1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ekonomia dominon fushatën elektorale në Serbi

Një ditë e ngarkuar me zgjedhje: Më 6 maj në Serbi votohet për parlamentin dhe presidentin e ri dhe gjithashtu zhvillohen zgjedhjet rajonale dhe ato lokale.

Asnjëri nga kandidatët për president nuk e ka tematizuar integrimin e Serbisë në BE gjatë fushatës elektorale. „Fryma në popull, i cili interesohet vetëm për temat ekonomike, ka qenë deçizive në përzgjedhjen e temave të fushatës", thotë Aleksandra Joksimovic, kryetare e Qendrës Serbe për Politikën e Jashtme. Qëkurse Serbisë iu premtua në mars statusi i vendit kandidat, kjo temë është konsumuar dhe nuk ka qenë interesante në luftën elektorale."

Orientimi strategjik i Serbisë nuk vihet në pikëpyetje nga asnjëri prej kandidatëve me shanset më të mira për president: Si presidenti Boris Tadiç i Partisë Demokratike, ashtu edhe sfidanti i tij më i fortë Tomislav Nikoliç i Partisë Përparimtare të Serbisë duan ta drejtojnë Serbinë për në Bashkimin Evropian. Partitë e tyre me gjasë do të jenë forcat më të mëdha politike edhe në parlamentin e ardhshëm serb.

Vetëm pak parti përpiqen, të dallojnë nga të tjerat duke e kundërshtuar anëtarësimin e aspiruar në BE. Kjo vlen ndër të tjera edhe për Partinë Demokratike të Serbisë nën ish-kryeministrin Vojislav Kostunica. Në zgjedhjet presidenciale Koshtunica pothuajse nuk ka shanse - sondazhet flasin për një garë mes Tadiçit dhe Nikoliçit.

Konflikti me Kosovën nuk përmendet

Boris Tadiç është me orientim pro-evropian dhe Partia Demokratike e tij konsiderohet edhe sot qysh nga koha e partisë së kryetarit dhe ish-kryeministrit të vrarë Zoran Xhinxhiç (2001-2003) si parti social-liberale dhe moderne. Rivali më i fortë i Tadiçit Tomislav Nikoliç themeloi Partinë Përparimtare në vitin 2008, duke u shkëputur nga Partia Radikale serbe e ultranacionalistëve për shkak të Vojislav Sheshelit të akuzuar për krime lufte. Sot ai konsiderohet si nacionalist i moderuar me orientim pro-evropian.

Jo vetëm kursi i BE-së, por edhe të tjera tema qendrore politike në Serbi thuajse nuk janë përmendur në fushatën elektorale: grindja lidhur me Kosovën. Serbia vazhdon të refuzojë pranimin e pavarësisë së Kosovës. Lidhur me këtë çështje partitë janë në një linjë. Vetëm partia liberal-demokrate, e cila sipas sondazheve do ta arrijë pragun e 5% të votave për përfaqësimin parlamentar, angazhohet për njohjen e Kosovës së pavarur.

Serbët e Kosovës, të cilët kanë pasaportë serbe, lejohen të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Votimi do të realizohet nga OSBE-ja - kjo marrëveshje u pranua edhe nga qeveria e Prishtinës. Analisti politik nga Beogradi Dushan Janjiç thekson, se qeveria serbe në këtë mënyrë përshtjellohet në qëndrime kontradiktore: "Si qeveria kosovare edhe opozita serbe e konsiderojnë këtë si një njohje të plotë të pavarësisë së Kosovës dhe konsiderim të bashkësisë serbe atje si diasporë."

Deutsche Soldaten im Kosovo

Ushtarë gjermanë në Kosovë

Ushtarë shtesë në Veri të Kosovës

Si shqetësues konsiderohet vendimi i serbëve të Kosovës, për organizimin e mëvetësishëm të zgjedhjeve lokale sikur ato të vazhdojnë të jenë qytetarë të një krahine serbe. Qeveria në Beograd është shprehur kundër këtyre zgjedhjeve. Por Prishtina zgjedhjet lokale i konsideron si një provokim të papranueshëm. Në sfondin e tensioneve që priten Gjermania dhe Austria kanë dërguar ushtarë shtesë në Veriun e Kosovës të banuar nga serbët.

Pavarësisht këtyre tensioneve politike temat thelbësore të luftës elektorale mbeten papunësia, varfëria ekonomike dhe korrupsioni. Gati 25% e serbëve janë të papunë, kuota e inflacionit në dymbëdhjetë muajt e fundit arriti në 11%. Papunësia dhe inflacioni janë rritur ndjeshëm pas zgjedhjeve të fundit, gjë që bën që premtimet e reja elektorale të tingëllojnë të rëndomta dhe boshe për qytetarët. Përveç kësaj premtimet e partive të ndryshme nuk kanë asnjë dallim.

Ka mundësi që pikërisht zgjedhësit e rinj të velur nga politika të mos marrin pjesë në votime. Prej kësaj mund të përfitojë Tomislav Nikoliç i partisë nacionaliste serbe të Përparimit, i cili sipas sondazheve aktuale ka një avantazh të vogël. Megjithatë duket se do të ketë një balotazh mes Nikoliçit dhe presidentit aktual Tadiç.

BE-ja shpreson që të ketë zgjedhje korrekte dhe të ndershme. "Ne shpresojmë, që rezultati i zgjedhjeve të jetë një udhëheqje e re politike, e cila të jetë e hapur për bashkëpunim rajonal dhe për perspektivat evropiane", thotë Komisioneri i BE-së për Zgjerimin Stefan Füle.

Autor: Sasa Bojic / Vilma Filaj - Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica