1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paketa e re e azilit në Gjermani

Kay-Alexander Scholz24 Shkurt 2016

Këtë javë do të miratohet në parlamentin gjerman paketa e re e ligjeve të azilit. Më parë Komisioni i Brendshëm Parlamentar i Bundestagut pyeti ekspertët për këtë. Çfarë ndryshimesh sjell ajo? Dhjetë pika për informim!

https://p.dw.com/p/1I0le
Deutschland Registrierung von Flüchtlingen
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Weigel

Jo burgje për refugjatët

Në të gjithë Gjermaninë priten 20 “qendra mbërritjeje”. Kush vjen nga një vend i sigurtë origjine, do t'i përpunohet kërkesa për azil brenda një jave në këto qendra. Por këto qendra nuk janë burgje, si thonë kritikët. “Kjo nuk do të thotë kufizim lirie, por vetëm një detyrim rezidencial”, thekson eksperti i së drejtës Daniel Thym nga Universiteti i Konstancës. Kjo do të thotë vetëm që refugjatët të mos largohen nga rajoni apo landi.

Afat ankimimi vetëm brenda një jave

Nëse refuzohet kërkesa e azilit në këto qendra, atëherë personi ka të drejtë ankimimi, por kjo duhet të ndodhë shpejt, brenda një jave.

Jo kufi maksimal

Qeveria gjermane synon me paketen e dytë për azilin një përshpejtim të procedurave të azilit, thotë profesori i së drejtës publike nga Halle, Winfried Kluth. Kjo pa vendosur një kufi maksimal apo mbyllur kufijtë, si vendet e tjera. Pra politika zemërgjerë e azilit nuk ndryshohet, thotë Kluth. Me këtë synohet të ulet mali i kërkesave të azilit, aktualisht më shumë se një gjysmë milionë kërkesa.

Jo procedura të shpejta për këdo

Refugjatët minorenë janë të përjashtuar nga procedurat e përshpejtuara. Por azilantët, të cilët janë refuzuar njëherë dhe sërish e shtrojnë kërkesën për azil do të vendosen në “qendrat e mbërritjes”. Ursula Gräfin Praschma nga Zyra Federale për Migracionin dhe Azilin, (BAMF) përmend se këtu do të përfshihen sidomos personat nga Ballkani Perëndimor, të cilët përkohësisht janë kthyer në vendlindje.

Edhe më shpejt

Shumë ekspertë, ndër ta përfaqësues nga UNHCR dhe avokatët e refugjatëve, kanë kërkuar “konsultime për procedurën e azilit”, pra që refugjatët të marrin më shumë informacione mbi procedurën se deri më tani. Në fund të fundit ligjet e reja janë të komplikuara. Por Prof. Kluth thotë se kjo kërkesë nuk ka nevojë të jetë pjesë e ligjit, por e punës administrative në terren. Zvicra ka përvojë të mirë me konsultimet. Në këtë vend ka procedura azili shumë të shkurtra, vetëm 48 orë.

Bashkimi familjar – vetëm në raste të veçanta

Për disa refugjatë do të pezullohet bashkimi familjar për dy vjet. Për shembull për minorenë të pashoqëruar. Në muajt e fundit kanë ardhur shumë 16-17 vjeçarë në Gjermani, fillimisht ata nuk do t'i sjellin prindërit. Berthold Münch nga Shoqata Gjermane e Avokatëve e kritikon këtë ligj, sepse integrimi funksionon më mirë në familje, sipas tij. Sipas Prof. Daniel Thym ligji do të “blejë kohë” me këtë. Sepse pas dy vjetësh do të kemi një qeveri të re, e cila duhet të vendosë si do të veprohet më tej. Por ligji nuk parasheh një ndalim abosulut të bashkimit familjar, ai ka edhe përjashtime.

Jo çdo raport nga mjeku të mbron nga dëbimi

Në të shkuarën azilkërkuesit kanë mundur të shtyjnë dëbimin me një raport mjekësor. Kjo nuk do të jetë më aq e thjeshtë në të ardhmen, sepse duhet paraqitur një “raport i kualifikuar mjekësor”. Kay Ruge nga parlamenti i qarqeve gjermane e përshëndet këtë hap. Por ende nuk dihet saktë se çfarë kihet parasysh me “rrezik jete”, thotë ekspertja e BAMF, Praschma. Sepse në raste të tilla nuk lejohet të dëbohet askush.

Kush kryen vepra penale do të largohet...

Kush kryen vepra penale dhe merr një dënim së paku me një vit burg, ka shumë pak shanse për azil në të ardhmen. Kjo vlen edhe kur dënimi është dhënë me kusht. I dënuari kërcënohet nga dëbimi. Të huajt që kanë një kohë të gjatë në Gjermani nuk preken mjaft nga ky ligj për shkak se gëzojnë një mbrojtje më të mirë.

...Megjithatë disa do të qëndrojnë

Por sipas ekspertëve këta autorë veprash penale nuk do ta lënë automatikisht Gjermaninë. Arsyeja: Disa shtete nuk i riatdhesojnë refugjatët. Pasoja: Ata do të qëndrojnë në Gjermani vetëm me “Duldung” - qëndrim i toleruar për një kohë të caktuar-

Gjithçka shumë shpejt?

Megjithëse paketa e re azilit është futur shumë shpejt në axhendën parlamentare, ligjshmëria nuk preket. Përmbajtja e paketës II të azilit ka qenë e njohur që në vjeshtë të vitit të kaluar, u tha si argument mbrojtës nga qeveria gjermane. Megjithatë të gjitha palët duhet të nxitojnë. Propozimet e ekspertëve munden të inkuadrohen vetëm të mërkurën (25.02) në mbrëmje.