1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

EHEC dhe sistemi i paralajmërimit në BE

Kastravecat spanjollë nuk kanë qenë përgjegjës për shpërthimin e epidemisë EHEC. Për shumë fshatarë ky konstatim vjen shumë vonë: vështirë se dikush do t’i blejë produktet e tyre. Tani po mendohet për kompensimin e tyre.

Trangujt mbeten pa shitur - pamje në treg perimesh.

Në qoftëse një vend i BE-së ka dyshime për një ushqim të kontaminuar, ai është i detyruar të paralajmërojë vendet e tjera përmes sistemit të paralajmërimit të shpejtë evropian për produktet ushqimore, RASFF. Por sipas mendimit të komisionerit të BE për bujqësinë, Dacian Ciolos, Gjermania në këtë rast ka shkuar shumë larg, duke përmendur konkretisht si burim një vend të caktuar, dyshim, që rezultoi të jetë i gabuar.

Komisari i BE-së për bujqësinë, Dacian Ciolos dhe ministrja gjermane e Bujqësisë, Ilse Aigner.

Komisari i BE-së për bujqësinë, Dacian Ciolos dhe ministrja gjermane e Bujqësisë, Ilse Aigner.

„Mendoj se është e rëndësishme të rivendosim besimin e konsumatorit dhe të kemi parasysh shëndetin e tyre, por pa fajësuar vende, apo prodhues. Pjesa më e madhe e prodhuesve u përmbahet rregullave dhe mund të pësonte humbje të rënda, të cilat për disa mund të ishin fatale.“

Lidhur me çështjen e mundësisë së kompensimit, ose përkrahjes nga ana e BE-së deri tani as Ciolos dhe as komisioneri për shëndetësinë, John Dalli, nuk janë shprehur. Dalli e përshkroi përhapjen e patogjenit EHEC si një krizë serioze, por porositi të mos krijohet panik. Deri tani problemi është shumë i kufizuar gjeografikisht, në zonën e Hamburgut.

Komisioneri i BE-së për shëndetësinë, John Dalli.

Komisioneri i BE-së për shëndetësinë, John Dalli.

„Sigurisht që nuk do të ishte e udhës, që të porosisim njerëzit, që të mos shkojnë në Hamburg. Fjala është më shumë për masa higjienike krejtësisht normale dhe të përditshme si larja e duarve dhe larja e perimeve të paziera. Kjo duhet të ndihmojë për të zgjidhur problemin.“

Dalli u bëri thirrje shteteve anëtare dhe veçanërisht Gjermanisë, për të bërë gjithcka, për të zbuluar burimin e bakterit të zorrëve. Sistemi i paralajmërimit të shpejtë për produktet ushqimore në BE ekziston që prej vitit 1979, edhe shtetet joanëtare të BE-së bëjnë pjesë në të.
Në vitin 2009 ka patur 8000 njoftime, por vetem 500 kanë qenë paralajmërime serioze për produkte ushqimore, që gjendeshin në treg.

Autor: Christopf Hasselbach / A. Verbica

Redaktoi: E. Xhani