1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ekonomia gjermane shënoi rënie

Ekonomia gjermane ka shënuar rënie prej 0,2 % në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Këto të dhëna i kumtoi Zyra Federale për Statistika me seli në Wiesbaden.

Kontenierë me mallra eksporti në Hamburg

Kontenierë me mallra eksporti në Hamburg

Kjo është hera e parë që ekonomia gjermane shënon rënie në dy vitet e fundit. Mirëpo kjo rënie ishte më e vogël se pritej. Shkaku për këtë minus është mungesa e impulseve në tregti me vendet tjera si dhe kriza e borxheve, që ka kapluar disa vende të Bashkimit Evropian, thonë ekspertët.

"Rezultatet pak më të dobëta në fund të vitit 2011 nuk janë kurfarë shkasi për ndonjë brengosje të thellë për recesionin e mundshëm. Ekonomia gjermane është një prej më të fuqishmëve dhe e vendosur në këmbë të shëndosha. Jam i bindur se Gjermania do të përballet me sukses me të gjitha sfidat", deklaroi Anton F. Börner, kryetar i Shoqatës Federale për Tregtinë Grosiste, Tregtinë e Jashtme dhe Shërbimet me vendet e tjera.

Anton F. Börner për tregtinë e jashtme

Anton F. Börner për tregtinë e jashtme

Kërkohen kushte më të mira për eksporte

Megjithë rezultatet më të dobëta në tremujorin e fundit, ekonomia gjermane ka shënuar një rritje gjatë vitit të kaluar. Madje edhe në tre muajt e fundit të vitit 2011 ekonomia gjermane ka shënuar madje rritje në eksport dhe shërbime për 1,5 % krahasuar me një vit më parë.

Börner thotë se megjithë rezultatet e mira, autoritetet politike duhet të vazhdojë me përmirësimin e kushteve për ekonominë dhe eksporte. Ai mendon se në veçanti janë të domosdoshme masat për eliminnimin e pengesave burokratike dhe lehtësime fiskale për sipërmarrje, të cilat duhet të kenë më shumë hapësirë veprimi.

Instituti gjerman për kërkimet ekonomike pohon se kriza ekonomike dhe financiare me siguri që ndikon në koniukturën gjermane. Drejtori i Institutit, Ferdinand Fichtner thotë se pasojat e krizës do të vërehen në veçanti në pjesën e parë të këtij viti.

"Por që nga mesi i vitit mund të pritet një rritje më e fuqishme, si pasojë e masave që janë ndërmarrë kohët e fundit në shumë vende dhe sektorë", pohon ai.

Autor: dpa, Reuters, dapd/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi