1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ekskursion social i nxënësve nga Stutgarti

Gjimnazistë nga Shtutgarti kontribuojnë vullnetarisht në një projekt social në Shkup, në ndihmë të fëmijëve romë. Këndet për lojëra i mundësojnë fëmijëve socializimin, thonë gjimnazistët.

Nxënësja Lena Grote, kujdeset vullnetarisht për fëmijët romë në Shkup

Nxënësja Lena Grote, kujdeset vullnetarisht për fëmijët romë në Shkup

Gjimnazistë nga Shtutgarti janë inkuadruar vullnetarisht në një projekt social në ndërtimin e fushave sportive për fëmijët romë në lagjen Shuto orizare të Shkupit. Këndet për lojëra do t'i mundësojnë fëmijëve socializimin dhe njohjen me projekte të tjera edukative, thotë Klara Mishel–Ilieva, kryetare e OJQ-së “Nadezh”. Nxënësit gjermanë të entuziazmuar për kontributin e dhënë human, vlerësojnë se ia vlen të marrësh pjesë në projekte.

Klara Mischel Illjeva, kryetare e organizatës “Nadezh”

Klara Mischel Illjeva, kryetare e organizatës “Nadezh”

29 nxënës maturantë të gjimnazit Gutenhollde nga Shtutgarti kanë qënë pjesëmarrës në projektin e organizatës joqeveritare gjermane KuKuK dhe Qendrës për iniciativa sociale “NADEZH” nga Shkupi në ndërtimin e fushave sportive për fëmijët romë në lagjen Shuto Orizare. Me këtë projekt me punë vullnetare është rregulluar fusha sportive, një kënd zbavitës me rekuizita të shumta, ku fëmijët e varfër romë do ta kalojnë kohën e lirë me aktivitete të ndryshme sportive. Klara Mishel Ilieva, kryetare e organizatës “Nadezh” thotë se projekti kishte për qëllim të begatojë hapësirën, në të cilën fëmijët përmes lojës do të shoqërohen dhe do të kenë inkluzivitet social mes tyre.

“Ky është vetëm fillimi i aktiviteteve tona, me ndihmën e shoqatave gjermane ne do të ndërtojmë edhe shumë kënde tjera, në të cilat do t'i realizojmë projektet tona edukative dhe sociale”, shprehet Klara Ilieva.

Nxënësit gjermanë me entuziazëm të madh dhe punë vullnetare për një afat të shkurtër kohor përfunduan me sukses fushën sportive, në të cilën në të ardhmen do të argëtohen fëmijët romë. Moris Legerman nga gjimnazi i Shtutgartit në përzgjedhjen e tij për të bërë ekskursion në vendet e Evropës perëndimore ishte përcaktuar që të marrë pjesë në këtë ekskursion social, sepse sipas tij ndjenja që nxënësit të ndihmojnë fëmijët, është shumë më e madhe se sa shëtitjet në vendet mondane.

“Dua të bëj diçka të mirë për fëmijët, sepse ata kanë të drejtë për një jetë më të mirë. Kur i shikon fëmijët duke luajtur në këto fusha sportive, ndjenja e kënaqësisë është tejet e madhe”, shprehet Lagerman.

Shutka, Mazedonien, 2009

Leoni Heris për herë të parë qëndron në Maqedoni. Ajo ka shëtitur shumë vende të pasura të Evropës, por interesimi i saj mbetet për të ndihmuar vendet e varfëra, siç është lagja e romëve Shuto Orizari në Shkup.

“Në botë ka njerëz shumë të pasur, por edhe shumë të varfër, andaj dëshiroj që edhe këta fëmijë të shijojnë një jetë sado pak të lumtur.”

Qëndrimi në Maqedoni për Sara Hofman ka një domethënie të veçantë, ajo për herë të parë është takuar me një kulturë, të cilën asnjëherë nuk e kishte hasur në Gjermani.

“Përshtypjet e mia nga ky projekt, do t'i përcjell tek shokët e mi në Gjermani dhe do t'i motivoj edhe ata, që të marrin pjesë në projekte sociale.”

Mbikqyrëse e projektit është Lena Gro-Trautman nga Gjermania. Ajo që prej një viti me projekte të ndryshme zhvillon aktivitetin në lagjen e Shuto Orizarës, thotë se e don Maqedoninë dhe është e lumtur, që u ndihmon fëmijëve.

“Fëmijëve të Shutkës u mungon shumë çka, kjo nuk është fer, fëmijët kanë të drejtë në jetë më të mirë andaj unë dua t'u ndihmoj atyre”, thotë Gro-Trautman.

Nxënës në pushim në një shkollë fillore në Shkup

Nxënës në pushim në një shkollë fillore në Shkup

“Këtu do të vijmë për të luajtur futboll, basketboll, tenis, kemi luhatëse, më parë këto fusha sportive na kanë munguar”, thotë Gillatma Kamberi, vajza e kësaj lagjeje.

Organizata joqeveritare KuKuK dhe maturantët gjermanë me projekte sociale janë aktivë përpos Maqedonisë edhe në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica