1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ekonomia e Kinës kërkon kursin e së ardhmes

Shndërrimi i ekonomisë popullore të Kinës në fuqi globale industriale është projekti qendror nën drejtimin e Xi Jinpingut. Por ngjitja në ligën e fuqive të industrializuara mund të zgjasë më shumë se sa i pëlqen Pekinit.

Ekonomia e Kinës duhet të ndryshojë - për këtë janë të të njëjtit mendim politikanët dhe ekspertët e ekonomisë në Perandorinë e Mesit. Kina nuk duhet të jetë më tryezë pune e botës, por të kthehet në prodhues të mallrave cilësorë me emër, që të preferohen nga konsumatorët në Kinë dhe në botën e jashtme. Po si do të arrihen objektivat ambiciozë të udhëheqjes së shtetit dhe të partisë, sipas të cilave deri në vitin 2045 Kina do të jetë bërë një nga kombet drejtuese industriale të botës? Po t'i referohesh një studimi të fundit kinez, ky plan është gjithçka tjetër, por jo realist.

Raporti aktual për modernizimin e Kinës i "Center for Modernization Research" ("Qendrës për Kërkimet e Modernizimin") konstaton me deziluzionim se Kina në zhvillimin e saj industrial është 100 vjet pas Gjermanisë, Holandës, Britanisë së Madhe dhe Francës. Në 80 vjet prapambetje e përllogariti bashkëautori i studimit, Zhao Xijun, distancën në krahasim me SHBA, Danimarkën dhe Italinë. Dhe përballë Suedisë, Norvegjisë, Austrisë dhe Spanjës e Japonisë Kina ka një prapambetje rreth 60 vjeçare.

Nuk është çudi, që ky gjykim i pamëshirshëm për ekonominë e atdheut tërhoqi shumë vëmendjen në Kinë - në fund të fundit, instituti që bëri studimin nuk është ndonjë qendër kërkimore kritike ndaj qeverisë, por pjesë e Akademisë Kineze të Shkencave. Thuajse asnjëri nga përfundimet e tjera të studimit nuk u komentua me kaq ashpërsi sa "prapambetja 100 vjeçare" ndaj Gjermanisë. Në rrjetin e lajmeve të shkurtrta Weibo, analogut kinez të Twitterit, pati komente ironike dhe autokritike, por edhe komente të zemëruara. Përdoruesi Limajlou konstatoi në mënyrë lakonike: "Kjo do të thotë se ne ndodhemi në kohën kur Carl Benz-i nisi të ndërtojë automjete. Epo mirë! Po të përpiqemi fort, mund t'i numërojmë ditët derisa ta arrijmë Gjermaninë."

Më shumë modesti apo realizëm?

Në një kohë kur përdoruesi Youlezhitianxa mendon se "Pak modesti nuk bën dëm", përdoruesi Mingjungzhiheng shkruan me kokëfortësi "Çfarë budallallëku! Edhe vetë gjermanët duan t'i blejnë tani trenat tanë të shpejtësisë së lartë dhe ne duhet të çalojmë pas tyre?"

Pikërisht ky është problemi me ekonominë popullore kineze, konstatojnë autorët e studimit. Vetëm në sektorë të veçantë, si në degën e hekurudhave me trenat e shpejtësisë së lartë ka arritur Kina të zerë deri tani vendet e para në botë. Po të ndjekësh zhvillimin në produktivitet dhe në krijimin e vlerave dhe pjesën e vendeve të punës për gjithë popullatën, atëherë Kina si fuqi industriale në vitin 2010 ndodhet aty ku ndodhej Gjermania pak para Luftës së Parë Botërore.

Komente përdoruesish në rrjetin Weibo

Komente përdoruesish në rrjetin Weibo

Përpjekje të autorëve për shpjegime

Autori kryesor i studimit "2015 China Modernization Report", He Chuanqi ka reaguar me sa duket ndaj kritikës nga krerët e partisë dhe të udhëheqjes shtetërore dhe e relativizoi në people.com.cn krahasimin 100-vjeçar. "Është e paplotë dhe e pasaktë të arrish në një përfundim të tillë, pa mbajtur parasysh se cilët indikatorë industrialë u përdorën", deklaron He. Po të përdorësh masa të tjera, në të cilat Kina është zhvilluar më shumë, atëherë distanca do të jetë shumë më e vogël. "Por Kinës i duhen më shumë faktorë të suksesshëm se trenat e shpejtësisë së lartë", nënvizoi He.

Rezultatet e studimit megjithatë duhet t'i shërbejnë para së gjithash vendimmarrësve politikë që të njohin gjendjen e vërtetë të ekonomisë popullore kineze dhe zgjidhjet e drejta në rrugën për t'u bërë komb industrial, u shpreh He.

Bashkëpunoi: Yan Jun