1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ekonomia gjermane e shqetësuar për Turqinë

Gjermania dhe Turqia janë partnerë të rëndësishëm tregtie. Tani bizneset janë të rrezikuara. Rreth 6000 sipërmarrje gjermane janë të angazhuara në Turqi. Zhvillimet e reja në Ankara mund ta turbullojnë partneritetin.

Pas puçit të dështuar në Turqi kanë filluar të bien kurset e aksioneve në bursë, vlera e monedhës kombëtare Lira po bie duke shënuar nga një rekord të ulët në tjetrin. Agjencia e vlerësimit të riskut Standard & Poor's (S&R) e uli një shkallë më poshtë aftësinë kredituese të vendit nga kategoria "BB+" në "BB". Edhe nota e mëparshme ishte në nivelin e ashtuquajtur i konsumuar. Që pas tentativës për puç spektri politik është polarizuar, argumenton S&P vendimin. Ky vend ka përpara një fazë të gjatë të pasigurisë politike. Kjo mund t'i vështirësojë flukset e kapitalit nga jashtë. Këto zhvillime mund të kenë pasoja të rënda për Turqinë, vendi në ekspansion ekonomik prej vitesh ka një deficit në rendiment dhe është i varur nga prurjet e kapitalit nga jashtë.

Tentativa për puç dhe aksionet pasuese të spastrimeve të presidentit turk Erdogan i kanë krijuar kokëçarje edhe përfaqësuesve të ekonomisë gjermane. "Kjo godet drejtpërdrejt bizneset e ekonomisë gjermane me Turqinë", tërheq vëmendjen Eric Schweitzer, president i Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK).

Të dy vendet janë të lidhur mes tyre përmes marrëdhënieve tregtare. Viti 2015 shënoi një volum të tregtisë bilaterale mbi 36 miliardë Euro. Turqia ka eksportuar mall në vlerën e 14 miliardë Eurove në Gjermani dhe ka blerë në këmbim produkte gjermane në vlerën e 22,4 miliardë Eurove. Kësisoj Turqia u rendit në vendin e 14 ndër tregjet më të rëndësishme për eksportet gjermane. Rreth 60% e eksporteve gjermane në Turqi konisistojnë në sektorin e prodhimit të makinerive si dhe të automobilëve dhe të degës së kimisë.

Një treg i rëndësishëm për prodhuesit e automjeteve dhe makinerive

Kryesisht për degën e prodhimit të automobilëve Turqia është një partner i rëndësishëm tregtar dhe një vend prodhimi. Të gjithë prodhuesit e automobilëve, që kanë emër, janë të përfaqësuar në këtë vend euro-aziatik dhe kontribuojnë gjithashtu në eksportin e Turqisë. Fabrikat e furnitorit më të madh të pjesëve të këmbimit për automobilë Bosch në Bursa mbulon 1,5% të ekspporteve të Turqisë. Në dy vitet e kaluara kjo fabrikë u zgjerua me një investim prej gjysmë milioni Euro.

Tani përfaqësuesit e industrisë së automobilëve dhe prodhimit të makinerive i shohin të rrezikuara bizneset e tyre. Për industrinë gjermane të automobilëve tani është vendimtare, që "në këtë vend të rikthehet stabiliteti politik dhe kësisoj të ketë  mundësi planifikimi për sipërmarrjet. E njëjta gjë vlen edhe për shtetin ligjor", vë në dukje Shoqata e Industrisë së Automobilëve (VDA). Prodhuesit e makinerive ndonëse e kanë mbyllur këtë gjashtëmujor me kontrata prodhimi, "zhvillimet e fundit politike, ndër to edhe Brexit dhe tentativa për puç në Turqi sinjalizojnë, se duhet pasur kujdes", tha Ralph Wiechert, kryeekonomist i Shoqatës së prodhuesve gjermanë të makinerive dhe impianteve (VDMA). Investime të mundshme në Turqi tani po "shqyrtohen enkas me sy kritik", thuhet në një komunikim të shoqatës pak pas tentativës për puç.

Priten më pak investime direkte

Të kujdesshëm nuk janë vetëm prodhuesit e makinerive, por ekonomia gjermane në tërësi i druhet investimeve të reja në Bosfor. 85 përqind e sipërmarrjeve llogarisin me humbje të ndjeshme si pasojë e gjendjes së paqendrueshme politike, është ky rezultati i një anketimi ndër menaxherët. Vetëm katër përqind pohojnë, se bizneset e firmave gjermane në Turqi nuk do të preken prej zhvillimeve të fundit.

Vitin e kaluar investimet direkte gjermane në Turqi arritën volumin rreth 9,2 miliardë Eurove, më shumë se një vit më parë. Aktualisht atje janë aktive 6000 sipërmarrje ose firma me kuota kapitali gjerman.

Që nga fillimi i shekullit të ri falë stabilitetit politkik Turqia ka joshur investitorët e huaj me kuota të larta të rritjes ekonomike deri në 10%. Por kjo periudhë tani për tani ka marrë fund. Nga një seri sulmesh dega e turizmit, që përbën 10% të produktit bruto në vend të Turqisë, ka rënë. Sipas degës gjermane të turizmit numri i pushuesve gjermanë, që janë grupi kryesor i turistëve që frekuntojnë Turqinë, në pesë muajt e parë të këtij viti ka rënë me 35%. Banka turke e Rezervave megjithatë për vitin 2016 parashikon një rritje me 3,5%.