.

Christian Hacke është profesor emeritus në Institutin e Shkencave Politike dhe Sociologjisë pranë Universitetit të Bonit.