1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekspertët: Skenari i Krimesë i pamundur në rajonet lindore të Ukrainës

M. Bushuev / M.Ostaptschuk10 Prill 2014

A rrezikon të përsëritet rasti i Krimesë në Lindje të Ukrainës? Ekspertët: Mes situatës në gadishullin e Krimesë dhe rajoneve lindore të Ukrainës ka më shumë dallime se të përbashkëta.

https://p.dw.com/p/1BeXL
Ukraine Unruhen in Donezk 09.04.2014
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjendja në qytetet milionëshe në lindje të Ukrainës Çarkov dhe Donjeck është sërish nën kontrollin e autoriteteve. Megjithatë kërkesa për një referendum mbi pavarësinë e "Republikës popullore Donjeck", të cilën e shpalli një grup separatistësh në selinë e pushtuar prej tij të administratës rajonale të Donjeckut, shumë vëzhguesve u kujtoi ngjarjet në Krime. Por a mund të krahasohet situata në Krime me gjendjen në rajonet lindore të Ukrainës?

"Unë shoh më shumë dallime, se sa të përbashkëta mes Krimesë dhe lindjes së Ukrainës. Krimeja është në shumë aspekte një rast i veçantë", thotë për Deutsche Welle-n Susan Stewart nga fondacioni në Berlin "Shkenca dhe Politika". Në radhë të parë vlen të theksohet, se popullsia në gadishullin e Krimesë ka një përbërje krejt të ndryshme nga ajo në lindje të Ukrainës. "Në Krime shumica e popullsisë janë rusë etnikë. Mbi 80% e njerëzve japin si gjuhë amtare rusishten", thotë ekspertja. Shumë banorë të Krimesë janë nga Rusia, ose nga pjesë të tjera me popullsi ruse të ish-Bashkimit Sovjetik. "Ndër to ka edhe shumë ushtarakë si dhe shumë pensionistë", nënvizon Stewart.

Dr. Susan Stewart, Stiftung Wissenschaft und Politik Berlin
Dr. Susan Stewart nga fondacioni në Berlin "Shkenca dhe Politika"Fotografi: DW

Në bazë të numërimit të popullsisë në vitin 2011 rusët në asnjë rajon tjetër të Ukrainë snuk përbëjnë një grup kaq të madh popullsie sa në Krime. Gjithashtu në lindje e në jug të vendit njerëzit kanë kryesisht prejardhje ukrainase. Në Çarkov 26% e konsiderojnë veten si rusë dhe në Donjeck 38%.

Në lindje nuk ka separatizëm

Edhe sociologia polake Joanna Fomina sheh dallime thelbësore mes Krimesë dhe lindjes së Ukrainës. Rajonet lindore janë të orientuara shumë më fort ndaj Ukrainës, thotë ajo në intervistë për DW. Sipas ekspertes, njerëzit në Donjeck dhe në të tjera rajone lindore i shohin me sy kritik zhvillimet në vend. "Ata megjithatë e ndjejnë veten ukrainas. Ky identifikim është mjaft i fortë", thekson Fomina. Në Krime kjo ndjenjë është shumë më e zbehtë.

Sociologia thekson, se prefrenca për përdorimin e gjuhës ruse në rajonet lindore dhe jugore të Ukrainës nuk nënkupton më detyrimisht një lidhje më të madhe me Rusinë. Në studimin e saj "Language, Identity, Politics - The Myth of Two Ukraines", që Fomina e ka prezantuar bashkë me fondacionin Bertelsmann në Berlin, ajo dëshmon përmes anketimeve, se aprovimi i ukrainasve për thellimin e marrëdhënieve me Rusinë nuk do të thotë që dëshira e tyre është shkëputja prej Ukrainës dhe bashkimi me Rusinë. Anketimet konfirmojnë, se në asnjë rajon të ukrainës nuk ka zëra relevantë për separatizëm. Mbështetja për një ndarje të vendit në lindje dhe në jug luhatet mes 11% dhe 13 %.

Joanna Fomina Autorin
Joanna Fomina, sociologeFotografi: DW/N. Jolkver

Susan Stewart e konsideron gjithashtu të pamundur, që shumë njerëz në jug e në lindje të dëshirojnë shkëputjen nga Ukraina. "Unë mendoj, se këta janë kryesisht aktivistë nga Rusia. Ata i aktivizojnë njerëzit në lindje dhe në jug, të cilët nuk duan t'i humbasin marrëdhëniet me Rusinë dhe që janë të zhgënjyer nga lëvizja Maidan", thotë ekspertja e fondacionit "Shkenca dhe Politika".

Dallime ekonomike

Stewart tërheq gjithashtu vëmendjen, se Krimeja dallon kryekëput prej Donjeckut edhe në aspektin ekonomik. "Krimeja ka marrë para prej Kievit. Parë në aspektin ekonomik, pavarësisht turizimit dhe bujqësisë atje, gadishulli ka qenë një barrë", thotë Stewart për DW.

Ekonomikisht lindja e Ukrainës, kryesisht rajoni Donjeck, janë të rëndësishme, madje kontribuojnë në buxhetin e shtetit. "Në lindje ndodhet e gjithë industria e rëndë. Ajo është nga njëra anë e rëndësishme, por nga ana tjetër shumë prej këtyre ndërmarrjeve nuk janë modernizuar dhe ende përdorin teknikë sovjetike", thotë Stewart. Ndaj ky rajon është më i rëndësishëm se Krimeja, por për shkak të strukturës së industrisë së tij ka edhe probleme.

Kremlini synon destabilizimin

Por çfarë kanë të përbashkët ngjarjet në Krime dhe ato në rajone tjuglindore të Ukrainës? Ato i mundësojnë Rusisë, që ta destabilizojë gjendjennë Kiev, besojnë ekspertët. "Unë nuk jam e sigurtë, që pala ruse ka ndonëj plan të saktë. Unë kam më shumë përshtypjen, se pala ruse sheh, se ç'mund të arrihet më lehtë", vëren Stewart. Aneksimi i Krimesë ishte i thjeshtë. Tani Moska sheh, nëse një skenar i tillë mund të funksionojë në lindje dhe në jug, ose nëse edhe pa mjete ushtarake Ukraina mudntë destabilizohet në interesin e Rusisë.

Sipas mendimit të Stewart Rusia do ta pengojë një udhëheqje të qëndrueshme në Kiev, e cila do të ndiqte politikën e afrimit me BE-në dhe me ndihmën e Perëndimit do të arrinte suksese. Pikërisht për këtë arsye, ekspertja nuk e përjashton mundësinë, që Kremlini do të përpiqet t'i trazojë zgjedhjet presidenciale të planifikuara për më 25 maj në Ukrainë.