1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ekonomi dhe pak të drejta humanitare - Konsultimet gjermano-ruse

Në 18 dhe 19 korrik mbahen në Hannover die konsultimet qeveritare gjermano-ruse. Në qendër janë çështje ekonomike dhe të politikës energjetike. Por edhe të drejtat e njeriut do të tematizohen.

Flamuri gjerman dhe ai rus.

Konsultimet qeveritare gjermano-ruse mbahen çdo vit.

Nëse Angela Merkel do të vendoste kush do të drejtonte Kremlinin në vitin 2012, atëherë Putini nuk do të kishte asnjë shanc. Ajo preferon personalisht më shumë Medvedevin dhe me siguri që nuk do të mërzitej nëse ky do të vazhdontë të qëndronte president, mendon Gernort Erler, ish ministër shteti në Ministrin e Jashtme gjermane.

Në bisedimet me Presidentin Putin, Merkel duket e tensionuar. Arsyeja nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën e tij në KGB, por edhe me sistemin politik të karakterizuar prej tij. Merkel, nuk ka mendim shumë të mirë për "demokracinë e menaxhuar", me strukturat e saj qëndrore të pushtetit.

Medvedev është më i përshtatshëm për bisedime

Partner i mirë bisedimesh - Merkel dhe Medvedev në Jekaterinburg.

Partner i mirë bisedimesh - Merkel dhe Medvedev në Jekaterinburg.

Megjithëse me Dmitrij Medvedevin në pushtet erdhi një pinjoll i Putinit, kancelarja gjermane e vlerëson atë si partner më të mirë bisedimesh. Kërkesat e presidentit të ri për më shumë demokraci dhe shtet të së drejtës, u pritën me optimizëm në Berlin. Konsultimet qeveritare gjermano- ruse që zhvillohen çdo vit, nuk kanë fituar prej tij më shumë në përmbajtje, megjithatë atmosfera është bërë më e ngrohtë. Siç thuhet në rrethet e kancelares, Merkeli dhe Medvedevi merren vesh. Në Jekaterinburg, ku u zhvillua takimi i nivelit të lartë në korrik 2010, kancelarja dhe presidenti biseduan deri në mes të natës. "I dashur Dmitrij" dhe "e dashur Angela", i thanë ata njëri tjetrit në konferencë shtypi, në bisedimet kokë më kokë ata flasin pa përkthyes. Medvedev flet anglisht dhe Merkel rusisht. Po kaq relaksim mund të ketë edhe kësaj here në Hanover.

Forca e faktorit ekonomik

Berlini dhe Moska kanë qënë kohët e fundi të fiksuar në çështjet e politikës së brendshme, mendon Hans-Henning Schröder nga Fondacioni Shkenca dhe Politika. Kjo, megjithëse në takime çështjet ekonomike zënë një rol kryesor. Tregëtia lulëzon. Mbi 6 mijë firma gjermane janë aktive në Rusi. Eksportet gjermane u rritën në tremujorin e parë në 7, 4 miliardë euro. Importet nga Rusia kanë shkuar në 9,5 miliardë euro. Këtë vit të dy vendet do të arrijnë rekorde, thotë Eckhard Cordes, shef i Komisionit Lindore të ekonomisë gjermane.

Pamje simbolike e bashkëpunimit mes kompanisë gjermane RWE dhe asaj ruse Gazprom.

Rëndësia e Rusisë si furnizues energjie është duke u rritur për Gjermaninë.

Disa menaxherë të rëndësishëm do të marrin pjesë në mëngjesin ekonomik me Merkelin dhe Medvedevin, mes të cilëve edhe shefi i bordit të Volkswagenit, Martin Winterkorn. Takimi zhvillohet jo më kot në Saksoninë e Poshtme. Volkswagen ka shitur tremujorin e parë rreth 45 mijë automjete në Rusi, duke dyfishuar volumin e shitjes.

Gazprom depërton në Perëndim

Rëndësia e Rusisë si furnizues energjie është duke u rritur për Gjermaninë, ku po zhvillohet aktualisht një kthesë energjetike, mendon politikani i CDU-së, Philipp Mißfelder. Kremlini duhet ta ketë të qartë se partneriteti është me interes për të dy palët, thotë ai. Koncerni rus Gazprom është duke shfrytëzuar orën e mirë për të zgjeruar aktivitetin në Gjermani. RWE dhe gjigandi rus sapo kanë rënë dakord për një partneritet strategjik. Ato duan të ndërtojnë së bashku termocentrale gazi dhe qymyri. Medvedev, i cili nën Putinin ka drejtuar për disa vjet këshillin drejtues të Gazpromit, gëzohet për këtë marrëveshje.

Autor: Yurin Viacheslav / Aida Cama
Redaktoi: E. Xhani