1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ekonomia gjermane ankohet për një vit të humbur

Fundi i vitit është koha e bilanceve. Sa i përket ekonomisë gjermane bilanci është i përzier. Ka zëra kritikë se në vitin 2014 në Gjermani parimisht nuk është bërë asgjë për forcimin e të ardhmes.

Si përfaqësuesit e industrisë dhe studiuesit apo hartuesit e politikave ankohen njëzëri për qeverinë. Partisë Socialdemokrate, SPD, nuk i pëlqen fare kjo gjë.

Presidenti i Shoqatës së Industrisë Gjermane (BDI) Ulrich Grillo tha se kishte shpresuar më shumë nga koalicioni qeveritar mes CDU/CSU-së dhe SPD-së. Kjo shoqatë përfaqëson interesat e më shumë se 100.000 sipërmarrjeve me mbi tetë milionë punonjës. Ai thotë se koalicioni i madh ka shpenzuar shumë të holla po në mënyrë pak largpamëse. Viti i parë i qeverisjes së këtij koalicioni ishte vit i shanseve të humbura, mendon Ulrich Grillo.

Në vitin 2015 gjërat duhen bërë më mirë

Edhe këshilli ekonomik i CDU-së - që si një shoqatë e afërt partiake është i përfshirë të paktën në mënyrë indirekte në qeveri - i bie të njëjtit fyell: në vitin 2014 në parim nuk është bërë asgjë për forcimin e të ardhmes të Gjermanisë , tha sekretari i përgjithshëm i shoqatës Wolfgang Steiger në Berlin. Sipas tij "Ky ishte një vit i humbur." Mbi të gjitha, brezave të ardhshëm u është lënë një barrë e rëndë: pensioni për nënat dhe mundësia për të dalë në pension në moshën 63 vjeç. Gjëja më e rëndësishme për CDU/CSU-në është tani që të dëshmojë kompetencën e vet të biznesit. Nuk ka kuptim që punonjësit e kualifikuar të nxirren në pension të parakohshëm, sepse ata janë mjaft të nevojshëm për ruajtjen e aftësisë konkurruese të biznesit në Gjermani.

Në vitin 2015 gjërat duhen bërë më mirë, tha Steiger. Koalicioni i madh qeveritar mes CDU/CSU-së duhet të mendojnë përsëri së pari për ekonominë dhe se si nxiren fitimet, "përpara se të vazhdojë me shpërndarjen e tyre gjithë gëzim. Ne nuk duhet të mbetemi tek romantizmi social sipërfaqësor."

"Bamirësi të shtrenjta socio-politike"

Edhe presidenti i Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore, Dennis Snower, shprehet i pakënaqur. Edhe pse dalja në pensin në moshën 63 vjeç dhe pensioni për nënat kishin pasur efekte pozitive për konsumin, sepse kanë forcuar fuqinë blerëse, këto janë sinjale të gabuara. Dhe sinjalet janë shumë të rëndësishme," tha ai për agjencinë e lajmeve dpa. Reformat e mëparshme si Hartz IV e kanë ndihmuar ekonominë. "Por kursi aktual po shkon në drejtim të kundërt."

Dennis Snower

Dennis Snower

Industria metalike dhe ajo elektrike gjermane shohin tek vendimet politike një barrë të madhe për vitin e ardhshëm. "Ne presim rritje modeste, po në disa sektorë, kjo është më shumë shpresë se sa realitet", tha presidenti i Shoqatës së Punëdhënësve të Industrisë Metalike, Rainer Dulger. Përveç krizave ndërkombëtare kjo industri do të ndikohen më tej nga "bamirësitë e shtrenjta të politikave sociale". Kështu kostot për njësi pune në këtë degë të industrisë janë rritur me gati dymbëdhjetë për qind që nga 2012. "Kjo është një ngarkesë e madhe për aftësinë tonë për t'u përballur me konkurrencën ndërkombëtare," tha presidenti i Shoqatës së Punëdhënësve të Industrisë Metalike.

Socialdemokratët të pakënaqur me kritikat

Sekretarja e përgjithshme e SPD-së Yasmin Fahimi reagoi ndaj akuzave nga përfaqësuesit e ekonomisë me fjalët: "Rrallë ndonjë parakushtet për industrinë gjermane kanë qenë kaq të mira sa për momentin." Ajo tha se dalëngadalë nuk mund t'i dëgjojë më të njëjtat ankesa të përfaqësuesve të ekonomisë". Punëdhënësit e përgjegjshëm duhet të marrin pjesë në përmirësimin e Gjermanisë, tha socialdemokratja Yasmin Fahimi duke shtuar se "në këtë përmirësim bëjnë pjesë më tepër vende pune, tarifa më të mira pagese dhe më tepër investime private për kursimet dhe masat e shkollimit dhe të specializimit". Sipas saj Gjermania duhet të bëhet më e mirë dhe jo më e lirë.